Bëjnë dashuri në makinën e ndezur në garazh, vdesin që të dy për shkak të intoksikimit nga gazi
Dy të rinj, Silvio Altieri, 31 vjeç, inxhinier dhe Denisa Zenaj, 26 vjeç, studente shqiptare, janë gjetur të vdekur brenda një veture Mercedes të parkuar në një garazh në rrugën Savorgnan të zonës Mandrione të Romës.
Çifti, pasi kishte kaluar darkën e të dielës në një lokal nate me miq, ishte tërhequr në makinën e babait të djalit për të ndenjur pak bashkë. Për shkak të temperaturave të ulëta, të rinjtë kanë lënë ndezur motorin e makinës, dhe garazhi është kthyer në një dhomë me gaz në të cilën kanë gjetur vdekjen.
I ka gjetur të pajetë, pasditen e të hënës, babai i djalit pronar i garazhit që një ditë më parë kishte denoncuar edhe zhdukjen e të rinjve. Në vendngjarje kanë mbërritur karabinierët e ndihma e shpejtë por për të rinjtë nuk mund të bëhej asgjë: ishin të vdekur për shkak të intoksikimit me monoksid karboni.
Mësohet se dy të rinjtë, që njiheshin prej dy muajsh, e familjet e tyre jetojnë në Romë, në të njëjtën zonë ku ka ndodhur tragjedia.