in

Romë: mbi një milion pelegrinë për lumnimin e papës Gjon Pali II


Sot mbarë bota katolike përjeton një nga ditët e saj më të bukura: Lumnimin e Papës Gjon Pali II.
Në prani të dhjetëra autoriteteve shtetërore, të mbi një milion pelegrinëve, në sheshin Shën Pjetri në Romë celebrohet sot lumnimi i papës polak, Karol Vojtilës. Në ceremoninë e Lumnimit edhe presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, dhe kryeministri Sali Berisha.

Karizmatik dhe mediatik, Gjon Pali II, i cili lumturohet sot, la gjurmë në fund të shekullit XX duke kontribuar në rënien e komunizmit, por largoi njëherazi shumë besimtarë katolikë me qëndrimet e tij konservatore për disa tradita.

Jetim nga e ëma që në moshë të vogël dhe i rritur nga një baba oficer karriere, ai njohu një fëmijëri pa prani femërore dhe ia dedikoi të gjithë jetën Virgjëreshës Mari, modeli i nënës dhe bashkëshortes.

Kreu i Kishës Katolike për më shumë se 26 vjet, një nga drejtimet më të gjata të një papati në histori, Gjon Pali II u dallua që me zgjedhjen e tij më 16 tetor 1978.

Karol Vojtila, papa i parë sllav, në atë kohë ishte 58 vjeç.

Shumë shpejt, papa polak përballet me administratën (Curie) romane dhe preferon kontaktin e drejtpërdrejtë me turmën, duke lejuar ta prekin dhe duke marrë fëmijë në krahë.

Shteti i Vatikanit bëhet shumë e vogël për të. Ai do t’u shkojë pranë besimtarëve, duke shtuar udhëtimet dhe duke rritur mediatizimin.

Karizma e tij është e dukshme. Ai tërheq turmat, përfshirë edhe në vende myslimane. I pasionuar nga teatri në rininë e tij, ai diti të ruajë sensin e auditorit. Kur flet papa, çdo njeriu ka ndjesinë se ato fjalë i drejtohen pikërisht atij.

Suksesi është i menjëhershëm, veçanërisht në Amerikën Latine ku media e mbiquan “si shëtitësi i Biblës”, “atleti i Zotit”. Ai krijon “Ditët botërore të të rinjve”, gjatë të cilave mblidhen miliona të rinj.
Gjon Pali II ishte 1,76 metra, por fotografët e kishin transformuar në një gjigant dhe imazhi qëndroi i tillë deri në atentatin e 13 majit 1981, kur turku Mehmet Ali Agça e plagosi rëndë me tre plumba.

Fillimi i rënies së tij fizike nisi në vitin 1994. I sëmurë tashmë, edhe Parkinsoni do të bënte punën e tij.

E gjithë bota pa degradimin e gjendjes së tij shëndetësore, e ndjekur me shumë vëmendje nga kamerat e televizioneve, deri në vdekjen e tij pothuajse drejtpërdrejt më 2 prill 2005 që do të ngjallte manifestim të dukshëm dashurie në sheshin Shën Pjetër.

Jeta dhe papati i tij përqafuan lëvizjet e mëdha të historisë.

Gjon Pali II përjetoi Luftën II Botërore, u rezistoi dy totalitarizmave, nazizmit dhe stalinizmit, dhe kontribuoi në fitoren e “Solidarite” në Poloni dhe rënien e Murit të Berlinit, duke shënuar rënien e komunizmit në Kontinentin e Vjetër. Marksizmi por edhe kapitalizmi i egër ishin kuajt e tij të betejës.

Njeri i Zotit dhe i paqes, angazhimet e tij nuk u kurorëzuan të gjitha me sukses. Ai pa Ballkanin dhe Lindjen e Mesme të zhytej në luftëra. Atij iu desh të luftonte me islamin ekstrem, sektet evangjelike dhe terrorizmin fetar. Ai nuk mundi të pengojë Afrikën të humbasë në konflikte si në Ruanda dhe nuk diti të ndihmonte kundër katastrofës së SIDA-s.

Ai është i paklasifikueshëm, pasi, nëse gjithnjë është dukur si i hapur ndaj problemeve të botës, dialogut me islamin, hebraizmin dhe besime të tjera jo të krishtera, ai ruajti një linjë tepër konservatore për çështje të familjes dhe moralit.

Për një pjesë të opinionit, zona kryesore e errët do të mbetet dënimi i kontraceptivëve nga ana e tij në një botë ku SIDA shkakton miliona të vdekur, ka thelluar një hendek pakuptimësie dhe largoi nga Kisha shumë katolikë.

Zëra ngrihen kundër tij edhe për të kritikuar mungesën e vendosmërisë dhe transparencës përballë abuzimeve pedofile nga anëtarët e Kishës.

Një tjetër kritikë kryesisht në Amerikën Latine ishte përshtatja e tij me teologjinë e çlirimit, nga e cila kishte pranuar me vështirësi devijimet marksiste.

Për të bindur teologët kundërshtues, ai u mbështet në lëvizjet nga më të ashprat, që për disa konsideroheshin lobingje të vërteta si Opus Dei, që i japin Kishës një imazh të fortë dhe të kujdesshëm ndaj disiplinës mbi të gjitha.

Lexo edhe: Papa që erdhi nga të ftohtit

Përuron nisjen e procesit të marrjes së pasaportave në Romë, zv.ministri i brendshëm Poni

Terrorizëm: një shqiptar dëbohet nga Italia