Gruaja lind menjëherë pas dhunës së ushtruar mbi të. Karabinierët identifikojnë dy të rinjtë që akuzohen për grabitje e lëndime.
Romë, 15 shtator 2016 – Ka përjetuar disa minuta vërtet të tmerrshme, 28vjeçarja nigjeriane në muaj të nëntë të shtatzënisë që pak ditë më parë është grabitur e rrahur në një tren të linjës Brescia-Milano. Dy të rinj shiptarë 23 vjeç, të identifikuar e të ndaluar më pas nga Karabinierët, i kanë marrë celularin dhe e kanë qëlluar me shkelma e grushte edhe pse dukej sheshit që gruaja ishte shtatzënë.
28vjeçarja ka arritur t’u ikë duarsh e t’i kërkojë ndihmë personelit të trenit. E çuar menjëherë në spitalin e Chiarit, gruaja ka lindur vajzën. Sipas mjekëve është e tronditur, ka frikë e nuk po arrin t’i gëzohet plotësisht ardhjes në jetë të fëmijës së parë, por gjithsesi nënë e bijë janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Ndërkaq, falë përshkrimit të bërë nga viktima, dy agresorët e saj janë gjetur thuajse menjëherë. I pari u ndalua në Rovato një 23 vjeçar shqiptar rezident në Roccafranca. U arrestua – por tani pret në shtëpi gjykimin sepse gjykata i dha masën e arrestit shtëpiak – dhe duhet të përgjigjet për graitje dhe lëndime. Më pas u gjet në Chiari dhe u padit në gjendje të lirë edhe personi i dytë, edhe ky shqiptar 23 vjeç.