in

Rreth 108 mijë fëmijë e të rinj shqiptarë në bankat e shkollave italiane

Sipas raportit të fundit statistikor të ministrisë së Arsimit numri i bijve të emigrantëve në shkollat italiane ka shkuar në 802.785 persona në vitin shkollor 2013/2014. Kanë prejardhje nga mëse 200 vende të ndryshme të botës e përbëjnë 9% të të gjithë nxënësve në Itali. Shifrat rriten nga viti në vit, e brezat e dytë – bijtë e emigrantëve të lindur në Itali – janë gjithnjë e më të shumtë e këtë radhë kapërcejnë të lindurit jashtë Italisë. Ndër nxënësit e huaj, 107.862 kanë pasaportë shqiptare. Përbëjnë rreth 14% të të gjithë nxënësve të huaj duke qenë gjithnjë të dytët pas rumunëve

Romë, 29 tetor 2014 – Numri i nxënësve ‘të huaj’ në bankat e shkollave në vitin 2013/2014 ka shkuar në 802.785, me një rritje relativisht të ulët, vetëm 16.155 krahasuar me një vit më parë. Por nëse e krahasojmë me vitin shkollor 2001/2002 kur ishin vetëm 196.414 shohim që shifra është shumëfishuar, pak a shumë të njëjtat ritme të rritjes së dukurisë së imigracionit në Itali. Këtë nxjerr në dritë raporti “Alunni con cittadinanza non italiana nel sistema scolastico italiano per Anno scolastico 2013/2014” i sapobotuar nga zyra statistikore e ministrisë së Arsimit.

Ajo që bie në sy këtë radhë është se për të parën herë, mëse gjysma e nxënësve me pasaportë jo italiane (më saktësisht 415.182 vetë apo 51,7%) kanë lindur në Itali, por për shkak të ligjit të shtetësisë – për modifikimin e të cilit flitet gjithnjë e më shumë – konsiderohen akoma të huaj. Madje nga një vit në tjetrin rritja e nxënësve të huaj të lindur në Itali është shumë më e fortë se ajo e të gjithë nxënësve me pasaportë jo italiane. Kështu, nëse në total, nxënësit e huaj janë rrritur me vetëm 2,1% krahasuar me vitin shkollor 2012/2013, rritja e të huajve të lindur në Itali është rritur me 11,8%. Gjithnjë sipas të dhënave të ministrisë së Arsimit, në qershor 2015 do të mbarojnë ciklin e parë shkollor, apo tetëvjeçaren, 21.233 nxënës të huaj të lindur në Itali. E nëse do të mund të reformohet ligji i shtetësisë (sipas projektligjeve që diskutohen flitet se do të mund t’u njihet shtetësia italiane të lindurve në Itali që përfundojnë këtu një cikël shkollor), të gjithë këta mund të bëhen shpejt italianë.

Në aspektin e shifrave, prania e nxënësve të huaj në shkollat italiane reflekton pak a shumë imigracionin në Itali: edhe pse në bankat e shkollave gjen nxënës me prejardhje nga mëse 200 vende të ndryshme të botës, kombësitë më të shumta në numër janë rumunët (154.605 nxënës), shqiptarët me 107.862 nxënës, marokenët (101.167), dhe kinezët (39.204). Shqiptarët, të cilët nga viti 2000 deri në vitin 2006, janë renditur të parët për nga numri i nxënësve të pranishëm në shkolla, me hyrjen e rumunëve në BE dhe me fluksin e tyre të madh në Itali, kanë zbritur në vend të dytë, dhe në vitin shkollor 2013/2014 përbëjnë 13,436% të të gjithë nxënësve pa pasaportë italiane.

Krahina me numrin më të lartë të nxënësve të huaj është Lombardia me 197.202 nxënës jo italianë. Ndërsa krahina ku nxënësit e huaj shënojnë përqindjen më të lartë mes të gjithëve (italianë e jo italianë) është Emilia Romagna (15,3% e nxënësve nuk kanë pasaportën italiane). Pas saj renditen Lombardia dhe Umbria me nga 14%.

Njësoj si emigrantët shqiptarë, edhe fëmijët e të rinjtë shqiptarë në bankat e shkollave përqendrohen në Lombardi (20,9% e të gjithë nxënësve shqiptarë janë në këtë krahinë), Toscana (14,4%), Emilia Romagna (12,8%) dhe Piemonte (9,7%). Ndërsa po të shihen në krahasim me të huajt e tjerë vërehet se janë më të shumtët në Puglia (28,1% e nxënësve të huaj në krahinë janë shqiptarë), në Toscana (24,5% e të gjithë nxënësve të huaj), në Umbria (22,4%), në Liguria (22,3%). Në nivel provincial, prania e nxënësve shqiptarë është konsistente në provincat e Lazios si Tivoli ku 72,1% e nxënësve të huaj janë shqiptarë, Guidonia (68,8%), Ladispoli (65,2%), Latina (52,6%), Pomezia (51,1%), por edhe në Torino ku 36,9% e nxënësve të huaj janë shqiptarë, në L’Aquila (35,9%), në Reggio Calabria (31,9%), apo në Arezzo (30,1%).

Mbarëvajtja në shkollë e nxënësve të huaj

Sipas të dhënave të ministrisë të vitit shkollor 2012/2013, nxënësit me pasaportë jo italiane kanë rendiment pak më të ulët se ata më shtetësi italiane.

Në provimin e shtetit në fund të ciklit të parë shkollor (tetëvjeçares) pranohen 92% e nxënësve jo italianë – por edhe këtu ka dallim mes atyre të lindur në Itali (pranohen në provim 95,4%) nga ata të lindur jashtë Italisë (90,5%) – e nga këta e marrin 99,2%. Ndërsa për nxënësit italianë përqindja e pranimit në provim shkon në 97,5%, ndërsa ajo e marrjes së provimit të shtetit është 99,7%.

Përsa i përket diplomimit pas shkollës së mesme apo pas ciklit të dytë shkollor, pranohen provimin e diplomës 95,7% e nxënësve italianë e prej tyre diplomohen 99,1%. Për nxënësit e huaj këto dy përqindje bien përkatësisht në 91,4% dhe 98,3%. Edhe në notat e diplomimit vërehet një dallim mes italianëve, të huajve të lindur në Itali dhe të huajve të lindur jashtë. Këta të fundit, në 50,8% të rasteve diplomohen me 60 deri në 70 pikë, përqindje që zbret në 46,8% për të huajt të lindur në Itali e më 39,9% për italianët. Në të kundërt, vetëm 7,2% e të nxënësve të lindur jashtë merr nga 90 pikë deri në 100 e lavdërime, e kjo përqindje ngrihet në 9,1% për të huajt të lindur në Itali e në 13,7% për italianët.

Keti Biçoku

Përtej ngrefjes dhe delirit provincial

Toskanë. “Dhjetë porositë” e Fratelli d’Italia për të huajt: nga “Mos bëj pis” te “Fol italisht”