in

Rreth 135 mijë emigrantë janë kthyer në Shqipëri në vitet 2009-2013

Kthehen nga Greqia e Italia, por edhe nga Gjermania, Anglia e Shtetet e Bashkuara, kryesisht për shkak të krizës e humbjes së vendit të punës 

Tiranë, 7 tetor 2014 – Gjatë periudhës 2009-2013 janë kthyer në Shqipëri 133.544 emigrantë. Janë kryesisht meshkuj (74%), me moshë mesatare 38 vjeç dhe janë kthyer vullnetarisht (94,3%) kryesisht për shkak të krizës e humbjes së vendit të punës e të lejes së qëndrimit.

Këto janë shifrat që jep Instituti i Statistikave, Instat, dhe Organizata Ndërkombëtare për Migracionin, Iom, që prezanton sot në Tiranë një studim të thelluar mbi fenomenin e kthimit të emigrantëve shqiptarë gjatë viteve 2009- 2013.  

Fenomeni i emigrimit në shkallë të gjerë të popullsisë shqiptare, pas rënies së regjimit, ka  qenë në përmasa të papara më parë në nivel kombëtar. Nga ana tjetër, Censusi i Popullsisë dhe  Banesave i vitit 2011 nxorri në dukje jo vetëm një emigracion në vazhdimësi në shkallë të gjerë por gjithashtu edhe një rikthim me përmasa të konsiderueshme.  Këto dy fytyra të emigracionit shqiptar në ditët e sotme shtynë Instat e Iom të bëjnë një studim të thelluar pikërisht për “identifikimin e tipareve të emigrantëve të kthyer, shkaqeve të kthimit si dhe nevojat e tyre pas kthimit, por edhe të problematikave, avantazheve dhe disavantazheve të procesit të kthimit të një pjese të emigrantëve për vendin. Me synimin që ky studim të shërbejë për konceptimin  me efikasitet të politikave të reja apo përshtatjes së politikave ekzistuese për riintegrimin e  emigrantëve të kthyer”.    

Sipas studimit, të kthyerit vijnë nga vendet fqinje ku fluksi i emigrimit ka qenë më i fortë dhe ku është ndier më fort kriza financiare, ekonomike dhe e tregut të punës. Vijnë nga Greqia 70,8% e të kthyerve, nga Italia 23,7%. Por nuk mungojnë të kthyerit nga Gjermania (1,1% e gjithë të kthyerve), nga Anglia (1,6%) apo Shtetet e Bashkuara (0,6%).

Ndër arsyet kryesore të kthimit të kthyerit me dëshirë rendisin në vend të parë humbjen e vendit të punës, por edhe mallin për vendin, problemet familjare, mundësi më të mira punësimi në Shqipëri, plane investimi dhe probleme shëndetësore. Për të dëbuarit, shkaku kryesor ka qenë mungesa e dokumentit të qëndrimit apo refuzimi i kërkesës së azilit.

Studimi vë në dukje se emigrantët e kthyer në shumicë dërrmuese kanë nevojë për trajnime  profesionale në mënyrë që të gjejnë një vend pune, apo që një pjesë e të kthyerve janë me fëmijë në moshë të mitur, fëmijë që kanë nevojë për integrim në sistemin arsimor shqiptar.  Gati gjysma e emigrantëve kanë pasur arsim të mesëm para se të emigronin dhe vetëm  5,1% e tyre kanë kryer studime universitare ose pasuniversitare në vendin e  emigrimit.  

Gjithnjë sipas studimit, pjesa më e madhe e emigrantëve të kthyer  mendojnë se eksperienca e fituar në emigrim përbën avantazh për situatën pas rikthimit  por nga ana tjetër rreth 40% e tyre mendojnë se do të qëndrojnë në Shqipëri  përgjithmonë, ndërsa rreth një e treta e shohin kthimin në Shqipëri si të përkohshëm dhe  synojnë të emigrojnë përsëri.  

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Tri mbytje në pak ditë në Libi, mbi 200 të vdekur

“Mangia banane”. Per l’Uefa fu razzismo: sei mesi di squalifica a Tavecchio