Vetëm gjatë dy vjetëve të fundit kanë marrë shtetësinë italiane rreth 25 mijë shqiptarë. Kjo shifër do të vazhdojë të jetë e lartë edhe në vitet në vijim
Kjo shifër del në shesh nga përpunimi i të dhënave që ka botuar së fundi ISTAT, instituti italian i statistikave. Nga rezultatet e Censimentit 2011 (të mbajtur në vjeshtën e atij viti) rezulton se qytetarët italianë, që në lindje kanë pasur një tjetër shtetësi, ishin 671.394 persona. Nëse kësaj shifre i shtojmë edhe 65.383 persona që e kanë marrë shtetësinë gjatë vitit 2012 e rreth 100,7 mijë që sipas ISTAT-it duhet të kenë marrë shtetësinë gjatë vitit të shkuar (akoma nuk ka të dhëna të sakta e të detajuara për 2013). Të gjithë bashkë kapërcejnë shifrën e 837 mijë. Shifra është e destinuar të vazhdojë të rritet me të paktën 100 mijë në vit edhe katër – pesë vitet e ardhshme. Kjo për pasojë të sanatores 2012 kur qindra mijëra vetë u pajisën me dokumente qëndrimi, nga të cilët – gjithnjë sipas ISTAT-it – mbi 80% vazhdon të qëndrojë rregullisht në Itali. E nëse arrihet të ndryshohet edhe ligji i shtetësisë për brezat e dytë e këtyre t’u jepet më lehtësisht nga sot (me mbarimin e cikli shkollor, për shembull) shifrat mund jetë edhe dy-tre herë më e lartë vitet e para.
Shifra është e konsiderueshme e bëhet veçanërisht interesante në periudha zgjedhjeje, gjë që e pamë edhe me përfshirjen goxha aktive të shqiptarëve në ato të fundit administrative italiane. Nga ana tjetër, gjithnjë sipas ISTAT, më 1 janar 2014, në Itali jetojnë 502.546 shqiptarë. Këta së bashku me ata që kanë marrë tashmë shtetësinë italiane, bëhen 560 mijë, e përbëjnë një fetë të rëndësishme të popullsisë shqiptare, që brenda kufijve të vendit nuk kap as 3 milionë (sipas INSTAT, më 1 janar 2014, Shqipëria ka 2.895.947 banorë), për të cilët klasa politike shqiptare duhet të tregohet më e vëmendshme.
Keti Biçoku
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)