Pas turqve, përbëjnë komunitetin e dytë të të huajve që zgjedhin vendin tonë
Romë, 18 prill 2017 – Gjatë vitit të shkuar në Shqipëri janë lëshuar 3.326 dokumente të reja punësimi dhe për të huajt, ose 6% më shumë se një vit më parë. Sipas Monitor.al, të dhënat zyrtare që ka siguruar nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë tregojnë senuk janë italianët ata që më shumë se të tjerët parapëlqejnë të punojnë në Shqipëri. Vitin e shkuar, shkruan Monitor.al, “shtetasit me origjinë turke zunë 28% të të huajve që kanë zgjedhur të punojnë në vendin tonë vitin e kaluar, ndërsa italianët rreth 23% [as 770 vetë]. … Lista e të huajve të punësuar në vend në 2016-n vijon me shtetasit shqiptarë të Kosovës (7%), por edhe ata kinezë (6%) e grekë (5%). Më të paktë në numër janë ata kanadezë, egjiptianë, maqedonas apo edhe indianë”.
“Në rritjen e numrit të të huajve të punësuar në Shqipëri – shkruan Monitor.al – ka ndikuar padyshim ndërtimi i veprave të mëdha në sektorin e energjisë, siç është gazsjellësi TAP, apo edhe HEC-et mbi lumin Devoll”.
Këto janë shifrat zyrtare që me thënë të vërtetën nuk justifikojnë aspak titullin “Shqipëria “parajsa” e punës e të huajve – Dynden turqit dhe italianët” me të cilin edhe shumë media të tjera shqiptare përcjellin lajmin. Për të kuptuar që nuk mund të flitet për “dyndje” apo për “parajsë” pune është mirë të mbahen parasysh sa mijëra shqiptarë provojnë akoma çdo vit të largohen nga Shqipëria – p.sh 200 mijë aplikuan me lotarinë amerikane e 50 mijë të tjerë provuan të kërkonin strehim në Gjermani vetëm gjatë viti 2015. Që shifrat e italianëve në Shqipëri nuk mund të krahasohen me ato të shqiptarëve në Itali, mjafton të vësh në dukje që vetëm në 2015 këtu lindën mbi 8 mijë fëmijë me të dy prindërit shqiptarë, apo që të njëjtin vit mbi 35 mijë shqiptarë u bënë edhe italianë.
Shqipëria mbetet një vend emigracioni, popullsia e të cilit është plakur e mpakur. Për të qenë optimistë, mund të themi që më 1 janar 2017, për herë të parë pas mëse 15 vjetëve rënie të vazhdueshme të popullsisë, Shqipëria ka pasur 999 banorë më shumë se një vit më parë. Të mjaftojë për të ndërruar edhe në një periudhë afatgjatë prirjen shumëvjeçare? Vështirë ta thuash.
Lexo edhe: INSTAT (dhjetor 2014): “Shqipëria, vend emigrantësh”