in

Rrëzohet një helikopter në Malësinë e Madhe, humbin jetën dy ushtarakë

Donald Hoxha
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm: “Dy pilotët që humbën jetën kishin përvojë të gjatë dhe ishin të trajnuar gjerësisht brenda dhe jashtë vendit”

Togeri Donald HoxhaTiranë, 6 prill 2016 – Një helikopter i ushtrisë është rrëzuar sot në fshatit Grizhë të Malësisë së Madhe. Dy nga tre anëtarët e ekuipazhit, kapiten Florian Deliaj 43 vjeç dhe toger Donald Hoxha 28 vjeç kanë humbur jetën, ndërsa personi i tretë, ushtari Gerald Baramuca është plagosur dhe po trajtohet në spitalin rajonal të Shkodrës.

Ministria e Mbrojtjes nëpërmjet një deklarate për mediat pohon se “sipas planit të fluturimit, helikopteri EC 145, me numër bordi 637, me 3 persona në bord, kapiten Florian Deliaj, toger Donald Hoxha dhe ushtar profesionist Gerald Baramuca, është nisur nga Farka sot në orën 12:10 në një fluturim stërvitor në përputhje me programin e planifikuar dhe miratuar më pare. Në orën 13:45 ka qenë kontakti i fundit që helikopteri ka pasur me Qendrën e Kontrollit dhe Raportimit në Rinas. Pas humbjes së kontaktit, është nisur drejt zonës ku u humb kontakti një helikopter kërkim – shpëtimi”, thuhet në deklaratë.

Po ashtu, konfirmohet se ministrja e Mbrojtjes dhe ministri i Shëndetësisë u nisën drejt Spitalit Rajonal të Shkodrës ku ndodhet ushtari i plagosur.

 

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneralmajor Jeronim Bazo, në një konferencë për mediat u shpreh: “FA kanë humbur dy ushtarakë të devotshëm, dy pilotë të talentuar. Ata kishin përvojë të gjatë dhe ishin të trajnuar gjerësisht brenda dhe jashtë vendit. Gjithmonë kanë qenë të gatshëm të sakrifikojnë për të tjerët e me këtë rast, në emër të ministrisë së Mbrojtjes, Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe të gjithë përsonelit me uniformë ose jo të FA, përcjellim ngushëllimet tona për familjarët e të rënëve në krye të detyrës, ndërkohë që urojmë shërim të shpejtë për të plagosurin”.

“Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm, – vazhdoi ai – kanë angazhuar menjëherë të gjitha burimet në dispozicion për të hedhur dritë mbi rrethanat në të cilat ka ndodhur aksidenti tragjik”.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm ka sqaruar se helikopteri EC 145 ishte futur në përdorim në nëntor të 2015. Fluturimi i sotëm ishte një stervitje ose “udhëtim njohjeje”, pasi këta lloj helikopterësh përdoren për operacion kërkim shpëtimi. Aksidenti ndodhi brenda trajektores së fluturimit që ishte miratuar nga strukturat e posaçme.

 

 

 

Studentët e huaj. Nisin regjistrimet për vitin akademik 2016/2017

Pilotët që humbën jetën shpallen Dëshmorë të Atdheut. Sot homazhet dhe varrimi