in

Rriten me 60-70% çmimet e biletave të avionëve nga Rinasi drejt Italisë

Çmimet e biletave të avionëve të AlItalia-s nga Rinasi drejt qyteteve të ndryshme të Italisë kanë shënuar një rritje të ndjeshme prej 60-70% ditët e fundit. Një biletë vajtje ardhje Tiranë-Romë, nëse e prenoton sot për gushtin 2016 nuk e gjen dot më lirë se 230 euro. Vitin e kaluar e gjeje me 160 euro. Shpjegimi që agjencitë e udhëtimit dhe AlItalia i kanë dhënë revistës shqiptare Monitor

Tiranë, 20 prill 2016 – Nëse do të presësh një biletë tani për të udhëtuar në verë në Romë, apo Milano është vështirë që të gjesh një biletë nën 200 euro (vajtje ardhje), ndërsa drejt Barit e gjen me 180 euro.
Çmimet e biletave të avionëve nga AlItalia drejt Italisë (AlItalia dhe low cost i saj Air One mbulojnë rreth 38% të tregut, ndërsa fluturimet drejt Italisë përbëjnë 60% të të gjitha flutimeve nga e për Rinas) kanë shënuar një rritje të ndjeshme prej 60-70% ditët e fundit. Një biletë vajtje ardhje për Romë, në gusht, që vitin e kaluar e gjeje me 160 euro, nëse e prenoton sot për gushtin 2016 nuk e gjen dot më lirë se 230 euro.
Mesatarisht, sipas të dhënave nga agjencitë e udhëtimit, nga 120-160 euro që ishin çmimet e biletave më parë, për destinacionet e Italisë, tani ato janë mesatarisht 200-240 euro. Këto çmime i gjeni nëse prenotoni tani për pas tre apo katër muajsh. Nëse në korrik do të blesh një biletë për në gusht, me siguri çmimi do të kapërcejë 300 euro.
Revista Monitor bëri një test: prenotoi në internet në faqen e Alitalia një biletë vajtje-ardhje në datat 6-13 gusht. Çmimi minimal që mund të gjesh është 227,30 € (për këtë vendet janë të kufizuara). Një vit më parë, për të njëjtin prenotim në të njëjtën kohë, çmimi maksimal ishte 160 €.
E duhet thënë që edhe pa këtë rritje të fundit, çmimet e biletave të avionëve në vend ishin më të shtrenjtat në rajon.

Çfarë ka ndodhur
Drejtues të agjencive të udhëtimit në Tiranë kanë shpjeguar se që prej dy javësh, AlItalia la rivendosur kontrollin mbi sistemin e rezervimit. Teknikisht kjo nënkupton që agjencitë nuk kanë më mundësi të ndërhyjnë me klasin e udhëtimeve (më parë agjencitë ndërhynin në sistem duke shitur një pjesë të madhe të biletave me klasin më të lirë). Me lëvizjen e fundit, tashmë në klasin më të lirë mund të gjesh vetëm një numër të kufizuar biletash dhe pas shitjes së tyre, çmimet u rikthehen tarifave standarde.
Burime nga AlItalia, të kontaktuara nga Monitor, thanë se AlItalia nuk i ka ndryshuar çmimet, por kanë qenë agjencitë ato që kanë tentuar deri tani të ndërveprojnë me çmimet e AlItalia.
AlItalia rezulton, sipas agjencive, të ketë shkurtuar dhe disa destinacione, si ka hequr fluturimin Rinas-Piza, ndërsa ka një fluturim më pak drejt Milanos.

Çmimet i rrit dhe Blue Panorama
Edhe operatori tjetër që ofron fluturime me kosto të ulët drejt Italisë, Blue Panorama ka rritur çmimet me rreth 20-30%, duke iu afruar 200 eurove, apo dhe ka hequr bagazhet, duke i tarifuar veçmas ato, sipas informacioneve nga agjencitë. Monitor

 

Mbyllja e itinerarit ballkanik nxit trafikimin e njerëzve

Il leghista Buonanno condannato per la frase “Rom, feccia della società”