in

Rrjeti i shqiptarëve në Toskanë pjesëmarrës në Terra Futura 2011

RAT, rrjeti i shqiptarëve në Toskanë do të jetë i pranishëm në edicionin VIII të Terra Futura, një eveniment ndërkombëtar që zhvillohet çdo vit në Firence.

Terra Futura strukturohet në një sërë takimesh, konferencash, stand shoqatash, work shop-e etj, laboratore kulturore dhe spektakël. Organizatat kryesore që e promovojnë janë Arci, Acli, Caritas, Cisl, Legambiente dhe disa nga shoqatat e tjera më të mëdha në Itali të ambientit dhe çështjeve sociale.

Ky eveniment ka lindur me një qëllim fisnik, siç është ai i promovimit të projekteve virtuoze që dinë të gërshetojnë barazinë ekonomike, çështjet mjedisore dhe rëndësinë e marrëdhënieve të shëndetshme njerëzore. Në këtë vitrinë kaq të rëndësishme dhe të sponsorizuar nga institucionet më të rëndësishme italiane, marrin pjesë më shumë se 200 organizata italiane dhe ndërkombëtare. Këtë vit do të marrin pjesë disa nga figurat më në zë të botës së solidaritetit italian.

Në këtë kornizë të rëndësishme, gjendet edhe pjesëmarrja e RAT (Rete albanesi Toscana). Shqiptarët në Toskanë janë më shumë se 67 mijë dhe kontribuojnë në mënyrë domethënëse në të gjitha fushat e jetës, duke nisur që nga sipërmarrjet e deri te studentët që frekuentojnë shkollat dhe universitet toskane. RAT është një shoqatë e nivelit të dytë, që përpiqet të ndihmojë shoqatat që ekzistojnë dhe të hapë seli të rrjetit në ato zona ku komuniteti shqiptar nuk ka një përfaqësim të strukturuar. Krijimi i RAT është një shtysë për t’i dhënë komunitetit shqiptar një strukturim territorial më të pranishëm dhe mbi të gjitha një nivel përfaqësimi në nivel institucional dhe shoqëror sa më të lartë. Në këtë drejtim kanë shkuar të gjitha aktivitetet dhe veprimtaritë e deritanishme, duke nisur nga shoqërimi i presidentit të republikës Topi gjatë vizitës në Toskanë, pjesëmarrja e RAT në Festival dell’Europa mbajtur në Firence, në Biennale della demokracia në Torino, pjesëmarrje në aktivitetet mbi bashkëpunimin me Shqipërinë organizuar nga Regione Toscana, dhe shumë aktivitete të tjera.

Gjatë këtyre muajve, RAT ka ndërtuar bashkëpunime me ACLI Toscana, Avis Toscana, COSPE, OXFAM Italia, Regione Toscana dhe shumë institucione, shoqata italiane të territorit. Gjatë muajve në vazhdim do të inaugurohen selitë e rrjetit në Siena, Pisa, Livorno, Pistoia dhe Firenze.

Ftohen të gjithë shqiptarët në Toskanë që të vizitojnë RAT gjatë 3 ditëve që do të jetë e pranishme në këtë eveniment të rëndësishëm.

Terra Futura si çdo vit zhvillohet në Fortezza da Basso, Firenze, nga data 20 deri në 22 maj. Orari në të cilin na gjeni do të jetë nga ora 11 deri në 13 dhe nga ora 16 deri në 19.

Për më shumë informacione mund të vizitoni sitin www.ratonlus.orgose të shkruani në info@ratonlus.org.

 

Aurela Gaçe nuk kalon në fazën finale të Eurovizion-it

Shqipëria në Sallonin e Librit të Torinos