in

Rrugët e sheshet e Shqipërisë në “Google Street View”

Kompania Google do të fillojë udhëtimet dhe fotografimin e rrugëve të Shqipërisë për të ofruar eksplorim virtual të tyre përmes fotografive panoramike

Nga data 29 prill automjetet e Google-it do të fillojnë eksplorimin e rrugëve kryesore dhe pikave turistike të Shqipërisë për të aktivizuar shërbimin e pamjes virtuale 360 gradë për hartat e Shqipërisë. Projekti “Google Street View” për Shqipërinë, u lancua të mërkurën nga ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito, gjatë një konference për shtyp në mjediset e Kryeministrisë. Ajo tha se ky është një lajm i mirë, që u kurorëzua pas 18 muajsh negociata dhe që, sipas saj, do t’i shërbejë promovimit të turizmit.

Shërbimi “Google Street View”, i nisur në vitin 2007, është i disponueshëm për 76 shtete të ndryshme të botës dhe u mundëson përdoruesve në kompjuter dhe celular të bëjnë një eksplorim virtual të rrugëve përmes fotografive panoramike.

Fotografimi në Shqipëri do të fillojë nga Tirana dhe do të përhapet përgjatë muajve në vazhdim edhe në qytete dhe pika me rëndësi të veçantë turistike. Shërbimi është mjaft i dobishëm për të përcjellë imazhe koherente të peizazhit shqiptar që nga qytetet bregdetare dhe malore deri te trashëgimia kulturore.
Duke qenë se ky shërbim do të transmetojë imazhe nga zonat e populluara të Shqipërisë, të dhënat personale dhe privatësia janë një temë mjaft e ndjeshme. Në këtë aspekt Google është i detyruar të respektojë të gjitha ligjet shqiptare që mbrojnë privatësinë, ndaj dhe imazhet e “Pamje të rrugëve” do të mjegullojnë fytyrat dhe targat e automjeteve.

Pas marrjes së imazheve nga makinat e Google në rrugët shqiptare, do të duhen disa muaj për përpunimin e tyre dhe vënien në dispozicion të përdoruesit e për t’u dhënë atyre mundësinë të shohin fotografi të rrugëve e shesheve të Shqipërisë si kjo e mëposhtmja e marrë nga google maps që tregon sheshin Albania në Romë.

 

Padova. Arrestohet në stacion të trenit me 9 kg marihuanë

Papa Françesku autorizon Lumnimin e 38 martirëve shqiptarë