Konferenca si “Rrugëtimi shqiptar, nga emigracioni në Itali te integrimi evropian” janë skena të shkëlqyera prezantimi të komunitetit shqiptar në Itali, nga të cilat mund të dalin në dritë jo vetëm vlera e shtuar që ky komunitet sjell në zhvillimin e Italisë dhe të Shqipërisë por edhe domosdoshmëria e një vëmendjeje më të madhe ndaj tij nga klasat politike e qeveritëse të të dyja vendeve
Në 29 janar u zhvillua në Romë një konferencë interesante me temën ”Itinerar shqiptar: nga integrimi në Itali në integrimin evropian”. Organizatorë ishin Shoqata kulturore italo – shqiptare Occhio Blu – Anna Cenerini Bova e Agjencia Ndërkombëtare e Negocimit e Ndërmjetësimit EPOS, në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Itali dhe Qendrën e Studimeve e Kërkimeve IDOS. Mbështeste iniciativën Fondacioni MIGRA. Mes pjesëmarrësve ishin ministri shqiptar për diasporën Pandeli Majko, Elly Schlein (zv/presidente e delegacionit në komisionin parlamentar të stabilizim – asocimit BE – Shqipëri) dhe eksponentë të shquar të politikës e kulturës italiane e shqiptare.
Konferenca ndahej në tre sesione, i pari i të cilëve quhej “Kontributi i emigrimit shqiptar në shoqërinë italiane”. Ky ishte sesioni më i pasur me paraqitje të dhënash statistikore, disa prej të cilave ia vlen të kujtohen. Në fund të 2017-s bashkësia shqiptare në Itali përfshin 441.838 rezidentë në këtë vend, shumica në rajonet Lombardia, Toskana e Emilia–Romanja. Të punësuarit e bashkësisë janë 52.6%, të papunët 20.4%. Shumica e të punësuarve punojnë në sektorin e ndërtimit. Në tre vitet e fundit rreth 100.000 shqiptarë kanë marrë shtetësinë italiane. Fatkeqësisht një statistikë negative shënon bashkësinë tonë: në Itali të miturit e huaj të pashoqëruar nga Shqipëria janë 1.630. Shqiptarët janë të katërtit në këtë renditje të pafavorshme. 86.5% e këtyre të miturve janë mbi 16 vjeç. Për 2017-n të dërgesat monetare të çertifikuara (të kryera përmes kanaleve formale të dërgesave) drejt Shqipërisë nga shqiptarët në Itali janë 124 milionë euro.
Ministri Majko theksoi: “Ajo që ka ndodhur me shqiptarët e Italisë mund të konsiderohet një nga eksperienca më të sukseshme të emigracionit në Europën Lindore”.
Integrimi i bashkësisë shqiptare në Itali përbën vërtet një fakt të pamohueshëm. Në këtë proces shembujt e suksesit gërshetohen me atë që mund të quhet normaliteti i të përditshmes, shembuj të panjohur për publikun por që përbëjnë atë që mund ta quajmë një integrim të realizuar. Ekziston gjithashtu edhe një bashkësi jo e pakët italianësh në Shqipëri, me brenda saj 16.000 të punësuar në anën ballkanike të Adriatikut. Mes dy vendeve ekziston një partneritet i ngushtë politik (Roma përbën një avokate të përhershme të Tiranës në rrugën e aderimit në BE) dhe ekonomik.
Sociologu Rando Devole foli për kontributin e shumëllojshëm të emigrimeve në përgjithësi e asaj shqiptare në veçanti brenda shoqërisë italiane. Nuk shpie asgjëkundi trajtimi i emigracionit me një qasje dritëshkurtër sikur të përbënte vetëm një emergjencë sepse ai është një fenomen struktural, pjesë e pashqitshme në shoqëri, ekonomi, kulturë e jetën e përditshme. Kjo njëra anë e çështjes. Nga ana tjetër mungesa strukturale e politikave aktive nga vendi i origjinës në favor të qytetarëve shqiptarë nuk ka kthyer në të shfrytëzueshëm potencialin e tyre dhe nuk ka lehtësuar ecjen e tyre në vendin e mbërritjes, ku çështje të karakterit identitar e kultural, por edhe e drejta e votës e mbrojtja sociale mbeten për t’u trajtuar.
Regjisori Roland Sejko, autor i filmit të sukseshëm “Anija”, u ndal në aspektin njerëzor të marrëdhënies italianë – shqiptarë, duke theksuar se thellimi i njohjes se Shqipërisë prej italianëve vitet e fundit ka ndryshuar në mënyrë pozitive perceptimin e tyre ndaj vendit tonë.
Pjesa e dytë e konferencës ishte “Emigrimet e rikthimit”. Shumë interesant relacioni i Sonila Alushit, presidente e Fondacionit MIGRA. Fokusohej mbi temën e emigrimit rrethor, që konsiston në lëvizjen fluide të personave mes vendeve të ndryshme e që mund të jetë dobiprurës për të gjithë subjektet e përfshirë nëse ndodh vullnetarisht e nëse lidhet me nevojat e tregut të punës si të vendit të origjinës, si të atij të destinacionit. Alushi theksoi se zotërimi i lejeve afatgjata të qendrimit (karta e qendrimit) e njohja e mirë e italishtes nga shqiptarët ka favorizuar ndërshkëmbimin fizik, kulturor e për motive pune mes dy anëve të Adriatikut. Ekzistenca e shoqatave të shumta shqiptare rrëzon konceptin që i sheh shqiptarët si pak të prirur drejt jetës sociale. Duke ofruar arsimim në gjuhën amtare këto shoqata luajnë një rol të pazëvendësueshëm në ruajtjen e gjuhës e kulturës shqiptare.
Pjesa e tretë e aktivitetit kishte temën “Shqipëria dhe Evropa”. Pritet që brenda pak muajsh Brukseli të hapë negociatat e anëtarësimit BE – Shqipëri. Esmeralda Hasani, këshilltare e ministrit Majko dhe pedagoge e së drejtës evropiane, u përqendrua tek dëshira për Evropën të shqiptarëve. Nicola Pedrazzi, kërkues i medias online Osservatorio Balcani e Caucaso Transeuropa, vërejti dy elemente kritike të kronologjisë politike shqiptare. I pari ishte fakti se në 21 korrik 2016 ndryshimet kushtetuese të lidhura me reformimin e drejtësisë kaluan në Parlament me unanimitet të plotë e pas asnjë diskutim, shenjë kjo e imponimit të tyre prej bashkësisë ndërkombëtare. I dyti përbëhet nga abstenimi i lartë në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2017. Duhet shtuar se në këtë abstenim masiv ka ndikuar fort mungesa e së drejtës së votës për shqiptarët jashtë vendit.
Ka mbërritur koha që bashkësia shqIptare të forcojë lidhjet brenda vetes e më pas me atdheun. Ngjitës i fortë i lidhjes me atdheun do të ishte e drejta e votës. Gjithashtu ngjitës të fortë do të ishin edhe të tjera konferenca si kjo, skena përfaqësimi për një komunitet që ndryshon dita ditës dhe për vlerën e shtuar që ofron në zhvilimin e Italisë. Ky komunitet do të donte t’i përqasej Shqipërisë nënë (një vend ky në fazë ndryshimesh të ethshme) në mënyrë më bashkëpunuese edhe në terrenin politik pasi ka mundësuar për dy dekada, përmes të ardhurave prej emigracionit, që vendi amtar të ruante kohezionin e vet social.
Gjergji Kajana
Doktor në Shkenca Politike e Marrëdhënie Ndërkombëtare
In italiano: L’Itinerario dell’integrazione albanese