Me më shumë peshë se gjithë të tjerat, ato të Mbretërisë së Bashkuar, Finlandës dhe Suedisë, me të cilat mund të shëtisësh pa vizë 173 vende të botës, me pasaportën biometrike shqiptare mund të shkosh pa vizë vetëm në 88 vende
Nëse fuqinë e të pasurit pasaportën e një vendi e shohim si mundësi për të shkuar në sa më shumë vende të botës pa pasur nevojë për vizë, më të lumturit duhet të jenë shtetasit e Mbretërisë së Bashkuar, Finlandës dhe Suedisë. Në fakt, sipas revistës amerikane Good Magazine, me pasaportën e këtyre vendeve mund të shëtiten pa problem 173 vende të ndryshme të botës.
Ndërsa me atë të ShBA-së, ashtu si edhe me atë të Gjermanisë, Danimarkës dhe Luksemburgut, “vetëm” 172.
Italia, bashkë me Belgjikën e Holandën renditen në vend të tretë: pasaporta këtyre vendeve lejon lëvizjen e lirë në 171 vende të botës.
E pasaporta jonë bimetrike? Në listën e Good Magazine, Shqipëria renditet në vend të 45-të, bashkë me Grenadës (një ishull i vogël me rreth 105 mijë banorë në detin e Karaibeve), duke qenë se pasaporta jonë lejon lëvizjen pa vizë në 88 vende të botës.
Krahasuar me vendet e rajonit, pasaporta shqiptare është “më e fuqishme” vetëm se ajo e Kosovës, që renditet e gjashta nga fundi i listës, shtetasit e të cilës mund të lëvizin pa vizë vetëm në 38 vende të tjera të botës.
Duke marrë parasysh emigracionin e lartë të shqiptarëve në botë, mund të thuhet pa frikë, se në këtë aspekt, u ka shkuar më mirë shqiptarëve që kanë marrë shtetësinë e Anglisë, Gjermanisë apo ShBA-së, Italisë, Francës apo Spanjës, Austrisë apo Zvicrës, e Greqisë.
Shtetasit me pasaportën “më të dobët” mund të konsiderohen ata të Afganistanit (shkojnë pa vizë vetëm në 28 vende të botës) apo të Irakut (në 31 vende pa vizë).