“Elisir d’Amore”, opera sa e gëzueshme aq edhe prekëse e Donizetti-t, u vu së fundi në skenë në teatrin e Operës së Romës. Kur tenori i ri shqiptar Saimir Pirgu, në rolin e të dashuruarit Nemorino, nis të këndojë atë faqe të shkëlqyer të muzikës botërore, “Una furtiva lagrima”, një heshtje e thellë bie në plate, që më pas shndërrohet në një lumë duartrokitjesh të zjarrta
Saimir Pirgu është një tenor i ri, sot ndër më të njohurit dhe më të kërkuarit në arenën ndërkombëtare. I lindur në Elbasan më 1981-shin, i diplomuar për violinë në liceun artistik Jordan Misja në Tiranë, vjen në Itali, i bindur të mos kthehet mbrapsht sido që t’i shkojnë punët.
Si shumë emigrantë shqiptarë fillimisht bën punë nga më të ndryshmet, por për pak kohë fatmirësisht. Sepse pasi ndjek një koncert të Tre Tenorëve – Pavarotti, Domingo e Carreras – vendos të ndërmarrë rrugën e Këngëtarit lirik. Nis studimet për kanto, dhe diplomohet në Konservatorin e Claudio Monteverdi në Bolzano.
Saimiri i prezantohet Pavarotti-t si tenor i ri premtues dhe nga ai çast, falë zërit të tij dhe asaj që arrin t’i “vjedhë” në profesion mjeshtrit të madh, edhe pse në moshë mjaft të re, bëhet ndër emrat e famshëm të lirikës.
Sot, repertori i tij është pasuruar me shumë ndër personazhet më të bukura të operave. Nga Duka e Mantovës së Rigoletto-s te Alfredo i La Traviata-s së Verdit, nga Rodolfo i La Boheme-s te Rinuccio i Gianni Schicchi-t të Puccinit, nga Ferrando i Così fan tutte te Don Ottavio i Don Giovanni-t të Moxartit, nga Edgardo i Lucia di Lammermoor të Nemorino i Elisir d’Amore të Donizetti-t; sa për të përmendur disa ndër rolet e luajtura prej tij.
Brenda pak viteve, Saimiri është ngjitur në skenat e teatrove të Operës më të mëdha të botës: nga La Scala e Milanos në Berlin Staatsoper dhe Wiener Staatsoper e Vienës, nga Royal Oper Hause Covent Garden e Londrës në Metropolitan të Nju Jorkut.
Në karrierën e tij është drejtuar nga dirigjentë prestigjiozë si Claudio Abbado, Lorin Maazel, Daniele Gatti, Seiji Ozawa, Franz Welser Möst, Gustav Kuhn, James Colon, Antonio Pappano dhe Nikolaus Harnoncourt. Madje ka pasur edhe një periudhë “hollivudiane”: ka debutuar në rolin e Rinuccio-s në operën Gianni Schicchi në Los Angeles Opera nën regjinë e Woody Allen-it. “Një përvojë interesante dhe me vizibilitetit mediatik” siç e quan ai vetë bashkëpunimin me regjisorin e madh të kinematografisë.
Me Saimirin takohemi në Teatrin e Operës së Romës, ku për pesë net kënaq publikun dhe kritikën në rolin e Nemorinos, fshatarit të ri të dashuruar pas Adinës së bukur, në operën Elisir d’Amore. Saimiri flet për karrierën, pasionin e tij për kanton, për personazhet që ka më shumë për zemër, për rolet, shpesh të marra falë zotësisë, e ndonjëherë falë fatit, për miqësinë me maestron Pavarotti dhe si ka njohur Woody Allen-in. Tregon për jetën e tij prej migranti “luksoz”, që shkon të këndojë nga një teatër në tjetrin në mbarë botën. Dhe për ëndrrat për të ardhmen.
Menjëherë pas intervistës, vesh rrobat e Nemorinos dhe del në skenë. Dhe nga fundi i aktit të dytë mrekullon sallën me arien “Una furtiva lagrima”, ndër më të pëlqyerat e Pavarotti-t. Duartrokitjet e zjarrta të publikut e detyrojnë ta këndojë dy herë. Që nuk ndodh shpesh në një operë.
(Vijon intervista)
Keti Biçoku, Bota Shqiptare 255, 15-23 mars 2011