in

Sali Berisha përjashtohet për 10 ditë nga Kuvendi për fjalor të ulët

Ndërsa të gjithë kanë përqendruar vëmnedjen në Lazarat, në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë ka ndodhur diçka e shëmtuar, fatkeqësisht, jo për herë të parë. Ish kryeministri Sali Berisha, sot ka shkuar përtej akuzave ndaj anëtarëve të mazhorancës për lidhje me krimin e drogën. Berisha ka përdorur fjalët “kurvë” e “prostitutë” për Ajola Xoxen, bashkëshorten e ministrit Erion Veliaj, duke thënë se kështu e kishte cilësuar atë në një darkë kryeministri Edi Rama.

Nuk është herë e parë që Berisha ofendon me të tilla fjalë familjaret e kundërshtarëve të vet politikë: para disa vjetëve kishte në shënjestër të sharjeve motrën e nënën e Taulant Ballës, por atëherë ishte kryetare Topalli, që as vërejtje nuk i tërhoqi Berishës për fjalorin e papërshtatshëm për foltoren e Kuvendit, por përjashtoi për 15 ditë Ballën duke dhënë urdhër “ta kapnin për zhelesh” e ta nxirrnin jashtë.

Kryetari i kuvendit Meta, që i lejon Berishës zakonisht të flasë sa të mundet e nuk ia pret fjalën edhe pas përfundimit të kohës në dispozicion, këtë radhë ka kërkuar ndërprerjen e seancës për 15 minuta, ka mbledhur Byronë parlamentare e cila ka vendosur pezullimin e Berishës nga punimet e kuvendit: “Duke u nisur nga fyerjet e papranueshme, me kërkesën e krerëve të grupit parlamentar të PS-së dhe LSI-së, mblodhëm Byronë e Kuvendit dhe vendosëm pezullimin 10-ditor nga punimet e Kuvendit të deputetit Sali Berisha”.

Ragon Ajola Xoxa: Neveri e papërshkueshme për nivelin e shpifjes që mund të arrijë Berisha, që ka moshën e tim gjyshi

Ka reaguar menjëherë Ajola Xoxa, bashkëshortja e ministrit Erion Veliaj, duke u shprehur se ndien neveri ndaj fjalëve të përdorura nga një person i moshuar dhe duke mohuar në mënyrë kategorike që kryeministri Rama ta ketë fyer.

“Me ka kapur nje neveri e papershkrueshme per nivelin e shpifjes qe mund te arrije Berisha! Meqe isha ne ate darke, dua te deklaroj publikisht se kurre, kurre ne jete Kryeministri Rama nuk ka perdorur ndonje fjale fyese ndaj meje, as edhe nje here! Perkundrazi, kam patur vecse respekt prej tij. Sa turp qe nje burre ne moshen e tim gjyshi genjen dhe shpif kaq pa cipe! TURP!” shkruan ajo në profilin e saj Facebook.

Veliaj: Taksirat i shqiptarëve që u duhet të durojnë Berishën

Pas ofendimit të bërë nga ish-Kryeministri Sali Berisha kundrejt gruas së tij, Erion Veliaj ka reaguar menjeherë. “Unë jam shumë krenar për gruan time Arjolën, është një vajzë e shkëlqyer, unë mundohem të bëj krenare nënën dhe gruan time” është shprehur ai. “Kam bërë një betim pubik, që unë nuk merrem me familjet e të tjerëve, refuzoj të bëhem pjesë e një kulture, ku të gjithë inkurajohen të merren me gratë e të tjerëve. Belaja e grave të këtij vendi është se kanë Saliun që merret me gratë e të gjithëve. – ka vazhduar – Zoti ia shtoftë jetën që ta kuptojmë këtë palaço dhe se prej kujt duhet të distancohemi. Berisha, edhe pse ka zbritur në qytet, ai nuk i kuptoi kurrë rregullat e qytetit, nuk u bë kurrë fisnik, nuk diti kurrë të largohet me dinjitet edhe kur humbet, dhe ky është një çmim që e paguajmë të gjithë si shoqëri. …Është taksirati ynë që të dëgjojmë një palaço, vesi del me shpirtin dhe do të duhet ta durojmë”.

Berisha nuk tërheq as presjen

Në një konferencë për shtyp të thirrur në orën 14:00, Sali Berisha nuk i tërhoqi fjalët e tij, por këmbënguli se kish sjellë në Parlament veç fjalët e kryeministrit: “Rasti i sotëm ishte dramatik. Siç është marrë vesh nga mediat, në një darkë private, pasi shpërtheu ndaj Adi Krastës, dy zonja të pranishme në darkë hynë për të qetësuar situatën. Ai i shau këto zonja dhe burrat ulën kokën pa thënë asgjë. Do i them Edi Ramës: fjalët që i ka thënë atyre t’i mbash për vete! Një ofendim i tillë publik ndaj një zonje nuk duhet bërë kurrë! Sa herë që të desekuilibrohet, unë do ja kthej në fytyrë Ramës, në emër të atij që nuk flet dot. Do mbroj dinjitetin e qytetarëve të shkelmuar nga kryeministri”.

“Edvin Rama, një neo-bllokmen, zgjodhi të më përjashtojë nga Parlamenti, – shtoi – por unë do e mbroj të vërtetën me vendosmërinë më të madhe. Në Parlament ka pasur incidente më të rënda se i sotmi, sharje brutale ndaj deputeteve të opozitës dhe përdorim kaishi, por asgjë nuk ka ndodhur”.

 

Corriere della Sera: “Policia rrethon fshatin e marihuanës: beteja drejtpërdrejt në TV”

Policia merr Lazaratin: deri tani 15 arrestime, mbi 23 tonë kanabis i asgjësuar