in

Salvini: “Lega? E vetmja forcë antiraciste!”

Eurodeputeti i Legës: “Racist është ai që lejon të vijnë në Itali shumë të papunë të rinj”. Ndërsa ai propozonte vende të metrosë të rezervuara për milanezët

Romë 20 mars 2012 – Lega e Veriut po kalon një çast të vështirë, nuk është në Qeveri e nuk është e bashkuar. Dhe nuk duket shumë normale që vetëm pak ditë pasi Roberto Maroni thotë hapur “me racizmin e kemi tepruar pak”, një tjetër eksponent i Legës thotë krejt të kundërtën, që partia e tij është forca e vetme antiraciste.

Sofisti është Matteo Salvini, europarlamentar dhe kryetar i grupit legist në Komunën e Milanos, që i intervistuar të hënën nga Affaritaliani.it argumenton: “Duke pasur parasysh çastin ekonomik mendoj se racistët janë ata që duan të sjellin në Itali mijëra e mijëra të papunë të rinj. Ndërmarrjet po nxjerrin nga puna italianë e të huaj dhe të kërkosh të sjellësh emigrantë të rinj do të thotë t’i bësh dhuratë kriminalitetit dhe punës në të zezë. Racistët janë të ashtuquajturit të mirët dhe mikpritësit”.

Për Salvinin duhet “të integrohen të huajt që gjenden në vendin tonë: ata që ndodhen këtu me lejeqëndrim dhe punojnë i kanë të gjitha të drejtat e detyrimet e italianëve ndërsa klandestinët duhet të kthehen mbrapsht”. Deri këtu asgjë e re, edhe pse, për të mbetur në temën e të drejtave, legisti thekson kundërshtinë e tij ndaj reformës së shtetësisë dhe për të drejtën e votës: “Nuk pranohen rrugët e shkurtra, duhet të arrijnë pas një rrugëtimi integrimi dhe nuk fitohen në Këndin e Lojërave”.

Europarlamentari thotë se i trembet qeverisë së re sepse “me ministrin e Integrimit Riccrdi, do të lërë gjurmë shumë të këqija pasi do të përhapin fjalën se këtu ka vend për të gjithë duke u sjellë dëm edhe shumë të huajve që jetojnë në Itali”. E nga këto arsyetime arrin në përfundimin: “Mendoj se e vetmja forcë vërtet antiraciste në Parlament është Lega e Veriut”.

E nëse ndonjë e ka harruar, Matteo Salvini është ai që propozoi që të rezervoheshin vende për milanezët në vagonët e metrosë së kryeqendrës lombarde.

EP

I dëshpëruar tenton t’i vërë flakën vetes para syve të kryetarit të bashkisë

KE: “Të burgosurit në Shqipëri keqtrajtohen e jetojnë në kushte të vështira materiale”