Portieri i kombëtares shqiptare Samir Ujkani është zyrtarisht në radhët e klubit sportiv Chievo të Veronës. Ai mbërrin në këtë skuadër nga Palermo ku ka luajtur nga fillimi i këtij kampionati.
Ujkani ka lindur në Resnik të Kosovës më 5 korrik 1988.Gjashtë vjeç është transferuar me prindërit në Belgjikë ku ka nisur të luajë futboll.
Në vitin 2007 ka nënshkruar një kontratë pesëvjeçare me Palermon, por në korrik 2009 kalon me Novarën ku ka sukses: luan për tre sezone në 83 ndeshje, e bëhet pikë referimi i klubit piemontez, me të cilin kalon nga Seria C në serinë A.
Ndeshjen e parë në Serie A e ka luajtur me fanellën e Novarës, dhe pikërisht kundër Chievos (ndeshja përfundoi 2-2), në ditën e parë të kampionatit 2011-2012.
Verën e shkuar u kthye sërish në klubin sicilian me të cilin ka luajtur në të gjitha ndeshjet e fazës së parë të këtij kampionati.
Nesër klubi i Chievos do të prezantojë Ujkanin në një konferencë shtypi në Parc Hotel të Peschiera në orën 13.30.