Kush ka paguar njëmijë eurot brenda 15 tetorit 2012 e nuk ka nisur kërkesën mund të përpilojë e të nisë on-line formularët. Deri më 31 janar 2013
Romë, 27 janar 2013 – Thirrja e fundit për sanatoren. Por vetëm për familjet e ndërmarrjet që kanë derdhur me një F24 kontributin prej njëmijë eurosh për procedurën e legalizimit, por që më pas nuk kanë nisur kërkesën online.
Janë disa mijëra rastet e këtij lloji, dhe ajo pagesë, shpjegoi një qarkore e ministrisë së Brendshme dhjetorin e shkuar, “mund të konsiderohet manifestim i shprehur i punëdhënësit për të proceduar me legalizimin e marrëdhënies së punës me shtetasin e huaj”.
Ministria e Brendshme ka vendosur kështu t’u japë një mundësi të gjithë atyre që janë në këto kushte, duke u lejuar të paraqesin kërkesën e legalizimit. Deri më 31 janar do të mund të përpilojnë on-line kërkesën dhe ta nisin përmes faqeve internet https://nullaostalavoro.interno.it pa pasur nevojë të regjistrohen më parë.
Për t’u futur në sistem duhet të fusin në fushën ‘mail utente’ kodin fiskal apo partita IVA të punëdhënësit siç kanë deklaruar në F24, ndërsa në fushën ‘password’ numrin e dokumentit identifikues të punonjësit i pranishëm edhe ky në F24. Pasi hyjnë në sistem do të kenë në dispozicion formularët EM-DOM për bashkëpunëtorët shtëpiakë dhe EM-SUB për punonjësit e varur.
Është e udhës të theksohet që kjo mundësi e re është vetëm për punëdhënësit që kanë derdhur njëmijë eurot brenda 15 tetorit, për të gjithë të tjerët sanatoria është tashmë e mbyllur. Për më tepër, Agjencia e Tatim taksave ka hequr kodet e nevojshme për derdhjen e shumës forfetare të sanatores.
Elvio Pasca