Ndërsa kanë kaluar dhjetë ditë nga e para e mundshme për të paraqitur kërkesë për legalizimin e punonjësve të huaj, sanatoria vazhdon të shkojë përpara ngadalë, me një mesatare kërkesash as 3 mijë në ditë. Deri tani vetëm 532 kërkesa për shqiptarë
Romë, 26 shtator 2012 – Gjithnjë e më e ngadaltë sanatoria e këtij viti. Sipas të dhënave më të fundit të ministrisë së Brendshme, të orës 18.00 të 25 shtatorit, janë nisur 28.214 kërkesa, nga të cilat vetëm 532 për legalizim punonjësish shqiptarë.
Pjesa dërrmuese e kërkesave vazhdon të jetë për punë shtëpiake – më pak e kushtueshme, e më pak e ndërlikuar se kërkesa për punonjësit e varur – dhe vetëm 3.243 janë për legalizimin e punonjësve të varur. Për shqiptarët, komunitet që nuk shquhet për punonjës shtëpiakë, edhe pse nën mesatare, gjithsesi mbetet shumë e lartë kuota e kërkesave të legalizimit të bashkëpunëtorëve shtëpiakë 390 kundrejt 142 kërkesave për punë të varur.
Të huajt me kërkesa më të shumta legalizimi janë ata që vijnë nga Bangladeshi, India, Maroku dhe Egjipti. Provincat me më shumë kërkesa legalizimi janë Milano (4.278 kërkesa) Roma (3.352) dhe Napoli (3.101).
Krahasuar me sanatoren e vitit 2009 që ishte vetëm për bashkëpunëtore shtëpiake, kërkesat e të cilës u paraqitën nga 1 shtatori deri më 30 shtator 2009, kjo e këtij viti ka nisur edhe më ngadalë se ajo. Asokohe, një javë nga nisja e legalizimit (në orën 13 të 8 shtatorit 2009) ishin paraqitur 38.424 kërkesa legalizimi. Edhe ajo sanatore nisi ngadalë, por sidoqoftë më shpejt se kjo e tanishmja, por deri në orën 24.00 të datës 30 shtator 2009 kur u mbyll, u paraqitën 294.744 kërkesa për legalizimin e bashkëpunëtoreve familjare. Edhe atëherë, provincat me më shumë kërkesa ishin Milano (14,72%), Roma (10,87%), Napoli (8,25%), Brescia (3,81%). Përsa u përket kombësive të punonjësve për të cilët u kërkua legalizimi, një e katërta e tyre ishin nga Ukraina dhe Maroku. Për shqiptarë asokohe u paraqitën vetëm 3,78% e kërkesave apo e thënë ndryshe, për 11.147 bashkëpunëtorë familjarë shqiptarë.
Si do të vejë kjo e këtij viti? Bien të gjithë dakord në mendimin se kostoja e lartë e legalizimit në një periudhë të tillë krize si kjo që po kalon Italia do të pengojë legalizimet e mijëra punonjësve që do të vazhdojnë të mbeten në hije. Nga ana tjetër, e pranojnë të gjithë se vetëm sqarimet mbi provën e pranisë, zgjerimi i kategorisë së “organizmave publikë” nga duhet të vijë dëshmija e qëndrimit në Itali, mund t’i japin një hov sanatores e të rrisin numrin e kërkesave në gjymën e parë të tetorit (kërkesat e legalizimit mund të paraqiten deri në orën 24.00 të 15 tetorit). Me ritmet e deritanishme, sanatoria është vërtet një dështim, qoftë për arkat e shtetit qoftë për ata qindra mijëra të huaj që tek sanatoria shohin të vetmen shpresë për të dalë në dritë.
Keti Biçoku
Të gjitha tabelat e ministrisë së Brendshme të përditësuara në orën 18.00 të 25 shtatorit 2012