in

Sanatoria më e thjeshtë. Ja çfarë ndryshon

Hyjnë në fuqi normat e Dekretit të Punës. Risi edhe mbi vlerësimin e të ardhurave, certifikatave mjekësore dhe përshtatshmërinë e strehimit. Udhëzimet e ministrive të Brendshme dhe të Punës

Romë, 12 korrik 2013 – Sanatoria, që deri më sot ka rezultuar dorështrënguar në lejeqëndrime, zgjeron disi kufijtë e saj. Mes risive legjislative dhe procedurave të reja u jep ndonjë shpresë më shumë punonjësve të huaj që duan të legalizojnë qëndrimin e tyre në Itali.

Gjithçka shpjegohet në një qarkore të përbashkët të dërguar Prefekturave dhe Drejtorive Territoriale të Punës nga ministria e Brendshme dhe ajo e Punës më 10 korrik.

Para së gjithash ndërhyhet në të ashtuquajturat “lista të zeza” në të cilat kishin përfunduar punëdhënësit që në të shkuarën kishin paraqitur kërkesa fluksesh apo senatoresh pa i përmbyllur me punësimin e të huajve. Deri më tani, kujt gjendej në këtë situatë, automatikisht i hidhej poshtë me një mendim negativ nga Drejtoria Territoriale e Punës (DTL) kërkesa e sanatores e paraqitur nga 15 shtatori deri më 15 tetorin e vitit të shkuar.

Qarkorja udhëzon që punëdhënësve t’u kërkohen shpjegime për këto sjellje dhe të vlerësohen “rast pas rasti” justifikimet e tyre, duke u bazuar në “parimet e arsyeshmërisë dhe të mirëbesimit”. DTL do t’i rivlerësojnë e do të mund edhe të modifikojnë një mendim të shprehur më parë.

Në qarkore sqarohen edhe risitë e sjella së fundi me Dekretin e Punës (dekretligji 76/2013).

Nëse kërkesa hidhet poshtë “për shkaqe që lidhen në mënyrë ekskluzive me punëdhënësin” por është paguar kontributi prej 1.000 eurosh dhe taksat e kontributet e prapambetura dhe nëse punonjësi sidoqoftë mund të provojë praninë e tij në Itali që në vitin 2011, këtij i lëshohet “një leje qëndrimi për pritje punësimi” me kohëzgjatje njëvjeçare. Rregulli vlen edhe për kërkesat e hedhura poshtë gjatë muajve të mëparshëm, kështu që sot Sportelet Unike duhet të thërrasin punonjësit sërish, një gjë që nuk duket aspak e lehtë, pasi shumë prej tyre, duke qenë të paligjshëm mund të kenë humbur gjurmët.

Gjithnjë në bazë të atij dekreti, edhe nëse marrëdhënia e punës është mbyllur para thirrjes në Sportelin Unik për Imigracionin, punonjësi mund të marrë një leje qëndrimi për pritje punësimi. E nëse kur të shoje në Kuesturë të lërë shenjat e gishtërinjve do të ketë gjetur një punë të re, duke paraqitur një kopje të komunikimit të punësimit, “do të mund të marrë drejtpërdrejt një leje qëndrimi për punë të varur”.

Bëhet më elastik edhe vlerësimi i të ardhurave e atyre që kanë kërkuar legalizimin e bashkëpunëtorëve shtëpiakë. Kur çohen “të ardhurat e përbashkëta të disa familjarëve” dhe DTL ka shprehur një mendim pozitiv me rezervë sepse has vështirësi në verifikim, Sporteli Unik do të mund të kontrollojë dokumentacionin e paraqitur në një çast të dytë, dhe mundësisht të heqë rezervën. Për më tepër, në rastin e punësimit të dy a më shumë bashkëpunëtorëve familjarë, nuk duhet bërë “shumëzimi aritmetik i të ardhurave (shembull: 20 mijë për një bashkëpunëtor, 40 mijë për dy bashkëpunëtorë), por DTL duhet të vlerësojë rast pas rasti situatën e të ardhurave të përgjithshme të punëdhënësit”.

Për legalizimin e një a më shumë kujdestareve (badante), rast në të cilin nuk parashikohet një kufi minimal të ardhurash, nevoja e asistencës mund të dokumentohet qoftë me një “dokument njohjeje të invaliditetit civil”, qoftë me një dëshmi të lëshuar nga mjeku i familjes i regjistruar në Shërbimin Shëndetësor Italian. Në mungesë të kësaj certifikate, duhet bërë vlerësimi i të ardhurave të punëdhënësit.

Së fundi, hiqet një tjetër pengesë. “Mungesa e përshtatshmërisë së strehimit – shpjegohet në qarkore – nuk mund të jetë penguese për procedurën e legalizimit”. Ky dokument duhet kërkuar, “por mungesa vetëm e tij nuk mund të konsiderohet motiv për kthimin mbrapsht të praktikës”. Me pak fjalë, nëse përmbushen të gjitha kushtet e tjera të parashikuara nga ligji, por punonjësi jeton në një shtëpi shumë të vogël, ky ka gjithsesi të drejtë të fusë në xhep lejen e qëndrimit.

Elvio Pasca

Shkarko: Circolare congiunta Interno/Lavoro prot. nr. 4417 del 10.07.2013. Oggetto: Emersione dal lavoro irregolare D. Lgs. 109/2012. Chiarimenti su taluni aspetti della procedura e applicazione del DL 28 giugno 2013 n. 76 “Primi interventi urgenti per la promozione dell’occupazione, in particolare giovanile, della coesione sociale, nonché in materia di imposta sul valore aggiunto (IVA) e altre misure finanziarie urgenti”

Kabatronics, Fanfara Tirana takon Transglobal Underground

Punësimi i emigrantëve në administratën publike. Senati thotë “Po”, radhën e ka Dhoma e Deputetëve