Këtë shifër ka dhënë në Dhomën e Deputetëve ministri i Integrimit Andrea Riccardi i thirrur në seancë dëgjimore për t’iu përgjigjur pyetjeve të Legës së Veriut mbi këtë pikë
Romë, 2 gusht 2012 – “Në bazë të të dhënave që zotërojmë, përfshirë ato tëë censusit të fundit të ISTAT-it, qeveria mendon se janë rreth 150 mijë”, të huajt që mund të përfitojnë nga legalizimi i marrëdhënies së punës dhe për rrjedhojë të marrin lejen e qëndrimit, masë e parashikuar nga dekreti legjislativ që sjell në fuqi norma të reja lidhur me ashpërsimin e dënimeve e sanksioneve për punëdhënësit që punësojnë të huaj me qëndrim të parregullt në Itali. Këtë referon në Dhomën e Deputetëve Andrea Riccardi duke iu përgjigjur Legës së Veriut.
Për më tepër, Riccardi sqaron se “norma ligjore e legalizimit u pretendua nga Dhoma e Deputetëve dhe Senati. Qeveria pranoi dhe shtoi në mënyrë të plotë në tekstin e dekretit të saj mendimin e shprehur në Senat më 5 qershor 2012 të votuar në unanimitet, pra edhe nga grupi i Legës së Veriut. Kjo ishte padyshim diçka pozitive, sepse në këtë mënyrë parlamenti pretendoi një normë kalimtare në favor të punëdhënësve, për t’u lejuar atyre legalizimin e marrëdhënies së punës së parregullt (kundrejt një pagese), përpara se të futen në fuqi rregullat e Bashkimit Europian kundër punës në të zezë të imigrantëve klandestinë apo të parregullt”.
Ministri ka vënë në dukje se “qoftë parlamentit qoftë qeverisë iu duk e udhës t’u jepnin një mundësi punëdhënësve për t’u vënë në rregull me ligjin para se ky i fundit t’i godasë rëndë. E kjo gjë aplikohet në Itali edhe në sektorë të tjerë, si ai fiskal për shembull”.
Së fundi ministri sqaron edhe që legalizimi nuk është thirrje për emigrantë të parregullt sepse do të mund të përfitojnë leje qëndrimi ata që, jo vetëm punojnë, por që “arrijnë të tregojnë praninë e tyre në territorin italian nga 31 dhjetori 2011, me dokumentacion të dalë nga një organizëm publik”.