in

Sanatoria. Regjistrim në Shërbimin shëndetësor për të huajt e parregullt në pritje të legalizimit

Punonjësit për të cilët është paraqitur kërkesë legalizimi trajtohen njësoj si ata që e kanë në xhep lejen e qëndrimit. Udhëzimet e ministrisë së Brendshme

Romë, 29 tetor 2012 – Njëqind e tridhjetë mijë punonjësit  huaj për të cilët familjet e ndërmarrjet kanë paraqitur kërkesë legalizimi (nga 15 shtatori deri më 15 tetor 2012) mund të regjistrohen që tani në Shërbimin Shëndetësor Kombëtar (SSN). Lajmi mbërrin nga ministria e Brendshme që sqaron se shërbimet për të cilat të huajt mund të kenë nevojë janë të mbuluara financiarisht. Një pjesë e 1.000 eurove të paguara si kontribut forfetar nga punëdhënësit (me thënë të vërtetën, edhe nga vetë punonjësit), si edhe e kontributeve të muajve të shkuar dhe të atyre në vazhdim, që do të hyjnë në arkat e INPS-it falë sanatores, do të shërbejnë për të përballuar impaktin që këta të huaj do të kenë mbi Shëndetësinë publike. Kjo shumë, kujton ministria e Brendshme në një qarkore të nisur më 25 tetor të gjitha Prefekturave, përllogaritet të jetë rreth 43 milionë euro për vitin 2012, dhe 130 milionë euro nga viti i ardhshëm.

“Pagimi i kontributeve, i sigurimeve shoqërore dhe regjistrimi në SSN marrin një rëndësi të veçantë veçanërisht në rastin e nevojës së certifikatës mjekësore dhe për kompensimin përkatës të sëmundjes të paguar nga INPS” nënvizon qarkorja. Që nuk harron të kujtojë se deri në përfundimin e procedurës së legalizimit, punonjësi i huaj nuk mund të dëbohet nga Italia.

Kështu, përfundon drejtori i përgjithshëm për politikat e Imigracionit dhe të Azilit, Angelo Malandrino, “shtetasit e huaj për të cilët është paraqitur kërkesë legalizimi konsiderohen njësoj si të gjithë të tjerët për të cilët është i detyrueshëm shërbimi shëndetësor sipas nenit 34 të Tekstit Unik mbi imigracionin [pra, punonjësit e huaj me qëndrim të rregullt, shën. red.] dhe për këtë arsye mund të regjistrohen në Shërbimin Shëndetësor Kombëtar”.

Meqë të huajt për të cilët është bërë kërkesë sanatoreje nuk kanë kod fiskal dhe do ta marrin një të tillë vetëm kur të thirren në Sportelin Unik për Imigracionin, ministria sheh të udhës që ata të marrin asistencën shëndetësore si “të huaj përkohësisht të pranishëm”, ndërsa për lëshimin e librezës së mirëfilltë shëndetësore duhet të presin kodin fiskal.

Po ata që e kanë kodin fiskal, për shembull, sepse në të shkuarën kanë qenë me qëndrim të rregullt në Itali apo ishin titullarë të një dokumenti qëndrimi që nuk u lejonte të punonin? Sipas ministrisë “mund të regjistrohen drejtpërdrejt në shërbimin shëndetësor kombëtar”.

“Ky dallim bëhet për të shmangur teknikisht mungesën e kodit fiskal” komenton avokatja Mascia Salvatore, eksperte ligjore e Stranieriinitalia.it. “Është e qartë që, edhe nëse regjistrohen me kodin Stp, “të huaj përkohësisht të pranishëm”, punonjësit e huaj në pritje të sanatores do të kenë të njëjtat shërbime të parashikuara për ata që kanë në xhep lejen e qëndrimit”.

Elvio Pasca

Shkarko qarkoren e ministrisë së Brendshme

Mbi të njëjtën temë: Speciale sanatoria 2012

Brescia E shtypin dhe nuk i japin ndihmë. Në gjendje shumë të rëndë 23 vjeçari

Sigurimet e makinave. Zhduket një tjetër tarifë ‘etnike’