in

Sigurimet e makinave. Zhduket një tjetër tarifë ‘etnike’

Edhe Admiral Insurance heq rritjet e çmimeve të parashikuara për emigrantët në timon. Arrihet një marrëveshje jashtë gjyqësore me shoqatën ASGI, që e kishte hedhur në gjyq për diskriminim

Romë, 29 tetor 2012 – Në përllogaritjen e çmimit të sigurimit të makinës, RC Auto, kombësia nuk duhet të ketë asnjë ndikim. Kjo që duket një normë e thjeshtë antiraciste po kthehet më në fund në rutinë për shoqëritë e sigurimeve. Shpesh kur kërcënohen të dënohen nga ndonjë gjykatë.

Rasti i fundit është ai i kompanisë Admiral Insurance Company Limited (Grupi EUI Limited, që shet sigurime RC Auto përmes faqeve internet Conte.it), kundër të cilës ngriti padi në Romë Shoqata e Studimeve Juridike mbi Imigracionin ASGI. Në fakt, kompania ngrinte çmimin në qiell kur preventivin e kërkonin të huajt, që sipas shoqërive të sigurimeve të makinave konsiderohen shpesh me rrezikshmëri më të lartë aksidentesh se italianët.

Praktikë kjo e censuruar nga Zyra Kombëtare Kundër diskriminimeve Raciale, UNAR, dhe deri më sot sa herë çështja është çuar në gjykatë, kompanitë kanë parapëlqyer të zhdukin tarifat ‘etnike’ për të shmangur dënimet e mundshme. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në rastin e fundit, kur Admiral ka bërë prapakthehu.

“Shoqata e Studimeve Juridike mbi Imigracionin (ASGI) dhe shoqëria e ndërmjetësimit EUI Limited – lexohet në komunikatën e përbashkët të nxjerrë më 23 tetor – kanë rënë dakord t’i kërkojnë Gjykatësit të mbyllë çështjen dhe të pranojë rënien e kauzës së gjyqit”. Për arsye se “Kompania Admiral Insurance Company Limited (përgjegjëse për tarifën RC Auto), që nga maji i vitit 2012 ka përjashtuar shtetësinë nga kriteret e përllogaritjes së tarifës RC Auto në respektim të parimit të mos-diskriminimit.

ASGI uron që shembulli të ndiqet edhe nga “të gjitha kompanitë që akoma vazhdojnë të përdorin, në formimin e tarifës, kriterin e shtetësisë, me qëllim që të arrihet sa më shpejt njëtrajtueshmëri sjelljesh që të garantojë respektimin e plotë të parimit të barazisë dhe të mos diskriminimit mes italianëve dhe të huajve”. Është akoma i hapur, për shembull, një gjyq i ngjashëm që shoqata ka ngritur në gjykatën e Bolonjës kundër kompanisë siguruese on-line Linear (Grupi UNIPOL).

Për kompanitë e sigurimeve, imigrantët përbëjnë një fetë të rëndësishme klientele. Sipas të dhënave të ministrisë së Transporteve, në Itali ka 2,6 milionë patenta dhe 3 milionë mjete udhëtimi (2,7 milionë makina, mëse 250 mijë motoçikleta) në dorë të personave që kanë lindur tjetërkund.

EP

Sanatoria. Regjistrim në Shërbimin shëndetësor për të huajt e parregullt në pritje të legalizimit

Sanatoria. Për patronatet “u përjashtua treçereku i të interesuarve”