in

Santanché pas tragjedisë së migrantëve: “Të fundosim anijet, si në Shqipëri”

Deputetja e Forza Italia-s pas mbytjes së mëse 700 migrantëve në Kanalin e Sicilisë: “të fundosen anijet para se të mund të nisen në drejtim të brigjeve italiane”

Romë, 20 prill 2015 – Edhe Daniela Santanché, deputete e Forza Italia-s, ka thënë të sajën mbi tragjedinë e fundit e më të rëndën deri më sot të migrantëve në Kanalin e Sicilisë. Sipas saj, “kjo është tragjedia më e madhe e qeverisë italiane. Aksi Renzi – Alafano – Boldrini solli këtë fatkeqësi”.

Sipas saj ka vetëm një zgjidhje: “Të ngrihet aeronautika dhe marina ushtarake italiane, dhe të shkojë të fundosë anijet, siç kemi bërë në të shkuarën në Shqipëri. Nëse kjo konsiderohet një akt lufte, pak rëndësi ka. E rëndësishmë është të fundosen anijet para se të mund të nisen në drejtim të brigjeve italiane”.

E megjithëse ajo flet për fundosjen e anijeve të migrantëve para se ato të nisen nga brigjet e Afrikës veriore, këto fjalë janë shokuese të thëna pak orë pasi mëse 700 vetë (ndoshta edhe 900) kanë humbur jetën në det nga përmbysja e peshkarexhës. Janë të rënda, në veçanti, për shqiptarët, që teksa dëgjojnë parlamentaren italiane të marrë si shembull mënyrën si veproi Italia me Shqipërinë, nuk mund të mos u kthehet ndër mend Katër i Radës, e fundosur më 28 mars 1997 nga Sibilla e Marinës ushtarake italiane në kuadrin e bllokimit detar të vendosur pikërisht për t’u mbrojtur nga “pushtimi” i migrantëve shqiptarë. Humbën jetën të paktën 108 vetë.

 

Tragjedia në Mesdhe. Renzi: “BE të mos na lërë vetëm, duhen ndaluar trafikantët e njerëzve”

Eksodi i ri. Ndalimi në kufi i shqiptarëve