in

Saviano: “Historia e Klodian Elezit, një prej qindra imigrantëve të kantiereve të EXPO-së”

Në blogun e tij online, shkrimtari Roberto Saviano i kushton sot një shkrim të riut shqiptar Klodian Elezi që humbi jetën në vendin e punës, në një kantier të EXPO-së, vetëm 20 ditë para se panairi më i madh ndërkombëtar të përurohej. Denoncon heshtjen e mediave mbi këtë tragjedi, që me të drejtë do të hapte një diskutim të gjerë e të rëndësishëm për Italinë e sotme e të ardhme “mbi kushtet e punës, mbi menaxhimin e tenderave, mbi rolin e medias, mbi imigracionin”

Në vijim teksti i plotë:

Nëse do të kishte qenë e mundur të mos flitnim për trazirat milaneze që shoqëruan përurimin e Expo 2015, ndoshta do të kishte pasur vend për të treguar historinë e Klodian Elezit.

Një histori që hap një këndvështrim të ri mbi panairin e madh botëror. Një histori që na ndihmon të reflektojmë mbi temat që me të vërtetë kanë rëndësi për Italinë e sotme dhe për atë të së nesërmes. Mbi kushtet e punës, mbi menaxhimin e tenderave, mbi rolin e medias, mbi imigracionin.

Këndvështrimi i kësaj historie qëndron dhjetë metra mbi tokë. Mbi një skelë të një kantieri ndërtimi. Nga aty, Klodiani 21­vjeçar, shqiptar me banim në provincën e Brescias, ra dhe humbi jetën. Ishte e shtunë, 11 prill. Një e shtunë pune për Klodianin dhe për kolegët të angazhuar për mbylljen në kohë rekord të punimeve për ndërtimin e Teem, tangjenciales së jashtme të Milanos.

Organet e drejtësisë kanë hapur një hetim rreth vdekjes së tij, sepse nga rindërtimi paraprak i ngjarjes duket se punëtori nuk kishte pajisjet e nevojshme të sigurisë. Kjo është çështja e parë: kushtet e punës në të cilat punohet kryesisht në sektorin e ndërtimit. Në vitin 2013 Instituti italian për fatkeqësitë në punë (INAI) ka regjistruar 600 raste vdekjesh në punë, 180 nga të cilat në veriperëndim të Italisë. 361 prej tyre në sektorin e industrisë dhe artizanatit.

Tema e dytë është vetë kantieri, që edhe më parë kishte qenë objekt i organeve të drejtësisë. Punimet për Teem kishin hyrë në hetimet për infiltrimet e Ndrangetës në tenderët në Lombardi, për të cilat u arrestuan 13 persona. Shoqëria kontraktuese, e pajisur me certifikatën anti­mafia, sipas hetuesve, menaxhohej nga bosi Giuseppe Galati, i cili drejtpërdrejt nga burgu, drejtonte iznesete veta.

Në Itali, vdesin “nga puna” mesatarisht 2 persona në ditë. Por kur numri i të vdekurve në ditë nga viti 2007 deri në vitin 2009 ishte pothuajse 4 në ditë. shtypi fliste për këtë çështje përditë.

Për Klodian Elezin, që vdiq 20 ditë përpara përurimit të Expo, nuk foli asnjë nga mediat e mëdha italiane. Emri i tij dhe kronika e shkurtër e vdekjes së tij gjenden vetëm në disa portale informacioni online. Vetëm Servizio Pubblico dhe një ndërhyrje e një parlamentari M5S në Dhomën e Deputetëve e kanë përcjellë këtë histori në nivel kombëtar.

Jeta e Klodianit, imigrantit prej vitesh resident në Itali, të cilit i pëlqente të luante futboll të dielave, punëtor si mijëra të tjerë, ishte një jetë si shumë të tjera. Ishte një jetë si ajo e xhaxhait të tij. Edhe vdekja ishte si e xhaxhait të tij që edhe ai imigrant, kishte vdekur në vendin e punës tre vjet më parë.

Imigrantët e punësuar në kantieret e Expo­-së janë me qindra. Imigrantët e punësuar në Itali janë me mijëra. Kjo histori, po të tregohej, me të drejtë do të hapte një diskutim mbi këto tema. Por kjo histori ndaloi mbi asfaltin dhe vitrinat e shkatërruara të rrugëve të Milanos.

Shkrimi në original: L’Expo e la storia di Klodian Elezi, che pochi hanno volute raccontare

Ne, rondelet e botës

Flukset për punonjësit sezonalë. Nga 8 maji kërkesat e punësimit, kurrë kaq vonë