Shkak për veprimin ekstrem të shqiptarit mund të jetë fakti që gruaja me të cilën ishte ndarë pak kohë më parë, ka marrë tre fëmijët dhe është kthyer në Shqipëri
Romë, 8 nëntor 2013 – Mëngjesin e sotëm, një 38-vjeçar shqiptar ka varur veten në hyrjen e pallatit ku jetonte në Spotorno të provincës së Savonës.
Alarmin e ka dhënë një grua që ka hyrë në pallat, dhe e ka parë të varur me rripin e pantallonave në një tra të tavanit. Disa kalimtarë e kanë ulur përdhe trupin e pajetë dhe kanë thirrur menjëherë ambulancën, mjekët e të cilës u përpoqën ta sillnin në jetë pa ia arritur.
Sipas mediave lokale që përcjellin lajmin, dyshohet se shkak për këtë veprim ekstrem të 38-vjeçarit mund të kenë qenë problemet familjare. Burri sapo është ndarë nga e shoqja që para pak kohësh është kthyer në Shqipëri bashkë me tre bijtë e çiftit.