in

Sequi: “Lufta antikorrupsion, prioritet kyç për Shqipërinë”

“Gjatë pesë viteve të fundit kemi investuar gati 30 milionë euro nga paratë e taksapaguesve të BE-së për të ndihmuar përmirësimin e administratës publike në Shqipëri dhe 5 milion euro për të ndihmuar vendin të luftojë korrupsionin”, u shpreh të mërkurën ambasadori BE, Ettore Sequi, gjatë seminarit “Lufta kundër korrupsionit në administratën publike – mësimet e marra nga Polonia, sfidat për Shqipërinë”

Tiranë, 15 dhjetor 2011 – “Komisioni Evropian vlerëson hapat e Shqipërisë në përpjekjet e saj për të siguruar që qytetarët shqiptarë të gëzojnë vlerat themelore dhe përfitimet e Bashkimit Evropian. Pro raporti i Progresit i vitit 2011 për Shqipërinë në mënyrë të qartë thekson se “përparimi është i nevojshëm në fushën e politikave anti-korrupsion, i cili është një prioritet kyç i Opinionit”, u shpreh të mërkurën kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, ambasadori Ettore Sequi, në seminarin “Lufta kundër korrupsionit në administratën publike – mësimet e marra nga Polonia, sfidat për Shqipërinë”.

“Administrata publike ka një ndikim shumë të madh në shoqëri, pasi përmes saj njerëzit shohin politikat qeveritare të kthyera në realitet”, tha Sequi. “Qytetarët në të gjithë botën kanë gjithmonë shumë më tepër marrëdhënie me nëpunësit e tyre publikë se me përfaqësuesit e tyre të zgjedhur. Kjo është arsyeja pse çdo qeveri demokratike që do t’u shërbejë qytetarëve të saj, mendon me kujdes përzgjedhjen e nëpunësve të saj publikë. Qeveritë e suksesshme mbështeten në burokraci profesionale e të afta”, tha Sequi.

Sipas tij, “duke qenë se qytetarët nuk mund të ushtrojnë kontroll demokratik mbi burokracinë përmes zgjedhjeve, janë vendosur forma të tjera kontrolli për të mirën e qeverisë dhe qytetarëve”. “Nëpërmjet legjislacionit primar dhe sekondar, nëpërmjet trajnimeve dhe punës praktike, nëpërmjet ligjit, përmes kulturave etike të punës, është krijuar një sistem për të siguruar që shërbimi publik të jetë i bazuar në merita, transparent, i përgjegjshëm dhe efikas”, theksoi Sequi.

Ai vuri në dukje se “meritokracia, transparenca, llogaridhënia dhe efikasiteti janë parakushtet e padiskutueshme për një burokraci të aftë dhe të motivuar për të hartuar dhe zbatuar politika”.

“Kjo është arsyeja pse Bashkimi Evropian siguron mbështetje shumë të rëndësishme financiare dhe i kushton vëmendje të madhe zbatimit efektiv të anti-korrupsionit dhe reformave administrative në Shqipëri, në përputhje me standardet e BE dhe praktikat më të mira evropiane”, tha Sequi.

Ai bëri të ditur se “gjatë pesë viteve të fundit kemi investuar gati 30 milionë euro nga paratë e taksapaguesve të BE-së për të ndihmuar përmirësimin e administratës publike në Shqipëri dhe 5 milion euro për të ndihmuar vendin të luftojë korrupsionin”.

Detyrat përpara Shqipërisë janë të qarta, vijoi ambasadori i BE-së, duke renditur disa prej tyre: “nevoja për të përdorur objektivisht dhe bazuar në merita kriteret për rekrutimin dhe promovime; nevoja për të forcuar pozitën institucionale të Departamentit të Administratës Publike, aktualisht nën Ministrinë e Brendshme, nevoja e sqarimit të qëndrimit të Komisionit të Shërbimit Civil lidhur me reforma të planifikuara, si krijimi i gjykatave administrative; nevoja për të përmirësuar efikasitetin dhe efektivitetin në menaxhimin e shërbimit civil nëpërmjet një sistemi të Burimeve Njerëzore dhe Menaxhimit të Informacionit”. “Përpjekjet për të vendosur në themel të shërbimit publik të Shqipërisë meritokracinë, transparencën, llogaridhënien dhe efikasitetin mund të jetë e dobishme pasi ato do të përmirësojnë drejtpërdrejtë cilësinë dhe besimin e qytetarëve shqiptarë në shërbimet publike”, theksoi Sequi.

Shtëpi në Shqipëri? Do të paguash taksë edhe në Itali

Koncert me muzikë klasike për festat e fundvitit