in

Serbi-Shqipëri. Ja pse FShF i kërkon UEFA-s fitoren në tavolinë

Federata Shqiptare e Futbollit po përgatit dosjen e saj për t’ia paraqitur UEFA-s e cila do të marrë vendim më 23 tetor në Komisionin disiplinor mbi ndeshjen Serbi-Shqipëri e lënë përgjysmë për shkak të trazirave. Rrezikohet që vendimi të mos jetë pozitiv për Shqipërinë, e për këtë kanë faj vetë shqiptarët.

Sepse ajo çka ngjau në Beograd nuk u analizua që në fillim me gjakftohtësi, duke nxjerrë në dukje mangësitë e organizimit (të cilit pala shqiptare iu përshtat duke mos çuar tifozë e duke mos shfaqur simbole kombëtare nga ata pak gazetarë e mbështetës të kuqezinjve në shkallët e stadiumit, pasi edhe për dronin e famshëm faji nuk mund t’u jepet personave në stadium), dhunën verbale dhe fizike ndaj lojtarëve shqiptarë. Përkundrazi, iu mëshua shumë banderolës së famshme, “mbrojtjes heroike të simboleve” nga lojtarët tanë pa harruar as grushtat e dhënë nga Cana apo ndonjë tjetër në mbrojtje të shokëve. Nuk u bë tjetër gjë, veçse ajo që donin serbët, të cilët në bllok e menjëherë pas ngjarjes i treguan botës se “shqiptarët provokuan me flamurin e tyre, ne u përpoqëm të mbanim nën kontroll situatën”. Fakt është që mediat në mbarë botën shkruan për flamurin shqiptar apo kosovar (kushedi pse u përsërit gjithandej që në flamur ishte shkruar “Kosova e lirë”, mos vallë për të justifikuar më shumë serbët në trazirat e mëpasshme?) dhe për sherrin e madh që pasoi ku morën pjesë edhe tifozë.

Edhe pse debatet televizive kanë lënë shumë për të dëshiruar, njësoj si edhe deklaratat e politikanëve dhe të drejtuesve të Federatës në media, FShF në reagimin e saj të parë të mërkurën në faqet zyrtare online shpjegon versionin e saj të ngjarjeve “Edhe pse pranuam kushtet e Federates Serbe të futbollit, për të mos pajisur me bileta tifozët nga Shqipëria, fatkeqësisht që me mbërritjen e ekipit dhe delegacionit që e shoqëronte nuk gjetëm një atmosferë të qetë dhe normale. Masat e rrepta të sigurisë më shumë krijuan tension se sa garanci”.

“Në çdo dalje të ekipit shqiptar apo individëve të tij, në fushën e lojës gjithçka bëhej agresive dhe tejet acaruese nga ana e tifozerisë vendase. Pas përfundimit të nxjemjes, lojtarët janë goditur me një breshëri monedhash, çakmakësh dhe sendesh të tjera, përpara se të hynin në tunelin e hyrjes në stadium. Për të gjithë periudhën që u zhvillua nxjemja zyrtare përpara ndeshjes, koret fyese prej afro 30.000 zërash me fjalët “vritini shqiptarët” apo “vdekje shqiptarëve” ishin mbizotëruese. Në rrethimin anësor të tribubës së majtë, mbi kangjella ishin me dhjetëra tifozë, të cilët në sytë e policisë, vazhduan të qëndroin të paprekur deri në fund të minutave që u luajtën” thuhet në komunikatën e FShF-së.

“Përpara fillimit të ekzekutimit të himneve, banda frymore, ekzekutoi një marsh nacionalist, i cili nuk ishte i përfshirë në programin zyrtar duke krijuar me shume nje atmosfere nacionaliste se sa te nje eventi normal sportiv. Ndërsa himni kombëtar i Shqipërisë, është vërshëllyer masivisht, aq sa ishte i padëgjueshëm për të pranishmit në tribuna dhe TV”.

Gjatë atyre minutave që u zhvillua ndeshje, “në fushë janë hedhur gurë, sende të forta, çakmakë dhe fishekzjarrë, të cilat kanë ndikuar për keq në atmosferën e lojës dhe janë evidentuar nga pamjet filmike. Tre lojtarët që dolën në nxjemje, u goditën me sende të forta aq, sa zyrtarët e ndeshjes u detyruan që të ndërronin pozicionin e zhvillimit të saj”.

Ndërsa loja ishte e ndërprerë, është shfaqur banderola e famshme që ka degjeneruar edhe më keq situatën. “Në fushë kanë hyrë civilë dhe kanë goditur lojtarët shqiptarë me grushta dhe karrige”. –thuhet në komunikatën e FShF-së që shton një fakt akoma më të rëndë: “Lojtarët tanë janë goditur edhe nga personeli i sigurisë, në stadium. Gjatë rrugës që të çon nën tunelin e dhomave të zhveshjes, futbollistët shqiptarë, janë goditur vazhdimisht nga tifozë, forca të sigurisë në stadium dhe policë. Gjithashtu, para se futbollistët shqiptarë të lejoheshin të dilnin nga stadiumi, me urdhër të Prokurorit te Beogradit (sipas deklaratës së policisë), i gjithë stafi dhe lojtarët e ekipit kombëtar u kontrolluan fizikisht një për një, së bashku me sendet personale”.

Të gjitha faktet e renditura, të shoqëruara nga fotografi e pamje filmike, do të përbëjnë edhe pjesën qendrore e dosjes që do t’i dorëzohet UEFA-s, në mbështetje të kërkesës së Shqipërisë për të marrë në tavolinë 3 pikët e ndeshjes.

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Humor e biznes në Gjermani: “Së shpejti dron shqiptar, flamuri falas”

Lorik Cana rrezikon nga 6 deri në 18 muaj skualifikim