in

Sfidat e reja të shqiptarëve pas 20 vjetëve emigracion në Itali

“Emigracioni shqiptar 20 vjet pas eksodit të madh” ishte tema e konferencës me titull “Shqiptarët e Italisë pas 20-vjetëve”, e cila u zhvillua, në kuadër të muajit të kulturës shqiptare në Itali “Vendi Përballë – Shqiptarët e Italisë kremtojnë 100-vjetorin e Pavarësisë”, ditën e enjte, në datën 23 shkurt, në Muzeun e Qytetërimit Romak në Romë.

Ishin të ftuar dhe merrnin pjesë në këtë konferencë studiuesi i emigracionit dhe imigracionit dhe njëkohësisht koordinator i “Dossier Immigrazione Caritas/ Migrantes”, vëllimi i përvitshëm që përmbledh të dhënat, faktet e  analizat më të fundit mbi imigracionin në Itali, Franco Pittau, sociologu, gazetari dhe shkrimtari, autor dhe bashkautor i shumë librave mbi emigracionin shqiptar, Rando Devole, gazetari dhe shkrimtari, autori i librit “Mbytja – vdekje në Mesdhe” mbi ngjarjen e trishtuar të anijes Katër i Radës, Alessandro Leogrande, gazetari dhe shkrimtari i ri Darien Levani, romani i fundit i të cilit është “Qukapiku i famshëm magjik”, fizikani dhe autori i librit mbi historinë tragjike të familjes së tij “Kthimi në vendin e shqiponjave”, Aldo Terrusi. Konferenca u moderua nga kryeredaktorja e gazetës “Bota Shqiptare, Keti Biçoku. 

Gjatë pjesës së parë të konferencës, e cila iu dedikua emigracionit shqiptar në Itali, e morën fjalën Franco Pittau, Rando Devole dhe Edmond Godo dhe ambasadori Llesh Kola

Shqiptarët e Italisë, nga 2.034 vetë në vitin 1990, janë sot komuniteti më i madh i pranishëm në Itali me 482.627 rezidentë (të dhëna ISTAT në fund të vitit 2010). Punëtorë, studentë, sipërmarrës, artistë dhe shkrimtarë, familje të bashkuara ose të krijuara në Itali, shqiptarët e sotëm “përbëjnë një komunitet të mirë-integruar” – siç theksoi Franco Pittau.

Evolucioni i emigracionit të atyre shqiptarëve që mbërritën me anije e atyre që vijuan edhe më pas, sfidat e tyre sot, si shiheshin më parë e si shihen e konsiderohen aktualisht – këto janë disa nga temat në të cilat u ndalën Franco Pittau e Rando Devole. Për sfidat e emigracionit shqiptar sot, 20 vjet nga eksodet e para, për problemet e arritjet e tij, foli në veçanti publicisti, eksperti i emigracionit dhe gazetari Rando Devole që fjalën e tij e kishte konceptuar në një sërë pyetjesh “të sikletshme”. A janë të vetëdijshëm shqiptarët për fuqinë e madhe ekonomike, shoqërore dhe kulturore që ata kanë? Cili është modeli i integrimit të shqiptarëve në Itali? Cila është ajo linjë e hollë që ndan ndonjëherë asimilimin nga integrimi? Ç’marrëdhënie kanë shqiptarët me tema të rëndësishme kombëtare siç është kombi, gjuha, identiteti ynë? E a do të kemi një ditë të drejtë efektive vote, në Itali e Shqipëri? Si ka ndryshuar në vite organizimi në shoqata i shqiptarëve në Itali, si ka qenë evolucioni i tyre? A ka ndryshuar ndopak raporti i mediave me shqiptarët? Si paraqiten ata në mediat italiane? E në ato shqiptaret? Pse ndihemi herë herë të huaj këtu e të huaj në Shqipëri? Sa po bën politika shqiptare për të mbajtur pranë një pjesë të mirë të popullsisë që jeton jashtë vendit?  Pikërisht mbi pyetje të tilla, përgjigjet e të cilave emigrantët shqiptarë i njohin mirë e përqendroi fjalën e tij Rando Devole.

Pas tij e mori fjalën Edmond Godo për të folur mbi vlerën që kanë format e ndryshme “të përfaqësimit” të të huajve në komuna të ndryshme italiane, përfaqësi që nuk ka të drejtë vote por vetëm konsultative. Janë vërtet një hap drejt të drejtës së votës për zgjedhjet lokale apo një formë për t-u hedhur hi syve imigrantëve? Godo, përfaqësues i shqiptarëve në konsultën për të huajt të komunës së Romës, pohon se “të qenët në konsultë apo në çdo lloj organi tjetër të këtij lloji është më shumë një përvojë me vlerë për rritjen personale të secilit, sesa një eksperiencë e mirëfilltë përfaqësimi”.

Në përfundim, Ambasadori Kola vuri në pah se tashmë emigracioni shqiptar në Itali përbën një urë të fortë lidhjeje dhe miqësie mes dy vendeve dhe dy popujve, marrëdhëniet mes të cilëve janë në nivelin më të mirë të tyre.

“Emigracioni shqiptar në Itali nuk përbën më lajm. Imazhi i bashkatdhetarëve tanë tashmë është një imazh pozitiv, imazhi i një komuniteti të mirë integruar në shoqërinë italiane”.

Në pjesën e dytë të konferencës e morën fjalën shkrimtarët Darien Levani, Alessandro Leogrande dhe Aldo Terrusi.

Darien Levani, autor i disa librave me temë emigracionin, u fokusua mbi progresin e shqiptarëve në Itali, por edhe mbi dallimet mes atyre që erdhën në Itali vitet e para të tranzicionit e të tjerëve që vijnë nga vitet 2000 e këtej, mbi përpjekjet për të fituar të drejtat e tyre, një prej të cilave marrja e qytetarisë italiane apo e drejta e votës. Por preku edhe një temë tjetër të ndier e shpesh të debatuar siç është ruajtja e gjuhës, duke thënë se “është vërtet e rëndësishme të ruash gjuhën, por nga ana tjetër, fakti që shumë shqiptarë shkruajnë drejtpërdrejt në një gjuhë të huaj, në italisht, në rastin konkret, është diçka shumë pozitive për shkëmbimet kulturore shqiptaro-italiane”.

Alessandro Leogrande foli në lidhje me librin e tij të fundit “Mbytja – Vdekje në Mesdhe”, i cili tregon për një nga mbytjet më tragjike të ndodhura në Mesdhe gjatë këtyre 20 viteve të fundit, për anijen “Katër i Radës”. “Por mbi të gjitha, – theksoi Leogrande, – bëhet fjalë për tragjedinë më të madhe në det të prodhuar nga politikat e mospranimit”. Alessandro Leogrando ka hetuar mbi këtë ngjarje, ka takuar të mbijetuarit dhe familjarët e viktimave, ushtarakët, avokatët, aktivistët e shoqatave dhe ka shëtitur në qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë, nga ku ishin nisur emigrantët. Të gjithë këtë përvojë ai e solli para audiencës së ditës së enjte.

Në përfundim të konferencës, Aldo Terrusi tregoi odisenë e familjes së tij italiane në tokën shqiptare. I rikthyer pas 44 vjetësh në vendin e shqiponjave, në kërkim të së kaluarës dhe eshtrave të babait të tij, i vdekur në burgun e Burrelit. Gjithë dramën e familjes së tij, Terrusi ia ngarkon “hakmarrjes së Enver Hoxhës”, për dashurinë e refuzuar nga nëna e tij për diktatorin. Këtë dramë ai e ka hedhur në librin e tij “Kthimi në vendin e shqiponjave”. Në fjalën e tij, Terrusi solli një dëshmi të asaj çka kishte ndodhur më pas me babanë e tij, Giuseppe Terrusi, Drejtor i Bankës Italo-Shqiptare të Gjirokastrës, i arrestuar në vitin 1945, i cili vdiq në burgun e Burrelit në vitin 1952.

Kjo konferencë u shoqërua edhe me hapjen ekspozitës fotografike “IntegrAzione” e fotoreporterit dhe gazetarit të njohur italian të gazetës “Corriere della Sera”, Vittorio Arcieri. Ekspozita dokumenton me profesionalizëm dhe humanizëm intensitetin e zbarkimeve, fytyrat e shënjuara të emigrantëve, duart e nënave që shtrëngonin fëmijët e tyre, sytë e fëmijëve të drejtuar nga një realitet i ri dhe një e ardhme e re e plot shpresë. 

Vëllezërit Dyrmishi që studiojnë në Bolonjë e bashkëpunojnë me Apple

Aksident rrugor. Humb jetën në Voghera 29-vjeçari Hoxha