in

Vëllezërit Dyrmishi që studiojnë në Bolonjë e bashkëpunojnë me Apple

Loran dhe Ledion Dyrmishi kanë lindur në Berat, ndërsa tani jetojnë në Rimini e studiojnë në Bolonjë, që të dy për Informatikë. Sapo kanë programuar një program për përpunimin e fotografive, që mund të përdoret në telefonat iPhone dhe në iPad, të nxjerrë në treg nga kompania e madhe informatike Apple.

Lorani është në vitin e fundit të masterit, ndërsa Ledioni në vitin e tretë të shkollës së lartë. Ishte ideja e këtij të fundit, nisur nga një detyrë kursi, ajo që shkoi shumë më tej. Aq sa u vlerësua dhe nga kompania prestigjoze Apple e cila në fund të qershorit të vitit të kaluar lidhi një kontratë me djemtë shqiptarë dhe puna e tyre sot gjendet në “App store”, dyqani virtual online për programet e kompjuterat Apple.

Ja një intervistë që ata kanë dhënë në shtypin shqiptar kur kanë qenë së fundi në Tiranë.

Çfarë programi është ky që keni realizuar?

Ledioni: Është një program për “iPhone” dhe “iPad”. Quhet “PhotoNova”, një aplikacion për përpunimin e fotografive. Hap foto të ndryshme dhe i punon në çast nga telefoni, pa patur nevojë të hysh në kompjuter. Ky është një “fotoshop” i vendosur në telefon me disa të dhëna që fotoshopi i bën por në kompjutera të fuqishëm. Programet e tjera për iPhone nuk kanë disa nga funksionet që ka PhotoNova, si psh funksioni marquee, te cilin jemi ne të parët që e kemi realizuar. Foton e modifikuar, përveç se mund ta ruash foton në telefon, mund ta shpërndash përmes Facebook-ut, Email-it, Twiteer-it ose Flickr-it direkt nga programi. Programi punon me foto të çdo lloj resolucioni.

Si e realizuat?

Ledioni: Unë studioj në Bolonja për informatikë, jam në vitin e tretë. Vitin e kaluar kisha një detyrë kursi kur duhet të realizoja një program të vogël për iPhone. Ashtu bëra, realizova një program të vogël, që ishte diçka e thjeshtë, dhe ia prezantova profesorit. Ai më tha që është shumë i mirë si program dhe këshilloi ta zhvilloj më tej.

Kur e nisët këtë projekt?

Ledioni: Ka filluar nga maji i vitit të kaluar. Projekti i shkollës zgjati gati një muaj. Më pas nga fundi i qershorit bëmë kontratën me Apple edhe që prej andej iu dedikuam kësaj pune, duke realizuar programin e parë që quhet EasyPixel, i cili doli në treg në muajin tetor. Më pas filluam të realizonim PhotoNova-n, ku versioni i tij i parë doli në treg në muajin dhjetor ndërsa versioni i dytë doli në treg në muajin shkurt të 2012-ës.

Si u lidhët me Apple?

Ledioni: Ekziston një faqe e tyre në të cilën mund të komunikosh. Ka disa kontrata që duhet të firmosësh me ta, të gjitha janë elektronike, kemi komunikuar me email. Ne u treguam atyre që kemi një program dhe duam ta nxjerrim në shitje. Bëmë kontratën dhe që prej atëherë vazhdojmë si programatorë.

Do të thotë se ju jeni bashkëpunues të rregullt tani me Apple, apo jo?

Lorani: Me fjalë të tjera po. Ne i dërgojmë programin dhe merren ata me shpërndarjen në internet, celular etj. Funksionon kështu: Unë bëj programin dhe e dërgoj në qendrën e tyre. Ata i bëjnë një revision, për të parë nqs programi përmbush standardet e Apple-it. Më pas janë ata që merren me menaxhimin e programit, me nxjerrjen ne treg të tij. Ndërsa me reklamimin dhe me njohjen e programit nga përdoruesit duhet të merrem unë.

Si u prit ky program?

Lorani: PhotoNova u prit shumë mirë nga publiku sepse është një program intuitiv që mund të përdoret nga çdokush dhe ka shumë funksione. Mund ta përdorë si ai që ka pak eksperiencë në fushën e fotografisë, ashtu edhe një profesionist. Gjithashtu ky program është pritur shumë mirë nga kritika ndërkombëtare. Ata kanë thënë se ky program është i një niveli të tillë që çdo përdorues i iPhone-it duhet ta ketë të instaluar në telefonin e tij.

Është i veçantë sepse është bërë që përdoruesi ta ketë sa më të lehtë përdorimin. Dhe së dyti sepse është i nevojshëm për të gjithë ata që merren me fotografinë dhe që u pëlqen fotografia me këtë mjet mund të modifikojnë shumë pjesë të një imazhi. Për më tepër, ke një instrument shtesë, profesional por edhe zbavitës, që kushton shumë herë më pak se programet e tjera.

Çfarë vlerësimesh keni marrë dhe nga kush?

Ledioni: Vlerësime dhe përgëzime kemi marrë nga dekani i universitetit ku studiojmë, i cili na kërkoi të vazhdonim studimet në atë shkollë dhe t’i zhvillonim projektet aty. Por vlerësimi më i madh është kur kritika vlerëson maksimalisht punën tënde si dhe komentet e përdoruesve të programit.

Si ju shohin bashkëmoshatarët e tjerë, atje që keni pasur këtë sukses?

Ledioni: Në radhë të parë i falënderoj për urimet dhe mbështetjen që na kanë dhënë. Kemi parë një lloj admirimi nga ana e tyre, për faktin se kemi venë në praktikë dituritë që kemi marrë gjatë këtyre viteve.

Ju ka paguar Apple?

Ledioni: Paguajnë çdo muaj, i hedhin fitimet që ne kemi nga programi në llogari. Janë kontratat virutale. Për tregun ndërkombëtar ata e kanë zgjidhur në këtë mënyrë se qendrën kanë në Amerikë, ne jemi në Itali.

Ju jeni të kënaqur më këtë pagesë?

Ledioni: Ne marrim përqindje nga shitjet e programit tonë. Funksionon si në çdo treg tjetër. Duhet të ofrosh një produkt të mirë, por edhe duhet ta reklamosh atë që njerëzit ta njohin. Në përgjithësi jemi shumë të kënaqur.

Pse keni zgjedhur të dy informatikën?

Lorani: Unë e kisha pasion që i vogël.

Ledioni: Ndërsa unë këtë dija të bëja më mirë nga të gjitha gjërat e tjera. Kam fituar vendin e tretë në olimpiadën kombëtare për informatikë në Shqipëri, në 2008, dhe pas kësaj bëra dokumentat dhe jam duke ndjekur studimet në Bolonja. Kam pasur rezultate të mira dhe jam ndjerë mirë. Mendoj se kam bërë zgjedhjen e duhur. Nga pasioni arritëm deri këtu. Shpresojmë të arrijmë ato rezultate që programi meriton.

Jeni nga ata djem që rrini gjithë kohën para kompjuterit?

Lorani: Në periudhën e punës po, në fillimet e programit gati 3 apo 4 muaj me orë të zgjatura. Kohën tjetër tentojmë “t’i qëndrojmë sa më larg kompjuterit”. Për fat të mirë nuk jemi shumë të apasionuar pas videogame-eve. Na pëlqejnë vetëm t’i krijojmë.

Jeni nxënës të mirë?

Lorani: Që në fëmijëri kam arritur gjithmonë rezultate maksimale, edhe vëllai ka qenë gjithashtu me rezultate të larta. Por universiteti ishte sprova jonë. Për Ledionin e dinim që kishte aftësi, ndërsa mua nuk ma kishin merakun prindërit. Shkova i pari, se jam 5 vjet më i madh se vëllai. Kur shkova atje i thashë se do të vazhdozh Informatikë.

Si është jeta juaj në Itali?

Lorani: Në Itali, si çdo student tjetër atje, për të mundësuar jetesën jemi marrë me punë si në fushën tonë ashtu edhe punë të tjera. Për fat të mirë kemi jetuar në një qytet të bukur bregdetar, Rimini, ku ka pasur mundësi për aktivitete të ndryshme sidomos në periudhën e verës. Gjithashtu jemi marrë edhe me sport. Unë kam luajtur në një ekip basketbolli ndërsa Ledioni ka luajtur me ekipin Under-21 të futbollit me 5 vetë të qytetit ku jetonim.

Vini shpesh në Shqipëri?

Lorani: Këta dy muajt e fundit kemi punuar në Shqipëri. Do të jemi në lëvizje të vazhdueshme midis Italisë dhe Shqipërisë.

Me projekte edhe në Tiranë?

Lorani: Po. Hapi tjetër është ndërtimi i një studioje programimi, në qoftë se do na jepet mundësia mendojmë ta hapim këtu në Tiranë. Për momentin është një plan, që shpresojmë ta realizojmë sa më shpejt. Prioriteti është krijimi i programeve të çdo lloji (PC, iPhone, Play Station, Xbox) që të kenë sukses në tregun ndërkombëtar. Krijimi i tyre kërkon një grup pune të përbërë nga shumë persona. Kemi realizuar gjithashtu edhe disa projekte që po i prezantojmë në media, institucione, ndërmarrje si dhe pranë subjekteve private, kështu teknologjitë e fundit të programimit të hyjnë në Shqipëri”. 

Entela Resuli, Shekulli

Kafshon karabinierin që t’i shpëtojë kontrollit

Sfidat e reja të shqiptarëve pas 20 vjetëve emigracion në Itali