in

Shënjestër

“Inaugurohet” me vrasjen e një shqiptari ligji  për përdorimin e armëve të zjarrit
Fillimi i fushatës zgjedhore në politikën italiane kthen sërish shënjestrën kundër emigrantëve. Dhe ligje të reja të miratuara me ngut për t’i mëshuar idesë së “tolerancës zero”. Mes brohoritjeve të Legës së Veriut i
vdekuri i parë pas aprovimit të ligjit për të drejtën e hapjes së zjarrit kundër shkelësve të pronës private është një shqiptar

Nga Roland Sejko, shkurt 2006

E përpiktë, si në çdo fillim fushate zgjedhore, nis në Itali lufta kundër emigrantëve. Me format e veta më të kolauduara, nga parullat kundër rrezikut, e deri te miratimi i ligjeve ekstreme në ditët e fundit të legjislaturës së këtij parlamenti.

E përpiktë, siç mund të jetë vetëm vdekja, vjen edhe i vrari i parë vetëm dy ditë pas miratimit të ligjit për mbrojtjen “e ligjshme” e paraqitur nga Lega Nord, partia e “tolerancës zero” kundër emigrantëve.

Një rastësi nga ato që të vënë të besosh se djalli vërtet ekziston, ka bërë që vrasësi të jetë një militant legist, i vrari një shqiptar.

E kanë gjetur 250 metra larg vilës që sipas dëshmitarit të vetëm, vrasësit, kishte dashur të hynte të vidhte. Dritan Osmani, ky është emri i vërtetë i shqiptarit të vrarë që për një javë rresht policia e quajti Andi Saraçi për shkak të një dokumenti me këtë emër që iu gjet në xhep, nuk mund ta dinte se i zoti i asaj vile në Sandra që sipas rindërtimit të ngjarjes ishte përpjekur të vi­dhte, do ta ndiente veten të auto­rizuar për t’i shkrehur 13 plumba të pistoletës së vet automatike H&K, kalibri 40. Një armë për qejflinj armësh, më shkatërruese se e famshmja 357 Magnum shprehen ekspertët nën zë duke hedhur dyshimin se kush mban të mbushur një armë të tillë në shtëpi ka arsye më të forta se vetëmbrojtja.

E sidoqoftë, arma e Gianfranco Rizzos, pronarit të vilës, ishte rre­gullisht e autorizuar. Prej dy ditësh, ishte autorizuar edhe shkre­hja e saj kundër njerëzve. Një ligj i miratuar me unanimitetin e votave të Casa della Libertà në pushtet, dhe me po atë unanimitet kundërshtuar nga opozita. Juristët e quajnë “haptazi antikushtetues”, ata që e kun­dërshtojnë “një shock kulturor”, jo vetëm çështje civiliteti juridik, por diçka që prek aparatin e padukshëm të marrëdhënieve njerëzore.

“Me këtë ligj rolet janë përmbysur: Shënjestra nuk është më Abeli, por keqbërësi. I dhunuari nuk është më një dele e pambrojtur, por ka në anë të vet ligjin që e mbron. Deri dje askush s’ishte aq i çmendur sa të mbrohej me armë, sot mund ta bëjë.” thotë i kënaqur Mario Borghezio i Legës së veriut, partia që para pak kohësh pat deklaruar, edhe pa ligj, “që emigrantëve u duhet qëlluar me çifte, siç gjuhen lepujt.” Tashmë, falë forcës së tyre në parlament, falë këmbënguljes së vetë Ministrit të Drejtësisë Roberto Castelli, mund të vrasin me ligj.

Mund të vrasin, thotë ligji, me një armë të deklaruar, apo edhe me “mjete të tjera”, domethënë që në mungesë të pistoletës së mbajtur me leje, mund të qëllohet me thikë, mund t’i çahet koka, mund të theret, si të vijë për mbarë. Natyrisht, kanë vënë edhe disa kufij se kur mund të bëhet kjo: i vrari duhet të të ketë sulmuar e të ketë këmbëngulur pa u dorëzuar. Meqë është i vrarë, dyshojmë se mund të dëshmojë për t’u mbrojtur. Meqë mund të jetë edhe emigrant, kuptohet që e ka patur fajin me vete. Edhe kur mund të mos ketë qenë duke vjedhur vila.

Ligji i ri, në fakt, e çon deri në vendin e punës licencën për të vrarë. Para pak vitesh një emigranti rumun iu vu flaka nga punëdhënësi i vet pasi këmbëngulte të merrte rrogën që nuk i jepnin. Me ligjin e ri, avokati i vrasësit padyshim do të kishte provuar kartën e “mbrojtjes së ligjshme”: mund të deklaronte se emigranti e pat sulmuar dhe se ai qe detyruar ta vriste, në mungesë të armës,  “me mjete të tjera” si hedhja e benzinës dhe vënia e flakës. Fjala e një sipërmarrësi italian kundër një emigranti të vrarë. Me ligjin në krah.

Modifikimi i nenit 52 të kodit penal që autorizon vrasjen, nuk pret, natyrisht vetëm emigrantët. Por në çështje të emigrantëve dhe në rastësitë djallëzore me hyrjen në fuqi, gjen mundësinë t’i japë dukshmëri vetë natyrës politike të kësaj qeverie, e infektuar në zgje­dhjet e veta nga një forcë politike ekstremiste si Lega e Veriut programi i së cilës ndërtohet i tëri mbi parimin e përnbuzjes së emigrantit, më të dobëtit, deri edhe te përbuzja për jetën. Pasi kanë braktisur ëndrrën e tyre secesioniste, Lega e Veriut ka gjetur te demonizimi dhe lufta kundër emigrantëve shtyllën e vet të propagandës për mbajtur me vete votat e asaj 5% Italie që e mbështet. Por dalëngadalë kanë arritur me aftë­sinë e tyre ta shndërrojnë brenda pak vitesh Italinë nga një vend mundësish, në një ferr për emigrantët. Tashmë Lega bën ligjin në çdo vendim politik të shumicës mbi emigrantët. Edhe ligjin e ri, e kanë trumbetuar si një fitore të tyren kundër emigrantëve. Për ta, çdo emigrant është keqbërës.

Më 9 prill në Itali do të votohet. Fushata zgjedhore sapo ka filluar.

Ligji i ri do të trumbetohet edhe si arritje kundër emigrantëve, të gjithë keqbërës sipas ligjbërësve. Në fillim të shkurtit kreu i Legës së Veriut, ashtu i copëtuar nga damllaja që i ka rënë para dy vjetësh, i tërheq veshin deri edhe Berluskonit për fushatën zgjedhore: “Zgjedhjet fitohen duke goditur gay-t dhe emigrantët”. Të gjithë analistët takohen vetëm në një pikë kur gjykojnë Bossin: Ka nuhatje politike. 

Botuar fillimisht në Bota Shqiptare nr. 145, 9 shkurt 2006

Arrestohet në Rimini i shumëkërkuari Kastriot Dervishi

Kushëriri nga Amerika