Shërbimi Shëndetësor Kombëtar (SSN) është tërësia e strukturave dhe shërbimeve që kanë për qëllim të sigurojnë mbrojtjen e shëndetit dhe ndihmë shëndetësore për të gjithë qytetarët, italianë e të huaj. I huaji me qëndrim të rregullt në Itali gëzon të drejtën e shërbimit shëndetësor, të ofruar nga SSN, njësoj si qytetari italian.
Regjistrimi në SSN është i detyrueshëm për të huajt titullarë të:
- lejeqëndrimit BE për qëndruesit afatgjatë;
- lejeqëndrimit për motive pune (të varur ose të pavarur);
- lejeqëndrimit për pritje të punësimit;
- lejeqëndrimit për motive familjare (me një përjashtim);
- lejeqëndrimit për motive strehimi politik / mbrojtje humanitare;
- lejeqëndrimit për motive birësimi /pritje birësimi
- lejeqëndrimit në pritje të marrjes së shtetësisë italiane.
Të huajt mund të kërkojnë regjistrimin edhe kur janë në pritje të lëshimit të lejeqëndrimit të parë. Ata nuk e humbasin regjistrimin gjatë pritjes së përtëritjes së lejes së qëndrimit.
Të drejtën e regjistrimit e gëzojnë edhe familjarët në ngarkim të personit të regjistruar. Për të miturit, prindërit e të cilëve janë të regjistruar në SSN, garantohet i njëjti trajtim me të miturit e regjistruar, që nga momenti i lindjes.
Për prindërit mbi 65 vjeç që kanë ardhur në Itali me bashkim familjar me bijtë, nga 5 nëntori 2008, regjistrimi në SSN nuk është i detyrueshëm edhe pse ata kanë lejeqëndrim për motive familjare.
Në fakt, dekreti legjislativ 160/08 përcakton që prindërit mbi 65 vjeç duhet të kenë sigurim shëndetësor të vetin të vlefshëm edhe në Itali, ose të regjistrohen vullnetarisht në SSN duke paguar kontributin vjetor. Ministria e Shëndetësisë ka sqaruar se kontributi vjetor për prindërit mbi 65 vjeç pa të ardhura personale llogaritet mbi të ardhurat e të birit që e ka sjellë në Itali me bashkim familjar.
Mund të regjistrohen vullnetarisht në SSN të huajt që kanë lejeqëndrim për arsye studimi. E bëjnë për vete dhe familjet e tyre që jetojnë me ta.
Ka një kategori të huajsh që nuk mund të regjistrohen në SSN. Janë të gjithë ata që qëndrojnë në Itali për më pak se tre muaj (ata që vijnë për turizëm, vizitë të afërmve, biznes).
Ekzistojnë disa shërbime që SSN u siguron të gjithë personave që ndodhen në Itali, të regjistruar apo jo. Janë të garantuara për të gjithë:
- mjekimet e kurat, me karakter ambulator e spitalor, urgjente ose thelbësore, për sëmundje ose fatkeqësi;
- trajtimi i shtatzënisë dhe mëmësisë;
- kujdesi i fëmijës;
- vaksinat;
- programet e profilaksisë;
- parandalimi, diagnostikimi dhe trajtimi i sëmundjeve infektive;
- kujdesi, parandalimi dhe rehabilitimi në fushën e varësisë nga droga.
Regjistrimi në SSN bëhet pranë Ndërmarrjes Shëndetësore Vendore kompetente për zonën e rezidencës.
Dokumentacioni që paraqitet është i mëposhtmi:
- lejeqëndrim të vlefshëm; nëse dokumenti është në fazë përtëritjeje, duhet marrë lejeqëndrimi i skaduar dhe kuponi i përtëritjes;
- kodi fiskal;
- vetëdeklarim i rezidencës;
- faturën e pagesës së kryer (për ata që regjistrohen vullnetarisht në SSN).
- Mund të kërkohen edhe dokumente të veçanta që ndryshojnë në varësi të llojit të lejes së mbajtur.
Përmes regjistrimit në SSN i huaji pajiset me librezë shëndetësore e zgjedh mjekun e familjes dhe pediatrin për të miturit.
Regjistrimi në SSN i siguron qytetarit të drejtën e përfitimit të të gjitha shërbimeve si:
- vizita mjekësore të përgjithshme dhe të specializuara;
- vizita mjekësore në shtëpi;
- analiza laboratori e diagnostikim me aparatura;
- shtrime në spital;
- ndihmë për riaftësim, proteza;
- vaksinime;
- receta për ilaçe;
- certifikata mjeko-ligjore.
Regjistrimi pranë SSN nuk është më i vlefshëm nëse:
- të huajit i skadon lejeqëndrimi, me përjashtim të rastit kur tregon kërkesën për përtëritje ose lejeqëndrimin e përtërirë;
- i tërhiqet apo i mohohet leja e qëndrimit, me përjashtim të rastit kur i interesuari dëshmon se ka paraqitur apelimin ndaj faktit;
- dëbohet;
- nuk plotëson kushtet për të bërë pjesë në kategoritë për të cilat parashikohet regjistrimi i detyruar në SSN (për shembull: ndryshimi i motivit të lejeqëndrimit në një të ri për të cilin nuk parashikohet regjistrimi i detyrueshëm në SSN).
Libreza shëndetësore
Është dokumenti që lëshohet në ASL e që dëshmon regjistrimin në SSN.
Ajo përmban:
- të dhënat personale të personit
- kodin fiskal (në tre versione: përpara në formatin alfa-numerik, nga pas në formatin barcode dhe shiritin magnetik);
- datën e skadencës, e vlefshme vetëm për shërbimin shëndetësor;
- një hapësire të lirë për të shënuar, nëse ka, të dhëna të krahinës;
- tre shenja të alfabetit braille për të verbërit.
Libreza shëndetësore është e nevojshme për ta paraqitur te mjeku apo pediatri, për të bërë vizita mjekësore të specializuara, për të blerë barna në farmaci, për të bërë analiza laboratori apo diagnostikime me aparatura në struktura të SSN.
Libreza shëndetësore vlen gjithashtu në të gjitha ato raste kur nevojitet të tregohet kodi fiskal, e ajo çka është më absurde përdoret më shpesh për të blerë cigaret, pasi përmes leximit të saj aparatura mëson që blerësi nuk është në moshë të mitur.