in

Mjeku dhe pediatri i familjes, ç’shërbime ofrojnë e a duhen paguar?

A duhet paguar ndonjë “ticket” kur shkoj te mjeku i familjes apo kur çoj fëmijën te pediatri që kam zgjedhur në ASL? 

Mjeku dhe pediatri i familjes janë figurat e SSN-së më pranë qytetarit dhe u sigurojnë atyre shërbimet e mjekësisë së përgjithshme dhe pediatrike. Ata kanë një numër të caktuar pacientësh (nga të cilët janë zgjedhur me vullnet të lirë) që jetojnë pak a shumë në një zonë të kufizuar.

Mjeku i familjes viziton pacientët në studion e tij ose në shtëpinë e të sëmurit kur gjendja shëndetësore e këtij të fundit nuk i lejon të lëvizë, lëshon receta për ilaçe, vizita të specializuara dhe analiza laboratorike, lëshon disa certifikata mbi gjendjen shëndetësore të të interesuarit, propozon shtrimin në spital kur ky është i nevojshëm.

Pediatri i familjes është mjeku që ndjek të miturit nga lindja deri në 14 vjeç. Bën pak a shumë punën e mjekut të familjes, por me fëmijët: i viziton kohë pas kohe, kontrollon rritjen e tyre, lëshon receta për ilaçe, vizita të specializuara dhe analiza laboratorike, lëshon disa certifikata mbi gjendjen shëndetësore të të interesuarit, propozon shtrimin në spital kur ky është i nevojshëm.

Të dyja këto figura ofrojnë shërbimin falas. Ofrojnë gjithashtu falas një sërë certifikatash si për shembull, për mungesë nga puna në rast se personi apo fëmija e tij është i sëmurë, ka dëmtime fizike etj., për ushtrimin e aktiviteteve sportive në shkollë etj. Janë me pagesë, certifikatat si ajo që kërkohet për ushtrimin e aktiviteteve sportive profesionale, që mund të kërkohet për lidhjen e një sigurimi privat etj.

Si zgjidhen mjeku e pediatri i familjes

Kur bëhet regjistrimi në SSN, në të njëjtin çast, e në të njëjtën zyrë të Ndërmarrjes Shëndetësore Lokale, zgjidhet edhe mjeku i familjes dhe pediatri për fëmijët. për zgjedhjen e tyre mund të konsultohet një listë mjekësh e pediatrësh të disponueshëm.

Mjeku dhe pediatri i familjes mund të ndryshohen në çdo çast: ndryshimi kërkohet gjithnjë në zyrën e ASL-it duke dhënë në të njëjtën kohë mjekun e ri të zgjedhur.

 

 

 

I dua shqiptarët

Shërbimi Shëndetësor Kombëtar italian dhe regjistrimi në të