in

Shfuqizohet moratoriumi i skafeve

Ka përfunduar bllokimi 7-vjeçar i mjeteve motorike të lundrimit. Kronikat tregojnë se ligji i kërkuar me forcë nga Berisha sapo erdhi në qeveri në vitin 2005, nuk arriti të bëjë shumë kundër trafiqeve të jashtëligjshme, por ndërkohë i shkaktoi dëme të mëdha turizmit dhe peshkimit në vend

Ka marrë fund edhe bllokimi 7-vjeçar i mjeteve motorike të lundrimit. Pas një periudhe disavjeçare, gjatë të cilës operatorët turistikë e kanë pasur të ndaluar të zhvillojnë bizneset e tyre me sportet e ujit, lundrimet për peshkim e turizëm, për sezonin e kësaj vere ata mund të investojnë edhe në këtë drejtim.

Shtatë vjet pas vendosjes së Moratoriumit të mjeteve motorike detare, mund të thuhet se trafiqet e paligjshme drejt Italisë nuk kanë rënë (shih kronikat mbi sasitë e mëdha të drogës së sekuestruar në brigjet e Puglias gjatë vitit të shkuar), ndërsa nga ana tjetër dëmet në sektorin e turizmit dhe në atë të peshkimit familjar, kanë qenë të shumta.

Xhulian Varfi, nënkryetar i Bashkisë së Durrësit, i kontaktuar nga Shqiptarja.com, numëron disa nga dëmet që solli moratorium gjatë 7 vjetëve. “Dëmet duket se janë të pallogaritshme. Biznesi më i madh i ndëshkuar nga ky vendim qeverie, i shndërruar më pas në ligj, është ai i turizmit Pas marrjes së këtij vendimi, sallonet e shitjes së mjeteve motorike u mbyllën, pronarët e resorteve turistike tërhoqën kërkesat për licenca për krijimin e linjave detare të brendshme për shëtitjen e pushuesve; peshkimi familjar u asfiksua thuajse fare; dëme u pësuan edhe në fushën e sportit: zhytësit amatorë, të cilët nuk kishin me se të dilnin në det për të ushtruar sportin e tyre të zhytjes”.  

Përgjatë bregdetit të Durrësit, deri në fillim të vitit 2006 ushtronin aktivitetin e tyre rreth 150 grupe peshkimi që gjuanin deri 5 milje larg bregut të detit dhe me këtë punë mbanin familjet e tyre. Pas vendosjes së Moratoriumit ato u zhdukën thuajse fare, pasi nuk kishin mundësi ta ushtronin këtë profesion.

Shëngjini është një nga plazhet më të frekuentuara më vend, pas Durrësit e Vlorës. Edhe aty biznesi turistik është prekur nga moratorium. Kryetari i Komunës Shëngjin, Salvador Kaçaj, i pyetur nga Shqiptarja.com, është shprehur se heqja e moratoriumit do të ndikojë pozitivisht në zhvillimin e turizmit.

Pozitiv edhe reagimi i reagimi i operatorëve turistikë, të cilët janë shprehur mjaft të gëzuar me përfundimin e këtij afati. Kryetari i Shoqatës së Operatorëve Turistikë për Jugun, Vasil Bedini, ka deklaruar për mediat se “mbarimi i afatit është një lajm i mirë për të gjithë banorët e Jugut. Nga sot, të gjithë liqenet edhe detet shqiptare janë të lira nga efektet bllokuese të këtij Moratoriumi”.

Ministria e Jashtme detyron diplomatët të deklarojnë dyshtetësinë

Punonjësit sezonalë. Gati dekreti i flukseve për 30 mijë persona