in

Shitblerja e votës, tumori i demokracisë shqiptare

A ka një mallkim historik që rëndon mbi kryet e shqiptarëve që, edhe mbasi hoqën qafe zgjedhën e komunizmit që qe sinonim varfërie e prapambetjeje, nuk janë të zotët të ndërtojnë një jetë më të mirë? Sepse arsyetimi, çfarëdo rruge të rrihet, të çon në të njëjtën pikë: varfëria shekullore vazhdon të rëndojë mbi shpatullat e shqiptarëve, sa që i ka marrë gjithçka, jo vetëm idealet e vlerat, por edhe personalitetin që shitet për një thes miell, për një dorë parash, për…
Nga Eugjen Merlika

Në çdo sërë votimesh që zhvillohen në Shqipëri, që nga viti 1991 e deri më 25 qershor 2017, në përfundimet e tyre gjithmonë është thënë se “këto votime kanë qenë më të mira se paraardhëset e tyre, por megjithatë kanë mangësi që duhen ndrequr”. Këto të fundit quhen si “më të mirat” e zhvilluara deri tani. Na duhet të presim dy muaj për të patur raportin e plotë të OSBE–ODIHR mbi zhvillimin e tyre, por zëra nga burime të ndryshme vërtetojnë se ato janë krejt tjetër nga një sukses i plotë. Edhe sikur të kishin qenë teza filozofike për t’u zbërthyer në 26 vjet provimesh, çdo dy vjet, do të kishin përfunduar me sukses. Ndërsa votimet tona paraqesin gjithmonë të njëjtën pamje të zymtë, të një dukurie të paarrirë, që duhet përmirësuar vazhdimisht.

Kryetari i vëzhguesve të ODIHR-it, duke folur për votimet e 25 qershorit, këshilloi përsëri ndërrimin e praktikës së mbarështimit të zgjedhjeve, nëpërmjet komisioneve zgjedhore, të emëruara nga partitë politike, duke patur si kriter forcën e tyre të kaluar zgjedhore. Është një sistem që nuk zbatohet në asnjë Vend të zhvilluar të Perëndimit, në të cilin ai iu besohet qytetarëve të painteresuar për politikën aktive. Mendoj se në këtë praktikë partitokratike duhet kërkuar një pjesë e së keqes së “tjetërsimit të votave”, e cila sipas disa pohimeve, nuk mungoi të shfaqej edhe në votimet e fundit. Kjo praktikë është kthyer në një “tabu” të paprekshme, mbasi të tilla janë dhe interesat e partive politike, edhe sikur të bien ndesh me ligjshmërinë apo parimet e Shtetit bashkëkohor.

Mendoj se nuk është ky i vetmi mjet për të shëruar këtë tumor të demokracisë shqiptare, e për të sjellë në normalitet këtë dukuri, me të cilën po ballafaqohemi që prej më shumë se një të katërt qindvjeti që kemi dalë nga gjysma e shekullit, në të cilin votimet ishin gjëja më e pakuptimtë që mund të merrej me mënd. Pasojat e atij gjysmë shekulli, të asaj shoqërie hibride mes njeriut e kafshës së punës, si në shumë fusha të tjera, po i ndiejmë edhe në psikologjinë e zgjedhjeve. Ideja e votimit për partinë, që dikur ishte zotëruesja e padiskutueshme e fatit të njerëzve, “kisha” apo “teqja” ku faleshin shqiptarët për të patur të drejtën për të marrë frymë, për të studiuar, për të punuar aty ku dëshironin, për të krijuar familje e për të menduar mbi të ardhmen e saj, duket se është përcjellë edhe te brezi që ka lindur mbas vitit 1990.

Edhe se partitë janë shtuar në pafundësi, edhe se qytetari nuk duhet të jetë më objekt i sprovës së Shtetit, por një njeri i lirë që zgjedh në mënyrë të pavarur rrugën e jetës së tij e, si i tillë, i prirur që të ketë pavarësi mendimi e gjykimi, ai mbetet i lidhur psikologjikisht me partinë së cilës i beson. Por kjo nuk do të kishte asgjë të keqe, nëse lidhja me partinë, me cilëndo parti, nuk do të kthehej në sinonim të vetë të qenit, një vartësi dramatike për kërkesat më parake të të jetuarit.

Shoqëria që kemi ndërtuar në këto vite, për shumë arsye objektive ekonomike, por edhe subjektive të klasës drejtuese, nuk e ka çliruar plotësisht qytetarin nga vartësia e pushtetit. Në një pjesë të madhe ai nuk arrin të plotësojë kërkesat themelore të jetesës vetëm me fuqitë e veta. Atëherë kthen sytë nga Shteti, që nuk është tjetër veçse partia në pushtet. Me anë të punësimeve shtetërore, që janë levat më të fuqishme për të tërhequr njerëzit mbas karros së pushtetit, politika në këto vite ka krijuar kastat e reja, të lidhura me emrat e partive më të mëdha. Këto kasta, të lidhura për bukën e gojës me punëdhënësin partiak, janë të gatshme të veprojnë me të gjitha mjetet për të siguruar fitoren zgjedhore të partisë që i mbështet. E mjetet që përdoren për të arritur synimin, jo gjithmonë janë të tejdukshme, ligjore e, për më tepër, morale.

Kësaj tabloje i duhet shtuar një tjetër përbërës, i cili bëhet edhe më përcaktuesi në katrahurën e parregullsive zgjedhore e që është ai i pasurimit të paligjshëm të partive, nëpërmjet krijimit të fondeve të zeza për të blerë votat, për të korruptuar qytetarët edhe në ushtrimin e të drejtave e detyrave të tyre më themelore, siç është ai i votës. Kjo makinë e stërmadhe korrupsioni arrin të tjetërsojë vullnetin e vërtetë të zgjedhësve. I ngjan një kuçedre që vepron haptas e fshehtas, që përvëlon me frymën helmuese të zjarrit çdo shfaqje ndershmërie e çdo përpjekje njerëzish vullnetmirë për të mbrojtur vlerat e parimet.

Në këtë periudhë, që shënon perëndimin e ideologjive klasike, frymëzuese të platformave politike, ajo pushton mëndje e ndërgjegje e, si cunami, merr përpara këdo që mundohet t’i kundërvihet, ideale, programe, vlera, parime…..

Të gjitha këto mendime më erdhën në tru, kur lexova një shkrim të z. Fitim Zekthi, kandidat i PD për qarkun e Elbasanit. Ai shkrim i thjeshtë ishte rrëqethës për cilindo që ka në zemër Shqipërinë. Me fakte të gjalla e bindëse, me pak penelata, autori i shkrimit na paraqet një tablo të errët të zgjedhjeve të fundit, që përmbysën disa baraspesha të jetës politike dhe administrative shqiptare.

Njerëz që i njoh me vite më thoshin: Fitim, ti e di, ne jemi djathtas, por ata po marrin lekë, do na jepni gjë?”. Mjafton vetëm kjo dëshmi për të kuptuar, në të gjithë lakuriqësinë e tij, realitetin shqiptar. Ajo sjell ndërmend legjendën e misrit të kujtesës migjeniane e na vë para një pyetjeje, e cila duhet të shpaloset para ndërgjegjes së secilit prej nesh: a ka një mallkim historik që rëndon mbi kryet e shqiptarëve që, edhe mbasi hoqën qafe zgjedhën e komunizmit që qe sinonim varfërie e prapambetjeje, nuk janë të zotët të ndërtojnë një jetë më të mirë? Sepse arsyetimi, çfarëdo rruge të rrihet, të çon në të njëjtën pikë: varfëria shekullore vazhdon të rëndojë mbi shpatullat e shqiptarëve, sa që i ka marrë gjithçka, jo vetëm idealet e vlerat, por edhe personalitetin që shitet për një thes miell, për një dorë parash, për…

Për pak gjë shet votën e tij, edhe sepse vota për të nuk ka më asnjë vlerë, sepse, sido që të votojë, atje në krye, ata që do të vihen do të mendojnë më shumë për kuletën apo thesin e tyre se sa për kafshatën e tij. Kjo është e vërteta ngjethëse që të merr frymën e të errëson pamjen, sepse në këtë të vërtetë kemi secili pjesën tonë, sepse secilin, sipas mundësive, mund ta cimbisë apo vrasë ndërgjegjja se nuk bëri aq sa duhej, si pjesë integrale e së njëjtës bashkësi, për të mos arritur në këtë gjendje…..

Nuk kam prova të shitblerjes së votës, por nëse ka prova për këtë, ato duhen të paraqiten para Gjykatës. Për mua shitblerja e votës është një çështje nderi. Ata që blejnë votën dhe që e shesin atë, nuk kanë nder dhe shkatërrojnë vendin e tyre. Dhe nëse kjo vazhdon, atëherë mirupafshim”.

Kështu u shpreh mbas zgjedhjeve raportuesi për Shqipërinë në Komisionin Europian, Knut Fleckenstein. Është opinioni i një njeriu që e shikon nga lart dukurinë, një të tillë që përbën sensacion në Vendin e tij, një veprim që duhet të ketë të bëjë vetëm me gjykatën, mbasi është i huaj për shumicën dërmuese. Këtu qëndron ndryshimi i ynë me botën e qytetëruar, sepse te ne kjo dukuri e kobshme është masive në shumicën e saj. Fjalët e parlamentarit gjerman janë si një pasqyrë që vihet para ndërgjegjes sonë kombëtare, por edhe si një paralajmërim i gjithanshëm, se Europa nuk do të pranonte në gjirin e saj Vende me sisteme të tilla në të cilat “Vëzhguesit e OSBE-së raportuan blerje masive të votave në ditën e zgjedhjeve”, siç shkruante Dimitar Becher, një komentator i Al Jazeeras.

Por pavarësisht faktit se si na shohin e gjykojnë të huajt, rruga pa kthim në të cilën jemi futur, si pasojë e lakmisë për pushtet të klasës sonë politike, është një si shkëmb i madh në ecjen tonë përpara. Përballja me të fillon me vetëdijësimin e plotë të gjendjes, me pranimin e ndërgjegjshëm pa justifikime të së vërtetës, me përpjekjen e të gjithëve, popull, intelektualë, shoqëri civile e, mbi të gjithë, pjesa e shëndoshë e politikës dhe e drejtësisë për t’u zotuar në një ndërmarrje të stërmadhe, në atë të shkuljes nga trupi ynë të atij tumori të rrezikshëm për të sotmen e për të ardhmen tonë të përbashkët.

Duhet të kemi guximin, jo vetëm me fjalë, të vëmë në bankën e akuzës së fenomeneve shoqërore të historisë sonë dukurinë e shitblerjes së votave, me të gjitha pasojat e saj të dëmshme. Duhet të kemi vendosmërinë për të vënë në bankat e llogaridhënies së Drejtësisë, përgjegjësit kryesorë të kësaj dukurie të shëmtuar, që bie ndesh me vetitë tradicionale të karakterit shqiptar, si besa e ndershmëria. Së bashku me ngritjen e nivelit të mirëqenies së pjesës më të varfër të Vendit e sigurimin e mundësive të secilit për të fituar jetën me punë të ndershme, çrrënjosja e korrupsionit në të gjitha nivelet, mbetet misioni më i madh që duhet të kemi si shoqëri e si Shtet.

Nëse dështojmë në sendërtimin e këtij misioni, do të shkojmë kokulur në gjyqin e pashmangshëm të historisë sonë, e do të kemi vënë në rrezik të ardhmen e një tjetër brezi të pasardhësve tanë, të cilët nuk do të na falin kurrë për dëmin që po iu shkaktojmë me sjelljen tonë të papërgjegjshme, madje deri edhe kriminale.

Botuar në Mapo

 

 

 

INPS: “Po t’u mbyllim dyert imigrantëve, humbasim 38 milardë € deri në 2040”

Bonus bebe. Gjykata u jep sërish të drejtë imigrantëve: “INPS të mos kërkojë kartë qëndrimi”