in

Shkolla italiane. Më 22 janar nisin regjistrimet, për italianë e bij imigrantësh

Nis procedura për regjistrimet në klasat e para të fillores, ciklit të dytë të tetëvjeçares dhe vitet e para të shkollës së mesme. Gjithçka bëhet në online përmes faqeve internet të ministrisë së Arsimit. Mund të paraqesin kërkesën dorazi pranë shkollave vetëm ata që janë pa leje qëndrimi

Më 22 janar nisin regjistrimet, për italianë e bij imigrantëshRomë, 15 janar 2016 – Nisin regjistrimet online në shkollat shtetërore për klasën e parë të fillores (elementari), të ciklit të dytë të tetëvjeçares (medie) dhe për vitin e parë të shkollave të mesme (superiori) për vitin e ardhshëm shkollor 2016/2017. E njëjta gjë vlen edhe për kurset e formimit dhe shkollimit të Qendrave krahinore të formimit profesional.

Edhe këtë vit, për këto shkolla, gjithçka bëhet përmes portalit internet të ministrisë së Arsimit, në adresën https://iscrizioni.pubblica.istruzione.it. për shkollat private, regjistrimi online është fakoltativ, ndërsa për kopshtet (scuola materna) regjistrimi vazhdon të bëhet me kërkesa në letër.

Nga sot prindërit mund të regjistrohen online në portalin e ministrisë, një hap ky që do t’u mundësojë të kenë një emër përdoruesi dhe fjalëkalim. Por për të përpiluar kërkesën e regjistrimit do të kenë kohë nga ora 8.00 e 22 janarit deri në orën 20.00 të 22 shkurtit. E rëndësishme është që të bëhet brenda kësaj periudhe, por nuk është e nevojshme të nxitohet, nuk vlen rregulli (i flukseve për shembull) “fiton kush arrin i pari”.

Kush nuk i ka akoma të qarta idetë se në ç’shkollë dëshiron të regjistrojë fëmijët mund të lidhet me portalin “Scuola in chiaro” në adresën cercalatuascuola.istruzione.it. Duke shënuar komunën e rezidencës mund të shohë listën e të gjitha shkollave, hartën me shpërndarjen e tyre në territor dhe karakteristikat e çdo instituti, nga oraret te oferta didaktike.

Edhe prindërit e huaj në Itali e kanë për detyrë të regjistrojnë bijtë në shkollë. Shkollimi është një e drejtë për të gjithë fëmijët e të rinjtë, pavarësisht vendlindjes dhe statusit të prindërve të tyre që kanë detyrim ligjor t’i çojnë ata në shkollë.

Imigrantët e rregullt mund të bëjnë regjistrimin online në https://iscrizioni.pubblica.istruzione.it, njësoj si italianët. Nëse bijtë e tyre nuk kanë akoma një kod fiskal, për shembull sepse sapo kanë mbërritur në Itali me bashkim familjar, sistemi u lejon të gjenerojnë një kod të përkohshëm e të kryejnë procedurën e regjistrimit.

Ndryshon puna për prindërit që nuk kanë leje qëndrimi. Edhe pse me qëndrim të parregullt në Itali duhet, sidoqoftë, të çojnë bijtë në shkollë, por në vend të regjistrimit online duhet të shkojnë personalisht në sekretarinë e institutit të zgjedhur, pa pasur frikën e paditjes pranë forcave të rendit. Shkolla nuk do t’i përcjellë policisë të dhëna mbi qëndrimin e tyre në Itali: e drejta e studimit është më e rëndësishme se lufta kundër imigracionit të parregullt.

EP

 

Vizat e hyrjes. Nga 2016 do të paguajnë edhe studentët: 50 euro

Regjistrimi i fëmijëve në shkollë deri më 22 shkurt. Ja si bëhet