Nga dje mund të bëhet regjistrimi në faqet internet të ministrisë së Arsimit ku prindërit pajisen me kod përdoruesi e fjalëkalim. Kërkesat e regjistrimit për vitin shkollor 2017/2018 paraqiten nga 16 janari. Kush nuk ka leje qëndrimi duhet të paraqesë kërkesë dorazi pranë në sekretari, pa pasur frikë se e padisin
Romë, 10 janar 2017 – Sapo kanë mbaruar pushimet për festat e fundvitit, por për shumë familje është koha për të menduar për vitin e ardhshëm shkollor. Prindërit italianë e të huaj që duhet të regjistrojnë bijtë në klasën e parë të fillores (elementari), të ciklit të dytë të tetëvjeçares (medie) apo në vitin e parë të shkollave të mesme (superiori) për vitin shkollor 2017/2018, bëjnë mirë të vihen përpara kompjuterit. Nga dje, e hënë 9 janar, janë hapur regjistrimet në portalin e ministrisë së Arsimit www.iscrizioni.istruzione.it.
Duke u regjistruar online, prindërit do të kenë një emër përdoruesi dhe fjalëkalim që do të mund të përdorin për të paraqitur më pas kërkesën e regjistrimit në shkollë të bijve, që do të mund të bëhet në në njëjtin uebsajt nga ora 8.00 e 16 janarit deri në orën 20.00 të 16 shkurtit 2017.
Kush e ka tashmë identitetin digjital SPID (Sistemi Publik i Identitetit Digjital) mund të kapërcejë fazën e regjistrimit në portal e të kalojë drejtpërdrejt në paraqitjen e kërkesës së regjistrimit në shkollë përmes kredencialeve të veta.
Regjistrimet online janë të detyrueshme për shkollat shtetërore dhe fakoltative për shkollat private. Për qytetarët e huaj me qëndrim të rregullt në Itali vlen e njëjta procedurë e parashikuar për italianët.
Ndryshon puna për prindërit që nuk kanë leje qëndrimi, që sidoqoftë e kanë detyrim të çojnë bijtë në shkollë. Por në vend të regjistrimit online duhet të shkojnë personalisht në sekretarinë e institutit të zgjedhur, pa pasur frikën e paditjes pranë forcave të rendit. Shkolla nuk do t’i përcjellë policisë të dhëna mbi qëndrimin e tyre në Itali: e drejta e studimit mbetet më e rëndësishme se lufta kundër imigracionit të parregullt.
Stranieriinitalia.it/Shqiptariiitalise.com
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)