Shoqatat informojnë: Me nismën e Scanderbegut të Parmës, fëmijët e shkollës së organizuar nga kjo shoqatë bashkë me ata të shkolllës shqipe të Montegrotto Terme kanë vizituar disa vende “shqiptare” të Venecias e kanë takuar profesoreshën Lucia Nadin që u ka folur për to
Të dielën më 10 prill 2016 shkolla shqipe “Scanderbeg Parma” organizoi një vizitë kulturore në Venecia me objektivin e njohjes së vendeve të rëndësishme të shqiptarëve të këtij qyteti ndër shekuj.
Shkolla përfaqësohej nga stafi i mësuesëve të saj Aurela Lashi dhe Erlinda Hoxha të ciklit të ulët, Mimoza Cerri mësuese e letërsisë shqipe, Sonila Otobashi e gjuhës shqipe, Elvira Lashi e muzikës, kostumeve dhe traditave shqiptare dhe Durim Lika përgjegjësi i shkollës dhe mësues i historisë dhe gjeografisë.
Grupit iu bashkua edhe shkolla shqipe e Montegrotto Terme, (PD) me mësueset dhe nxënësit e tyre të drejtuara nga Erida Cela. Me ndihmën e Eridës dhe mësueses Hedie Xhyheri të shkollës shqipe “Lidhja e Prizrenit” në San Zenone (TV) u bë e mundur edhe ardhja e profesoreshës Lucia Nadin, historiane që ka nxjerrë në dritë dokumente të jashtëzakonshme për nga vlera që dëshmojnë lidhjet mes Venedikut dhe Shqipërisë në shekujt XV-XVI.
Nxënësit vizituan disa qendra të rëndësishme që flasin për historinë e Shqipërisë si rrugët e Venecias me emrat “Calle dei Albanesi”, toponime që janë vënë për nder të shqiptarëve që kanë jetuar në shekujt XIV- XVI në ato vende. Më pas u vizitua edhe fasada “Archivio di Stato” i Venecias ku profesoresha veneciane Lucia Nadin foli për kërkimet e saj në këto 20 vjet në atë arkiv dhe i bëri një apel shqiptarëve që të bënin kërkime në “40 km arkiv të kësaj godine” ku flë edhe historia e Shqipërisë.
Më pas profesoresha Nadin tregoi rrënojat e një ndërtese që kishte qenë e destinuar nga shteti i Venecias si rezidencë për heroin tonë kombëtar Skënderbeun si mirënjohje për luftën që kishte bërë populli shqiptar kundër pushtuesve osmanë. Sipas saj ky pallat ka qenë deri në vitin 1500.
Lucia Nadin tregoi edhe për “Scuola degli albanesi” një shoqatë e shqiptarëve të atyre viteve që u mësonin gjuhën dhe kulturën shqiptare fëmijëve. Vittorio Carpaccio djali i një emigranti nga Korça e dhuroi gjashtë piktura me motive fetare. Sot dy nga këto janë në Venecia, një në Bergamo dhe dy në Milano. Për afreskun në kishën e Shën Sebastianit në San Sebastiano në Venecia studiuesit e artit, jo vetëm në Itali, gjithmonë kanë menduar se ashtu si edhe kisha i ishte kushtuar ushtarit me emrin Sebastian që kishte luftuar kundër Dioklezianit në mbrojtje të besimit fetar. Që gjatë kohës së restaurimit, falë prof. Nadin u zbulua se bëhej fjalë për heroin tonë kombëtar Gjergj Kastioti Skënderbeu, vepër e Veronezit (Paolo Caliari Veronese). Në pikturë shihet flamuri shqiptar, heroi ynë legjendar, gratë-nënat shqiptare që përcjellin në luftë kundër otomanëve burrat dhe djemtë e tyre. Tek “Palazzo Ducale” në Venecia një pikturë e Veronezit me titull “Shtetrrethimi i Shkodrës 1507” shihet qartë doge Loredan duke shpëtuar nga duart e otomanëve një grua shkodrane.
Numri i madh i nxënësve dhe pamundësia fizike për të vizituar brenda një dite të gjitha pikat kyçe të historisë sonë la një mundësi për secilin nga ne që të vizitojmë me qetësi këtë qytet të rëndësishëm të gjurmëve të shqiptarëve në kohën e Skënderbeut.
Më pas ekipet e shkollave vizituan qytetin e bukur të Venecias, sheshin e famshëm “San Marco” ku edhe bënë fotografi me flamurin kombëtar, shëtitën me varkat tipike të Venecias (gondole).
Kjo shëtitje ishte shumë e rëndësishme për nxënësi, prindërit dhe për vetë ne mësuesit e shkollave. Ne kemi mësuar shumë pak nga historia jonë e groposur në shekuj. I takon shtetit shqiptar që të financojë kërkimet në arkive kyçe botërore për dokumentimin e historisë sonë të mbuluar nga pluhuri i harresës.
Shkolla shqipe “Scanderbeg Parma”
Lexo edhe:
Lucia Nadin zbulon flamurin e Kastriotit në afresket e kishës së Shën Sebastianit në Venecia
Shqipëria në Venedik
Venediku në Shqipëri
Statutet e Shkodrës. Nga Venecia në Tiranë