“Shkrim Migrant, mes letërsisë dhe gazetarisë – Profile dhe prirje të rilindjes kulturore të shqiptarëve të Italisë”, takim publik në bibliotekën Primo Levi, të Torinos, të shtunën, më 11 dhjetor, nga ora 16.00
Të shtunën, më 11 dhjetor në orën 16.00, pranë sallës së konferencave të bibliotekës Primo Levi, në rrugën Leoncavallo 17, në Torino, shoqata Art@mia në bashkëpunim me Alba Media, botimet në gjuhë të huaj të Qytetit të Torinos dhe Shkodra Life, ftojnë publikun të marrë pjesë në takimin me titull: “Shkrim migrant mes letërsisë dhe gazetarisë: Ballafaqim përvojash”.
Takimi parashikon dy tryeza të rrumbullakëta, e para e drejtuar nga Kryetarja e ANSI-t (shoqata kombëtare e shtypit ndërkulturor), Viorica Nechifor. Në tryezën e dytë të moderuar nga gazetarja Gerarta Zheji Ballo jepet një panoramë e mediave shqiptare në Itali dhe në veçanti paraqitet përvoja e Albanianews, media italo-shqiptare. Diskutojnë themeluesit e albanianews-it Olti Buzi, Darien Levani, Ismail Ademi, Alban Trungu dhe Manfred Bushi.
Në këto dy tryeza ballafaqohen tema me rëndësi sociale aktuale si identiteti, dialogu ndërkulturor, gjuhët e reja të shprehjes, vlera e shtuar e gazetarisë së re migruese.
Pasditja vazhdon me shfaqjen e një video-reportazhi, nën kujdesin e operatorit Indrit Aliu dhe gazetares Leonora Memia, dhe një ndërhyrje muzikore të shoqatës Shkodra Life.
Në darkë, pas një kokteji me shije ballkanike, në orën 21, në Jazz Club Torino, mund të ndiqet koncerti Jazz i pianistit shqiptar Robert Bisha që ofron repertor me pjesë origjinale dhe klasike të riarranxhuara.