in

Shkrimtarë e gazetarë kujtojnë përkthyesin Dritan Çela

Tiranë, 6 mars 2011 – Shkrime e kujtime nga shkrimtarë, përkthyes, gazetarë të ndryshëm, që i dedikohen përkthyesit Dritan Çela, i ndarë nga jeta 5 vjet më parë, si dhe disa nga përkthimet e tij, janë përmbledhur në librin “Përgjigje për dashurinë” që u promovua të shtunën paradite në mjediset e MTKRS.

Aktiviteti u organizua nga babai i Dritan Çelës, shkrimtari Zija Çela, i cili u shpreh se “mënyra se si njerëzit e letrave e kanë sjellë Dritanin në këtë libër është prekëse. … Sot Tani është këtu sepse është e vërtetë ajo që thuhet se të fjeturit nuk janë gjithmonë atje ku i mendojmë, por janë atje ku bisedohet për ta”.

Në promovimin e librit ishin të pranishëm personalitete të fushave të ndryshme, mes të cilëve dhe Kryeministri Sali Berisha. Për shkrimtarin Arjan Leka, ky libër plotëson me fjalë portretin e Dritanit dhe se ky libër shndërrohet në një akt dhurimi.”Po të vërejmë se në sa pak vite përktheu Dritan Çela ato që në formë antologjike i gjejmë tek libri që kemi në dorë, do të kuptojmë se koha për Dritanin, si koncept dhe realitet, nuk ka ekzistuar, për të ka ekzistuar një hapësirë e zbrazur që duhej mbushur me atë pjesë të bukurisë së botës që i mungonte bukurisë së botës sonë”, tha Leka. Regjisori Mevlan Shanaj u shpreh se sot nuk kemi ikje, por kemi ardhje dhe ardhja e këtij libri është një kënaqësi për të gjithë. Ndërsa shkrimtari Bardhyl Londo u shpreh për Dritan Çelën se ai ishte një përkthyes shumë i talentuar që në radhë të parë njihte dhe donte gjuhën shqipe.

Libri me rreth 400 faqe është i ndarë në dy pjesë. Në pjesën e tij të parë përmbledh shkrime të personaliteteve të letrave shqipe si Agron Tufa me “Vepra e pandreqshme e vdekjes”, Bardhyl Londo “Po, kështu shkruhet për dashurinë”, Dhurata Shehri “Për dashurinë dhe demonë të tjerë”, Kim Mehmeti “Biri im”, Virgjil Muçi “Dëshmi e pjekurisë letrare”, Zija Çela “Djemtë tanë dhe djemtë e botës’, etj.Në pjesën e dytë të librit janë disa nga përkthimet e Dritan Çelës të autorëve Dino Buzzati, Gabriel Garsia Markez, Luigi Pirandelo, Leonardo Shasha, Jorge Luis Borges, etj.

Dritan Çela u lind në janar 1970. Në vitin 1992 u diplomua për gjuhë-letërsi shqipe dhe në moshën 23 vjeçare përktheu “Shkretëtirën e tartarëve” të Buzzatit, për të vazhduar më pas me autorë të tjerë të rëndësishëm italianë. Çela u nda nga jeta në 4 mars 2006 në moshën 36-vjeçare dhe deri atëherë përktheu 11 libra, ndërsa dy i mbetën përgjysmë.

Anilda Ibrahimi rrëfen gruan shqiptare në Parma

Tragetet anulojnë udhëtimet pa asnjë lajmërim