in

Shkrimtarja shqiptare akuzon për plagjiaturë fituesin e çmimit Strega

Anila Hanxhari ka hedhur në gjyq shkrimtarin Tiziano Scarpa, duke e akuzuar se në romanin e tij “Sabat Mater”, me të cilin ka fituar çmimin Strega, “ka bërë përpunim krijues pa leje” të një romani të saj

Më 13 korrik do të fillojë në Gjykatën e Venecies seanca e gjyqit që poetja shqiptare Anila Hanxhari ka hapur kundër shkrimtarit Tiziano Scarpa lidhur me romanin e tij të njohur “Sabat Mater”, fitues në vitin 2009 i çmimit Strega.

Akuza e poetes shqiptare është se shkrimtari i njohur ka “bërë një përpunim krijues pa leje” të romanit “Maria delle caramelle”, dorëshkrimin e të cilit autorja e ka dërguar në vitin 2008 pranë shtëpive botuese Mondadori dhe Einaudi. Pra akuza nuk është për plagjiaturë, siç shpjegon në një intervistë dhënë gazetës La Repubblica avokatja mbrojtëse e Anila Hanxharit, sepse “Tiziano Scarpa ka shtuar elementë të vet krijues, por kjo nuk mjafton për të mbuluar pjesët e përpunuara, ngjashmëritë dhe huazimet letrare”. Elementë që akuza i konsideron të mjaftueshëm për t’i quajtur si shkelje të së drejtës së autorit.

Tani Anila Hanxhari kërkon dëmshpërblimin: “të paktën sa të ardhurat që ka sjellë romani i Tiziano Scarpas dhe që në fund të romanit të shkruhet që pjesë të tij janë frymëzuar nga “Maria delle caramelle”. Me sa rrëfen autorja shqiptare edhe në veprat e botuara më pas, “Le cose fondamentali” (Einaudi) dhe “La vita, non il mondo” (Laterza) të të njëjtit autor kanë brenda elementë që ngjajnë shumë me dorëshkrimin e romanit të saj.

Tani për tani shkrimtari Tiziano Scarpa nuk ka bërë asnjë koment, ndërsa përfaqësues të shtëpisë botuese Einaudi deklarojnë se akuza është e pabazë.

Nuk është hera e parë që romani “Sabat Mater”, i botuar nga Einaudi, shkakton polemika. Edhe më parë janë vënë re në të ngjashmëri me pjesë të veprës “Lavinia fuggita” të Anna Banti.

Anila Hanxhari ka lindur në vitin 1974 në Durrës dhe prej 1993 jeton në Itali. Deri tani ajo ka botuar tre vëllime me poezi, të vlerësuara shumë nga lexuesit e kritika; është e pranishme në antologjinë “Nuovissima poesia italiana” (Mondadori, 2005).

Ir.Ca.

Sigurimi i makinave më i shtrenjtë për imigrantët

Futboll: Skënderbeu kampion pas 78 vjetësh. Korça në festë