Për të intensifikuar bashkëpunimin mbi sigurinë, kundër kriminalitetit e emigracionit klandestin
Romë, 18 maj 2017 – Bashkëpunimi në sektorin e sigurisë dhe të luftës kundër terrorizmit, kontrolli i kufijve dhe lufta ndaj emigracionit të parregullt, kryesisht të të miturve, e trafikut të drogës kanë qenë temat kryesore të takimit të djeshëm në selinë e Ministrisë së Brendshme në Romë mes ministrit italian Marco Minniti dhe homologut të tij shqiptar Fatmir Xhafaj. Këtë thonë njoftimet për shtypin e Viminales dhe e ministrisë së Brendshme shqiptare.
“Minniti e Xhafaj kanë rënë dakord të intensifikojnë më tej bashkëpunimin operativ e hetimor mes forcave të Policive. – lexohet në komunikatë – Janë programuar kurse formimi e përditësimi, për të kundërshtuar dukuri kriminale vendase e transkombëtare, duke përforcuar shkëmbimin e informacioneve edhe për luftën ndaj trafikut të substancave narkotike”.
Ndërsa në njoftimin për shtyp të ministrisë së Brendshme të Shqipërisë saktësohet se në takim “u vendos të krijohet një grup pune i përbashkët i dy ministrive për përgatitjen e disa marrëveshjeve të rëndësishme dypalëshe, si: marrëveshje në luftën kundër terrorizmit; marrëveshje në luftën kundër mbjelljes dhe trafikimit të lëndëve narkotike; marrëveshje në fushën e mbrojtjes së dëshmitarëve të drejtësisë; marrëveshje në fushën e turizmit (kryesisht në menaxhimin e përbashkët të kontrollit kufitar), marrëveshje në fushën e migracionit të paligjshëm (kryesisht të fëmijëve të mitur të pashoqëruar), si dhe binjakëzimin e Akademive të Sigurisë.
Ministri Xhafaj gjatë vizitës në Romë zhvilloi një takim edhe me Prokurorin e Drejtorisë Kombëtare të Antimafias, Franco Roberti, me të cilin “u diskutua mbi reformën në drejtësi, si dhe u ra dakord për thellimin e marrëdhënieve të ndërsjellta dypalëshe, kryesisht në drejtim të hetimeve të përbashkëta në luftën kundër trafikut të lëndëve narkotike dhe grupeve të strukturuara kriminale”.