in

Shqipëri. Taksat që ndryshojnë nga 1 janari

Me paketën e re fiskale të miratuar në Kuvend ditët e fundit të dhjetorit, edhe në Shqipëri aplikohet tashmë taksa progresive mbi fitimin. Për biznesin e madh tatimi mbi fitimin, që ishte 10%, bëhet 15%

Tiranë, 6 janar 2014 – Nga 1 janari me paketën e re fiskale të miratuar në dhjetor në Kuvendin e Shqipërisë disa taksa ndryshuan.

Ndër  më të debatuarat që hyn në fuqi, është taksa progresive mbi të ardhurat me heqjen e taksës së sheshtë prej 10%. Aplikimi i parimit “kush fiton më shumë, paguan më shumë”, ishte premtim elektoral i PS-së, sipas të cilës kështu “do të sigurohet mbështetja e shtresave në nevojë dhe e shtresave të mesme të popullsisë”. Tatimi progresiv mbi fitimin parashikon parashikon 0% taksë për rrogën deri në 30 mijë lekë në muaj, 13% taksë për atë nga 30 mijë deri në 130 mijë në muaj dhe 13.000 lekë + 23% taksë për rrogat mujore mbi 130 mijë lekë në muaj. Me këtë skemë të tatimit progresiv, praktikisht të gjithë ata që marrin rroga mujore nën 130 mijë lekë në muaj do të paguajnë më pak taksa se me sistemin e shesht të tatimit që ishte në fuqi deri vitin e shkuar. Paguajnë njësoj ata që marrin 130 mijë në muaj dhe do të paguajnë më shumë ata që kanë rroga më të larta se 130 mijë në muaj. (shih tabelën përbri)

Krahasuar me Italinë ku tatimi mbi fitimin ka qenë gjithnjë me karakter progresiv vërehet që taksa mbi rrogën në Shqipëri mbetet sidoqoftë shumë më e ulët. Në Itali nuk paguan tatim mbi të ardhurat (IRPEF) punonjësi i varur që fiton nga puna deri në 8 mijë euro. Për të ardhurat më të larta masa e taksës IRPEF, pa marrë parasysh zbritjet për familjarë në ngarkim, është 23% deri në 15 mijë euro të ardhura në vit; për të ardhura nga 15.000 deri në 28.000 euro në vit tatimi është 3.450 euro + 27% e shumës mbi 15.000; për të ardhura nga 28.000 deri në 55.000 tatimi është 6.960 + 38% e shumës mbi 28.000. Për të ardhurat më të larta tatimi shkon deri në 41% dhe 43%.

Një tjetër taksë që ndryshon është ajo mbi naftën dhe benzinën, bëhet 17 lekë/litër nga 7 lekë që ishte. Rritja e kësaj takse pritet të sjellë rritje të çmimit me 6,6% dhe 6%, përkatësisht për benzinën dhe naftën.

Po ashtu, hiqet tavani 10% i masës së taksave dhe tarifave të përkohshme që vendos Këshilli Bashkiak apo Komunal për ndërtesat dhe ndryshon taksa për objektet e biznesit dhe ndërtesave në pronësi. Taksa për ndërtesat e banimit para vitit 1993 u la e pandryshuar. 

Edhe akcizat pësojnë rritje nga 1 janari. Rritet akciza për cigaret, duhanin e hapur, pijet alkoolike, si dhe struktura e taksimit të birrës. Futen mes prdukteve me akcizë edhe pijet energjike që tani taksohen me 50 lekë për litër.

Ndryshim pësojnë gjithashtu edhe taksat e biznesit, për të cilin u hoq taksa 10% për biznesin e vogël. Tatimi i thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël dhe norma tatimore bëhet 7,5%, dhe vendoset taksa fikse 25 mijë lekë për subjektet me qarkullim nga 0 deri në 2 milionë lekë në vit. Për biznesin e madh tatimi mbi fitimin nga 10% rritet në 15%.

Nga 1 prilli 2014, do të hiqet dhe TVSH-ja për barnat. (Sipas ATSh-së)

Tatimi mbi të ardhurat

Paga mujore                  Tatimi në %
Deri në 30 mijë lekë        0%
30 – 130 mijë lekë          13% e shumës mbi 30 000 lekë
Mbi 130 mijë lekë           13.000 lekë + 23 % e shumës mbi 130 000 lekë

Taksa për ndërtesat e banimit dhe biznesit

Ndërtesa                   Ishte               Bëhet
Shtëpitë para 1993    15 lekë/m2    15 lekë/m2
Shtëpitë pas 1993      20 lekë/m2    30 lekë/m2
Ndërtesat e biznesit   200 lekë/m2  400 lekë/m2
Fshatra turistike         200 lekë/m2  400 lekë/m2

Akcizat nga 1 janari 2014

Produkti                    Ishte                      Bëhet
Cigare                        70 lekë/paketë       90 lekë/paketë
Pije alkoolike             50 000 lekë/HL       65 000 lekë/HL
Birrat                         310 lekë/HL            710 lekë/HL
Pijet energjike           0 lekë/litër               50 lekë/litër

(Ndiqni ShqiptariiItalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Hemorragji cerebrale për Pier Luigi Bersanin

“Sono italiani”. A L’Aquila cittadinanza onoraria ai figli degli immigrati