Sipas Transparency International, Shqipëria renditet e 113-ta, tetëmbëdhjetë vende më poshtë se vitin e shkuar. Renditet e fundit ndër vendet e rajonit, pasi edhe Kosova – që deri një vit më parë lihej pas – është në vend të 105-të në renditjen e përgjithshme të 176 vendeve.
Romë, 5 dhjetor 2012 – Shqipëria perceptohet përditë e më e korruptuar. Organizata jo qeveritare Transparancy International, që çdo vit u kërkon ekspertëve nga mbarë bota një gjykim mbi korrupsionin në vende të ndryshme, ka botuar raportin e vitit 2012.
Me këto të dhëna përpilohet një renditje ku vërehet se Shqipëria ka zbritur tetëmbëdhjetë vende krahasuar me një vit më parë, dhe 26 vende krahasuar me dy vjet më parë. Në vitin 2010 ishte në vend të 87-të, në vitin ka rrëshqitur në të 95-tin, ndërsa sot ka shkuar në vend të 113-të. Në vitin 2003, Shqipëria renditej e 81-ta. Pra, sipas Transparency International, Shqipëria ka bërë hapa prapa.
Madje po të krahasohet me vendet e tjera të rajonit vërehet se tashmë renditet e fundit, të gjitha vendet e tjera kanë tregues më të mirë se vendi ynë. Vjet linte pas Kosovën, që renditej në vend të 112-të, por për vitin 2012, edhe Kosova perceptohet më pak e korruptuar se Shqipëria (madje edhe më mirë se një vit më parë e ngjitet 7 shkallë në renditje) dhe renditet në vend të 105-të.
Vende të tjera të rajonit kanë ruajtur pak a shumë nivelet e vjetshme: Kroacia është përmirësuar, nga vendi i 66-të ka kaluar në vend të 60-të; po ashtu edhe Serbia nga vendi i 86-të ka kaluar në vend të 80-të, ndërsa Mali i zi renditet në vend të 66-të njësoj si vjet po ashtu si Maqedonia në vend të 69-të.
Vendet me më pak korrupsion sipas renditjes së Transparancy International janë – ashtu si vitin e shkuar – Danimarka, Finlanda dhe Zelanda e Re, ndërsa vendet më të korruptuara të botës mbeten Afganistani, Koreja e Veriut dhe Somalia. Nga vendet e eurozonës, Italia e parafundit (është e 72-ta). Më keq se ajo vetëm Greqia, në vend të 94-t.
Shiko Renditjen 2012 të Transparancy International