Ciano kthehet në Itali me përshtypje shumë të keqe nga situata në Shqipëri dhe “kryekëput i bindur për zgjidhjen rrënjësore”. Siç i shkroi Jacomonit, tashmë e shihte problemin
vetëm nga një pikë vështrimi: ai i rrezikut të stabilizimit në Shqipëri të ndikimit të fortë gjerman. për të ndaluar këtë të keqe ishte i gatshëm edhe të negocionte me Jugosllavinë për ndarjen e Shqipërisë. […] Kjo gjendje shpirtërore i ishte krijuar për shkak të shqetësimit që ambienti austro-hungarez, tashmë i pranishëm në oborrin mbretëror mund të ringjallte prestigjin austriak në Tiranë, me të gjitha rreziqet që mund të kishte aneksimi i sapongjarë i Austrisë nga Gjermania.
Akoma më i hapur u tregua me Mussolinin. Deri në këtë çast, Ciano ka vepruar me kokën e tij, brenda kufijve të kompetencës së vet, duke përgatitur goditjen: Jocomoni, me financimet e Ministrisë dhe nën urdhrat e tij, po korrupton funksionarë dhe po armatos grupe banditësh e malësorësh luftëtarë të cilëve u takon të dobësojnë edhe më pushtetin tashmë të dobët të Zogut (që mbrohet me paratë që i kalon zyrtarisht qeveria italiane). Por që të mund të vazhdojë më tej, Ciano tani ka nevojë për miratimin e Mussolinit. Me t’u kthyer shkruan një raport të gjatë që në të vërtetë qe i panevojshëm pasi akoma para se ta merrte Mussolini, kështu shkruan Ciano në ditarin e tij, “është dakord me nevojën e një zgjidhjeje rrënjësore dhe thotë që për të pasur Shqipërinë është i gatshëm edhe të luftojë”.
Megjithatë ia vlen të shihet me kujdes raporti i Cianos sepse, nga ana teknike, është nddër gjërat më të arrira të Cianos, tregon më së miri mënyrën e tij të të vepruarit me Mussolinin dhe shpreh hapur si asnjëherë tjetër qëllimet e tij.
Pjesa e parë e relacionit, ka shumë të ngjarë që të jetë përgatitur para udhëtimit dhe ka të bëjë me pasuritë shqiptare. Ciano nuk ka asnjë dyshim: “Vendi është i pasur,me të vërtetë i pasur”. merr me të mirë Mussolinin duke i treguar mundësitë e pafund (që në të vërtetë të pafund nuk ishin) të zhvillimit. më pas pak nga pak thotë që: “kushtet e bujqësisë janë shumë modeste”, pasuritë pyjore nuk janë shfrytëzuar, organizimi i peshkimit “nuk po ecën me ritmet e dëshirueshme”, “eksplorimi i pasurive minerale ende nuk është bërë”. (Lidhur me këtë të fundit, diçka e dinte edhe vetë personalisht sepse prej kohësh bënte kërkime pa ndonjë sukses të madh.) Me një fjalë: në dorë të administrimit të mirë italian Shqipëria mund të bëhej shumë e begatë brenda një kohe të shkurtër.
Menjëherë më pas nis të pikturojë një kuadër tejet të errët të oborrit shqiptar dhe të kushteve të popullit duke vënë në dritë ato elemente që e dinte se do të bezdisnin më shumë Mussolinin:
Populli, kushtet e të cilit janë aq të mjerueshme sa të sjellin ndër mend fshatra të humbur kinezë buzë Yang-Tse-së, mezi e durojnë praninë zhvillimin dhe mendjemadhësinë e oborrit, që është qesharak për llojin dhe zakonet e përbërësve të tij, por që rëndon në mënyrë të padurueshme mbi financat e shtetit. 120 milionë liretat që përbëjnë bilancin shtetëror pësojnë hendeqe të thella për blerje brilantinash, fustanesh makinash luksoze me të cilat motrat e Mbretit shesin mend gjithnjë e me më pak skrupuj. Po t’i shtojmë kësaj edhe parehatinë e krijuar nga vendosja e një protokolli të rreptë dhe fodull, siç mund të ketë ekzistuar në oborret e vogla gjermane, por që tashmë është e kotë të kërkohen në çdo familje mbretërore, do të jetë e lehtë të kuptohet mos-popullariteti i Dinastisë.
Duket hapur që luan me ndjenjën e vjetër por gjithnjë të fortë republikane dhe socialiste të Mussolinit, që pikërisht në atë periudhë duke folur me Cianon sulmonte vazhdimisht familjen mbretërore, “peshë e vdekur” të cilën dëshironte të hiqte qafe sa më parë.
Nga ana tjetër Ciano nxjerr në dritë që populli “i çdo klase shoqërore dhe pa asnjë reticenca” është filo-italian, duke mos përmendur ama që shqiptarët ishin vërtet të kënaqur për ndihmat ekonomike italiane, por nuk u shkonte as nëpër mend t’i aneksoheshin Italisë.
Nuk lë pas dore asnjë marifet: është periudha kur Mussolini po përgatitet të nisë fushatën raciste kundër çifutëve, e ç’i shkruan Ciano?: në drekën e shtruar për martesën e Zogut, një kushërirë e mbretëreshës tha që në Shqipëri do të ishte më mirë të kishin çifutët sesa italianët.
Ciano e di që Duce nxehet keq për ato çka gazetat e huaja shkruajnë për fashizmin, dhe pa asnjë hezitim i tregon një lajm që padyshim Mussolini kish lexuar, me një fjalë që Paris-soir kishte shkruar që Zogu po shfrytëzonte Italinë, por që në çastin më të parë do të kërkonte një tjetër fuqi mbrojtëse. E shkon edhe më tej:
Nuk leverdis të harrohet që hungarezët janë shpesh pararoja e Gjermanizmit dhe që Reich-i po tregon interes për Shqipërinë. Ministri gjerman kryen veprimtari, tani për tani, jo fitimprurëse, por megjithatë të palodhshme. Hitleri i ofroi mbretit Zog dhuratën më të bukur për martesë. As nuk duhet harruar ajo çka ishte, përpara luftës, pozita e Austrisë në botën shqiptare. […]
Një afirmim i Italisë, mundësisht i karakterit përfundimtar e gjithëpërmbledhës, do të vlente si kundërpeshë përballë botës ballkanike të rritjes së pamohueshme të peshës së fituar atje nga Riech-i pas realizimit të Anschluss-it.
Prestigji ynë dhe interesat tona, të sotmet dhe të ardhmet, nuk mund të tolerojnë ndërhyrjet e të huajve dhe as nuk do të ishte e udhës të pritet që kërcënimi që tani sapo krijohet të marrë formë të qartë.
Pas këtij parashtrimi gjithnjë në rritje Ciano i pret rrugën çdo mëdyshjeje: interesi italian “duhet të gjejë në çastin e duhur përmbushjen e tij përmes aneksimit të Shqipërisë me Italinë”.
Menjëherë më pas kalon te projektet e realizimit të aneksimit duke shqyrtuar tri mundësi:
1. bashkimin gjithnjë e më të ngushtë të Shqipërisë me Italinë përmes lidhjeve ekonomike që kanë si përfundim “kushtëzimin edhe në sektorin politik”;
2. ndarjen, në marrëveshje me Jugosllavinë e ndoshta edhe me Greqinë;
3. aneksimin përmes një bashkimi personal.
Alternativa e parë, që ishte dhe ajo e përdorura deri atëherë,quhet “e shkëlqyer por jo përfundimtare”, shkon përshtat deri “në çastin e zgjidhjes rrënjësore të problemit”, me një fjalë “ndërhyrjes përfundimtare”. Zgjidhja e dytë e tërheq shumë sepse mendon se mund të kënaqë me pak Greqinë e Jugosllavinë dhe sepse i pëlqen edhe më shumë ideja e zgjidhjes së kësaj çështjeje me provë të forcës ushtarake. të kemi parasysh që jemi në kohën e luftës së Spanjës dhe që tashmë për Cianon bombardimet, betejat, kërditë janë në rend të ditës; për më tepër kjo është periudha kur nëndetëset italiane po fundosin – ha u hyrë gjemb në këmbë – anije të gjysmës së Europës. Prandaj, nëse shqiptarët do të kundërshtonin shpartallimin e shtetit të tyre, asnjë problem:
Ekzistenca e nëntë fushave të aviacionit në të katër anët e Shqipërisë mundësojnë sjelljen e menjëhershme të reparteve të armatosura me armë automatike, nga të cilat shqiptarët thuajse nuk kanë fare, në pikat më të thella e më jetike të vendit. nëse ndonjë bërthamë rezistence do të organizohet, do të jetë e lehtë të arrihet dhe të shpërndahet.
nuk besoj as që ndonjë e shtënë mitralozi të humbur në grykët e Mirditës apo të Matit do t’ia vlejë për të prekur shpirtërisht botën që nuk u tund as nga shpërthimi i silurëve mes Maltës dhe Tunizisë. Marrëveshja apo më mirë bashkëpunimi i Jugosllavisë, është kusht i nevojshëm dhe i domosdoshëm.
Por zgjidhja që Ciano ka më shumë për zemër është absolutisht e treta, më e errëta si ekzekutim dhe ajo që, pak a shumë, do të zbatohet:
[…] duhet shfrytëzuar si element bazë përçarja mes oborrit mbretëror dhe popullit, duhen ushqyer me mjetet e përshtatshme dhe përforcuar – gjë aspak e vështirë – kontrastet që duken tashmë në vetë gjirin e familjes mbretërore. Në çastin e duhur duhet mundësuar shpërthimi i krizës, me lëvizje popullore në shesh. Nga partia pro-italiane, që tashmë ekziston dhe që ndërkohë duhet të fuqizohet, duhet të bëjmë të mundur që të na vijë një kërkesë (që do të pranojmë) për të ndërhyrë për rikthimin e rendit publik. E më pas t’i shtyjmë të na ofrojnë formalisht Kurorën e Shqipërisë, ta pranojmë dhe të sanksionojmë gjithë historinë përmes një plebishiti apo diçka tjetër të ngjashme. Një procedurë e ngjashme me Anschluss-in.
Më pas kalon në detaje; të nxirret Shqipëria nga Shoqëria e _Kombeve, të mos përforcohet më tej ushtria shqiptare, të shtohen investimet italiane, të sigurohet mbështetja e klasave më të larta me një punë “nxitjesh për interesime të përbashkëta, premtimesh dhe korrupsioni”; ndërsa për popullin sugjeron sistemin tradicional “panem et circenses”: hedh deri edhe idenë e futjes së “skuadrës jo edhe aq të dobët ” të Tiranës në një kategori çfarëdo të kampionatit italian të futbollit sepse do të fillohet “të duket Shqipëria si pjesë e sistemit kombëtar”.
Në fund, pak shkop e pak karotë Mussolinit: miti i Romës, kujtimi i një mundjeje italiane që duhej fshirë, lajka:
Shqipëria që pa në fushën e Krujës përcaktimin e fateve të Perandorisë romake mes Qezarit dhe Pompeut, mban mend që në kohë më të vona trupat italiane u mbrapsën të shtyra nga banda rreckamanësh malësorë, dhe tërheqja ishte aq e ngutshme sa u duk një arrati. Me gjithë ç’ka ngjarë më pas, kjo ka mbetur në mendje të shumë shqiptarëve dhe është një kujtim që rëndon akoma kundër nesh. Do ta ketë merak Duce ta fshijë këtë turp, ashtu siç ka fshirë të tjera, edhe më të rënda, të së njëjtës natyrë.
Një relacion efikas, s’ke ç’i thua, e në mendjen e Mussolinit, tashmë të drejtuar në atë kah, korri lehtësisht sukses; më 10 maj Duce i thotë se është dakord me zgjidhjen e tretë dhe përcakton si datë veprimi majin e vitit pasardhës: në mënyrë që të kenë kohë për t’u përgatitur dhe që ndërkaq situata ndërkombëtare të qetësohet.
Por situata ndërkombëtare – lufta e Spanjës, politika gjermane, qëndrimi i Jugosllavisë – do të bëjë gjithnjë e më të luhatshme e më të paqartë datën e goditjes. Njëherë duket sikur data afrohet e njëherë sikur shtyhet (së fundi do të afrohet me një muaj), por gjithnjë më shumë në bazë të fakteve motive sesa falë konsideratave të peshuara të politikës së jashtme: vetëm nëntë ditë pasi ka zgjedhur majin e 1939-ës Mussolini “për shkak të një informacioni nga Tirana lidhur me veprimtarinë e ekzagjeruar të ministrit të Gjermanisë […] deklaron se është gati të shkojë menjëherë në Shqipëri, edhe sikur kjo t’i vërë zjarr barutit të Europës. Po përgatit mjetet ushtarake. Ngjarjet e mëpasshme, megjithatë, kishin shkëshilluar një zgjidhje të tillë që, bashkë me krizën për Sudetët, do të kish rrezikuar vërtet të sillte shpërthimin e një lufte që Mussolini, megjithëse thoshte tjetër gjë, nuk dëshironte aspak. Por Shqipëria tashmë zinte vendin kryesor në mendjen e Cianos, që kishte si gjithnjë ngut: “Duhet vepruar shpejt me këtë Shqipërinë”. (Nuk do ta përjashtoja që duhet të ketë nxitur ai Jacomonin për të nisur telegramin që aq shumë kish nevrikosur Mussolinin.) Ka kaq shumë ngut sa vazhdon të organizojë goditjen dhe, zakonisht, i mëshon dorës: më 27 tetor shkruan në ditar:
Bisedë me Jacomonin. Përgatitja në Shqipëri po ecën shpejt, aq shpejt sa ndoshta do të na leverdisë të veprojmë më parë nga parashikimi sepse ndoshta ambientet e Zogut mund të kenë kuptuar diçka. Aksioni fillon të marrë fytyrë: vrasja e Mbretit (duket se e merr përsipër Koçi kundrejt një shpërblimi prej 10 milionësh), trazira në shesh, zbritja e bandave besnike ndaj nesh (praktikisht të gjithë Krerët, me përjashtim të atij të Kmias), thirrje Italisë për një ndërhyrje politike e po të duhet edhe ushtarake, ofrimi i koronës Mbretit Perandor dhe në një çast të dytë, aneksimi. Jacomoni garanton që e gjitha kjo mund të bëhet rregullisht vetëm me një muaj paralajmërim.
Pas lufte Jacomoni nuk do ta pranojë asnjëherë se kish pasur një komplot, duke saktësuar që “çështjen e eliminimit në mënyrë të dhunshme të Mbretit Zog” e kishte kundërshtuar e që sidoqoftë “u davarit që në çastin kur lindi”. Dhe u quajt i pafajshëm nga drejtësia e pasfashizmit.
Koçi, ministër shteti, ishte shkesi i martesës së Mbretit me Geraldinën dhe ish bindur që nuk e kishin shpërblyer mjaftueshëm; ndoshta mendonte që italianët do ta vinin në krye të Shqipërisë. Këtu e ka bazën edhe gatishmëria e tij për të vrarë Mbretin, që nuk ishte aspak e thjeshtë për t’u bërë pasi Zogu, sipas zakoneve më të mira, pranonte t’i gatuanin vetëm e ëma dhe të motrat, madje para se t’i hante ia jepte ushqimet një qeni që t’i provonte; për më tepër ishte gjithnjë i rrethuar nga njerëz shumë të besuar e të armatosur nga Mati.
Ciano, edhe pse vdekja e Zogut mund t’i shkojë për shtat, nuk e kërkon me ngulm; oferta spontane e e Koçit i krijon përshtypjen se në fund të fundit është një çështje e brendshme shqiptare. Më 28 nëntor pret Jacomonin, që i dorëzon “një hartë me vendndodhjen e bandave në Shqipëri si dhe planin e veprimit”. Se cili ishte ky plan kuptohet nga takimi i mëpasshëm më 1 dhjetor: “Regjimi i Zogut po tregohet gjithnjë e më i pasigurt dhe drejt kolapsit. Duhet vepruar me vendosmëri dhe pa skrupuj. Në fund të fundit është e njerëzishme të këputësh një jetë nëse ky veprim shpëton qindra apo mijëra të tjera.” Së fundi më 3 dhjetor: “Pres Jacomonin. Me të është edhe Koçi, njeriu që përgatitet të godasë Mbretin e Shqipërisë. Natyrisht është mik i vjetër i Mbretit, por është i pakënaqur sepse ndihet i shpërfillur. Më ka dhënë besën. Nuk desha të hyj në detaje me të: është një burrë i vjetër guximtar dhe fanatik. Që tani e ka çuar familjen në Itali”.
Është mëse e qartë që projekti i vrasjes së mbretit nuk ra menjëherë, siç thoshte më pas Jacomoni, por u blua për të paktën pesë javë. Nuk u realizua qoftë sepse – siç pohon Jacomoni – u përpoqën deri në fund të arrinin në një marrëveshje me Zogun qoftë sepse – siç thotë Koçi – Ciano trembej shumë mos Mussolini nuk do të miratonte këtë iniciativë.