in

Shqipëria dhe emigrantët. Bushati: “Ka shumë për të bërë, por jemi në rrugë të mbarë”

Intervistë me ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati

 

Në takimin “Jam Shqiptar” me diasporën shqiptare në Itali, Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati u shpalosi të pranishmëve arritjet e deritanishme dhe punën që do të pasojë për përmirësimin e shërbimeve konsullore si dhe dëshirën e përpjekjet e qeverisë për krijimin e një marrëdhënieje të strukturuar mes shtetit dhe asaj pjese të madhe të popullsisë që sot jeton jashtë vendit.

Ndër arritjet renditi për shembull nisjen e shërbimit të lëshimit të certifikatave të Gjendjes Civile pranë konsullatave shqiptare në Itali dhe uljen e tarifave të shërbimeve konsullore. Në këtë drejtim, po punohet – tha ministri – për ofrimin online të shërbimeve konsullore, gjë që “do të afrojë” virtualisht konsullatat pranë emigrantëve.

Lidhur me “marrëdhënien e strukturuar” që qeveria dëshiron, ministri u shpreh se kjo do të arrihet edhe “nëpërmjet mekanizmave të përbashkët për të ndërtuar dhe konsoliduar një partneritet të qëndrueshëm mes jush dhe nesh”. Si konkretisht? Për shembull përmes projektit të përbashkët mes IOM e ministrisë së Jashtme, mbi ‘Angazhimin e Diasporës Shqiptare në zhvillimin e vendit’, rreth të cilit folën dy përfaqësues të Organizatës ndërkombëtare për Migracionet në Tiranë, drejtoresha e Zyrës IOM në Tiranë, Alma Jani, dhe koordinatori Genci Pjetri.

“Projekti ka si objektiv të mbështesë përpjekjet e Qeverisë Shqiptare në angazhimin e komuniteteve të shqiptarëve jashtë vendit dhe kontributin e tyre në zhvillimin e vendit, përmes zhvillimit të një sërë aktivitetesh të grupuara në dy komponentë. I pari parashikon hartimin e një dokumenti politik për angazhimin e komuniteteve shqiptare jashtë vendit në zhvillimin e Shqipërisë, me mbështetjen e IOM dhe ekspertëve të jashtëm. Komponenti i dytë parashikon zhvillimin më tej dhe forcimin e dialogut me komunitetet jashtë vendit dhe rritjen e kapaciteteve të institucioneve që merren me çështjet e migracionit dhe zhvillimit” sqaroi Jani në takim.

Në takim, ministri lançoi gjithashtu edhe Samitin e parë të nëntorit, duke e konsideruar atë “një ngjarje e madhe për të nisur një marrëdhënie të re, më të fortë e gjithëpërfshirëse mes qeverisë shqiptare, institucioneve të saj dhe Diasporës”.

Takime të tilla që, me thënë të vërtetën, nuk janë konstatuar më parë larg zgjedhjeve, duhen përgëzuar, por nga ana tjetër duhet të pasohen nga vepra konkrete. Pas 25 vjetëve në emigracion, kur gjithkush ka çarë si ka mundur vetëm me forcat e veta pa ndier ndonjëherë mbështetjen e vendit të vet, bëhet gjithnjë e më e vështirë të besohen premtimet e radhës. Ka ardhur koha që politika duhet të tregojë me fakte interesin e saj ndaj emigrantëve sepse takimet, sado të përzemërta qofshin mbarojnë aty, me ndonjë përshëndetje të ngrohtë e ndonjë fotografi me ministrin.
Nëse nuk veprohet konkretisht, takimet nuk të zgjidhin hall kur vjen mosha për pension e nuk e merr sepse je rropatur sa në Shqipëri e sa në Itali pa mbushur vitet minimale për të pasur një pleqëri dinjitoze, nuk zgjidhin gjë kur do të telefonosh në konsullatë për të marrë një informacion e nuk të përgjigjen, kur kursen me muaj për të mbledhur tufën e parave që të duhet për t’u pajisur me pasaportat e reja familjarisht (e të urojmë që të mos i nxjerrin nga qarkullimi këto aktualet), kur mendon t’i mësosh djalit shkrim e këndim në gjuhën shqipe e nuk di ku ta çosh, kur dëshiron të kontribuosh edhe me votë për vendin ku mendon të kthehesh një ditë por për ta bërë duhet të marrësh rrugën deri atje.

Për këto aspekte konkrete i shtruam disa pyetje ministrit, i cili u tregua i gatshëm të na jepte intervistë, por për shkak të agjendës së ngjeshur të javës që pasoi takimin, atë na e dha vetëm dje. Ja ç’thotë për Shqiptariiitalise.com:

Shqiptari i Italisë: Ndër risitë më të rëndësishme që u paralajmërohen sot shqiptarëve të Italisë është konsullata digjitale. A mund të na thoni me pak fjalë se çfarë është e kur do të vihet në funksionim?

Ministri Ditmir Bushati: Përmes një platforme digjitale synohet që shërbimet konsullore të informatizohen, automatizohen dhe të mund të ofrohen online.
Informatizimi i shërbimeve do të përmirësojë ndjeshëm komunikimin me publikun, reduktojë kohën e përpunimit të kërkesave për shërbime si dhe të luftojë me efikasitet fenomenet korruptive. Përmes shërbimeve online, për ato shërbime që nuk kërkojnë paraqitje personale, jepet mundësia që emigrantët të shërbehen në distancë.
Ky projekt do të mundësojë që qytetari nëpërmjet portalit e-albania të arrijë të kryejë në internet të gjitha hapat e nevojshëm për marrjen e shërbimit.

Ligji “Për identifikimin dhe regjistrimin e adresës së shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë” është një tjetër risi mjaft e rëndësishme. Ligji që detyron emigrantët të deklarojnë adresën e tyre jashtë vendit brenda gjashtë muajve ka dy muaj që ka hyrë në fuqi. Çfarë është bërë deri më sot për të informuar emigrantët?

Jemi të angazhuar për të plotësuar së shpejti kuadrin ligjor të nevojshëm që do të mund të lehtësojë dhe njohë komunitetin me procesin. Në këtë kontekst, parashikohen të organizohen fushata publicitare, fletëpalosje, diskutime në media me grupe ekspertësh si dhe vizita në vendet me komunitet të madh shqiptarësh (Greqi dhe Itali). Gjithashtu, përfaqësitë tona diplomatike dhe konsullore do të informojnë komunitetin në vendin ku ndodhen mbi aspekte që lidhen me regjistrimin.

Si mendoni të zgjidhni deri në zgjedhjet e ardhshme të drejtën e votës së emigrantëve aty ku jetojnë? Ju shtrojmë këtë pyetje pasi me ligjin e regjistrimit e nëse nuk ndryshohet kodi zgjedhor, emigrantët humbasin edhe atë të drejtë që kishin të paktën në letër e që mund të ushtronin duke ardhur në Shqipëri. 

Kjo është një çështje që qeveria shqiptare e ka pasur në vëmendje që në fillim të mandatit të saj, por aplikimi i saj kërkon kohën e nevojshme të përgatitjes së kuadrit ligjor dhe infrastrukturës së nevojshme. Sigurisht për këtë nevojitet një konsensus politik nga i gjithë spektri i politikës shqiptare, për të dëshmuar përkujdesjen e duhur për një komunitet i cili ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin e vendit.

Në fillim të këtij viti u mundësua marrja e certifikatave të gjendjes civile shqiptare në Itali. Si po shkon ky shërbim?

Së pari dëshiroj të falënderoj autoritet italiane për mundësimin e një shërbimi të tillë, i cili ka rezultuar tepër efikas. Përgjigjen më të mirë mbi këtë shërbim mund ta japin qytetarët, të cilëve u është shkurtuar koha e përpunimit të dokumenteve dhe kostoja e ofrimit të shërbimit.  Ky projekt i ka shndërruar përfaqësitë tona në Itali në Zyra të Gjendjes Civile që mundësojnë marrjen e të gjitha shërbimeve esenciale, duke evituar kalvarin e marrjes së certifikatës familjare.

Keni ulur çmimin e disa tarifave konsullore, gjë që është për t’u përshëndetur. Por nga fillimi i vitit të shkuar shqiptarët paguajnë 20-25% më shtrenjtë çmimin e pasaportës, shumë që bëhet veçanërisht e rëndë për xhepat e emigrantëve. E dimë që tarifa e re ishte vendosur nga shumica e shkuar, dy muaj para zgjedhjeve, por a nuk ishte e mundur një negociatë me kompaninë që prodhon dokumentet biometrike për shtetin tonë? Dhe gjithnjë mbi dokumentet, mijëra emigrantë (kryesisht në Greqi) e paguan dy herë atë për një gabim të shtetit e jo të tyrin. A keni ndonjë shpjegim që mund t’u jepni emigrantëve në këtë pikë?

Ky është një detyrim kontraktual i parashikuar si i tillë në marrëveshjen e realizuar nga qeveria e shkuar, të cilën e paguajnë tashmë qytetarët tanë. Për fatin tonë të keq, nuk është marrëveshja e vetme jo favorizuese për interesat e publikut që na ka lënë trashëgim qeveria e shkuar. 

Marrëdhëniet e komunitetit shqiptar me përfaqësitë konsullore, padyshim të përmirësuara me kalimin e viteve nuk mund të quhen të mirë. Radhët e gjata (veçanërisht në Milano) e pamundësia për të kontaktuar drejtpërdrejt me konsullatat në veçanti, kanë përbërë gjithnjë problem për qytetarët. Si do të reformohet shërbimi konsullor për t’u ardhur vërtet “më pranë” emigrantëve? Pse nuk mendohet hapja e ndonjë zyre të re që të ndajë juridiksionin me atë të Milanos, për shembull?

Digjitalizimi i aktivitetit konsullor është një reformë e madhe në shërbimin konsullor. Me shërbimet e tjera që do të jepen së shpejti online, shërbimi konsullor vërtet do të jetë “më pranë” emigrantëve. Veç kësaj reforme të madhe, janë bërë përmirësime të ndjeshme në shtimin e stafit, shtimin e shërbimeve që jepen dhe rritjen e nivelit të transparencës me publikun. Ka shumë për të bërë, por jemi në rrugë të mbarë. Vlen të përmendet se në vitin 2015 janë ofruar gati dyfish shërbime në numër në krahasim me një vit më parë (209 mijë në raport me 116 mijë).

Një nga problemet që me kalimin e viteve po bëhet shumë i prekshëm nga komuniteti ynë këtu është ai i pensioneve, sidomos për brezin që ka ardhur në vitet ’90 e ka punuar si në Shqipëri edhe këtu. “U thye një tabu” tha ministri Veliaj plot 2 vjet më parë kur u hap një tryezë bisedimesh. A kanë shkuar përpara? A ka ndonjë shpresë të arrihet ndonjë marrëveshje?

Më duhet të theksoj se kjo është një çështje konstante e agjendës sonë dypalëshe me Italinë, e cila ka angazhuar dhe dy Kryeministrat Rama-Renzi. Italia është shprehur parimisht dakord për t’i dhënë një zgjidhje kësaj çështjeje, por duhet pasur parasysh që kriza financiare e viteve të fundit ka ndikuar në ngadalësimin e jetësimit të nismave me impakt financiar.

Të miturit shqiptarë në Itali janë mbi 100 mijë. Ndër ta, janë të paktë ata që mësojnë gjuhën shqipe që deri tani është lënë në dorë të shoqatave. Si po vepron qeveria Juaj për ngritjen cilësore të kurseve të gjuhës  shqipe (ka nevojë për mësues të mirëfilltë dhe jo thjesht për anëtarë të zellshëm shoqatash) dhe për ndihmën konkrete financiare për mësimdhënien (libra, qira ambientesh apo pagesë e mësuesve)?

Gjuha shqipe përfaqëson elementin themelor të identitetit tonë kombëtar. Ajo është lidhja përbashkuese e miliona shqiptarëve në rajon dhe në botë, ndaj përkujdesja, ruajtja dhe zhvillimi i saj siguron vazhdimësinë dhe kohezionin e kombit shqiptar. Promovimi dhe forcimi i identitetit kulturor kombëtar tek shqiptarët në botë është një nga objektivat kryesore të qeverisë shqiptare dhe MPJ-së.
Në këtë kontekst, Ministria e Punëve të Jashtme, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, furnizon në mënyrë periodike të gjitha shkollat e komunitetit shqiptar në botë, me tekste shkollore të gjuhës shqipe dhe historisë.
Çdo vit gjatë muajve të verës, Ministria e Arsimit organizon kurse e seminare kualifikimi dhe përditësimi të mësuesve të gjuhës shqipe në Diasporë.
Për të promovuar dhe forcuar identitetin kulturor kombëtar tek shqiptarët në botë dhe
mësimin e gjuhës shqipe, qeveria shqiptare po bashkëpunon me efikasitet dhe ka bashkuar forcat me qeverinë e Kosovës. Në këtë kuadër, bashkëpunimi mes qeverive, Ministria e Arsimit me ministrinë homologe dhe me Ministrinë e Diasporës së Kosovës kanë nënshkruar e po zbatojnë me sukses marrëveshjen “Për organizimin e përbashkët të mësimit të gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare në diasporë dhe mërgatë”. Si rezultat kësaj marrëveshjeje është arritur hartimi e publikimi i një abetareje të përbashkët Shqipëri-Kosovë.

Me krizën në Evropë, veçanërisht në Greqi e Itali, a po mendon qeveria shqiptare për emigrantët që kthehen në vendlindje? A ka programe të posaçme për riintegrimin e tyre?

Reformat e ndërmarra nga Qeveria shqiptare kanë mundësuar përmirësimin e ndjeshëm te jetës së qytetarëve dhe kushteve ekonomike të tyre. Në këtë kontekst, është përmirësuar klima e investimeve vendase dhe të huaja, element ky i evidentuar edhe në raportet më të fundit nga organizma botërorë që  marrin në analizë indikatorët e rritjes dhe të të bërit biznes në Shqipëri. Është fakt se janë me mijëra sipërmarrjet e ngritura nga emigrantët e kthyer në Shqipëri që operojnë me sukses në tregun e brendshëm, duke sjellë me vete praktika të suksesshme dhe eksperienca të vyera nga vendet ku kishin emigruar.

Keti Biçoku

Lexoni edhe:
Ministri Bushati në Romë: Shqipëria na përket të gjithëve, është koha për bashkëpunim të ri me diasporën
Strukturimi i marrëdhënieve me diasporën
Çfarë do të kisha dashur t’i thoja ministrit në takimin e Romës

“Jam shqiptar”, takim i ministrit Bushati me shqiptarët e Italisë
Dilema e samitit të diasporës
Në nëntor, mbahet në Tiranë Samiti i parë i diasporës shqiptare

Premtimet e socialistëve dhe votat e emigrantëve
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

 

 

 

 

 

 

 

Le cinque spiaggie più belle dell’Albania secondo SiViaggia.it

Mbyllet Shqipëri-Zvicër 0-1