Nga 29 nëntori deri më 4 dhjetor 2022 në Casa del Cinema në Romë zhvillohet edicioni i 5-të i Balkan Film Festival. Programi i pasur i këtij viti ka mes protagonistëve edhe regjisorët Roland Sejko, Kaltrina Krasniqi, Bujar Alimani, Norika Sefa, producentët Jonid Jorgji dhe Arben Zharku, shkrimtarin dhe skenaristin Ylljet Aliçka, drejtorin e QKK-së Eduart Makri
Romë, 23 nëntor 2022 – Balkan Film Festival rikthehet në Casa del Cinema në Romë (29 nëntor – 4 dhjetor 2022) e përmes tij, shoqata Occhio Blu – Anna Cenerini Bova që e organizon përpiqet t’i ofrojë sërish publikut një udhëtim të shumëplanësh nëpër kinematografinë ballkanike. Përmes premierave të filmave, evenimenteve speciale, ndërhyrjeve të kineastëve dhe të ftuarve nga vendet e Ballkanit, do të diskutohen çështje jashtëzakonisht aktuale në fushën artistike, politike dhe ekonomike.
Juria i këtij viti përbëhet nga personalitete të kinematografisë. Në krye të saj, regjisori i Maqedonisë së Veriut Milcho Manchevski, fitues i Luanit të Artë në 1994 me filmin e tij “Para shiut”, ndërsa anëtarët janë Mimmo Calopesti, regjisor, aktor dhe skenarist, Ylljet Aliçka, shkrimtar dhe skenarist, dhe Francesco Ranieri Martinotti, president i ANAC (National Shoqata e Autorëve të Filmit).
Festivali hapet më 29 nëntor me një dialog mbi linjat e reja të kinemasë ballkanike mes presidentit të ANAC Francesco Ranieri Martinotti dhe regjisores Jasmila Žbanić, një nga personalitetet më interesante të kinematografisë ballkanike, fituese e çmimit Ariu i Artë në edicionin e 56-të të Festivalit të Filmit në Berlin. Kryevepra e saj “Quo vadis, Aida?”, në 5-shen e kandidatëve për Oscar 2021 për filmin më të mirë ndërkombëtar, është zgjedhur si filmi hapës i Festivalit.
Në ditën e dytë të festivalit përballja e regjisores kosovare Kaltrina Krasniqi me filmin e saj “Vera andrron detin” (30 nëntor, ora 17.30) me regjisorin italian Francesco Costabile me “Një femër” do të mbyllet me një debat në të cilin do t’i jepet zë dy realiteteve të gruas që rezultojnë të jenë jo të largët nga njëri-tjetri dhe nxjerrin në pah një ngjashmëri italo-ballkanike mes problemeve universale të figurës femërore.
Vëmendje e veçantë u kushtohet këtë vit producentëve të rinj ballkanikë dhe italianë të cilëve u kushtohet dita e tretë e festivalit (1 dhjetor). Nëpërmjet një seminari, shfaqjes së disa filmave dhe krijimit të një paneli, Festivali synon të forcojë zhvillimin e një rrjeti marrëdhëniesh midis kineastëve të rinj për të nxitur proceset e integrimit evropian dhe bashkëprodhimet.
Mes të ftuarve të shumtë të seminarit (që do të mbahet paraditen e 1 dhjetorit) edhe Jonid Jorgji, producent dhe regjisor i ri shqiptar, që do të raportojë mbi pengesat konkrete që dalin për bashkëprodhimet, bazuar në një anketë të realizuar mes kineastëve të rinj ballkanikë dhe Arben Zharku që do të flasë për produktivitetin e jashtëzakonshëm të kinemasë së re kosovare.
Gjithnjë më 1 dhjetor, në orën 17:00, regjisorja kosovare Norika Sefa debuton në Balkan Film Festival me “Në kërkim të Venerës”, filmi i saj i parë me metrazh të gjatë i vlerësuar me çmim në Festivalin e Filmit në Roterdam, në të cilin rrëfen përvojën e parë seksuale të një vajze të re, e shtyrë nga një kuriozitet i papërmbajtshëm. Pas filmit, në një panel, regjisorët Dina Duma, Antonio Romagnoli, Gregor Božič dhe Norika Sefa së bashku me Luisa Chiodin drejtoreshë e Observatorit Balcani Caucaso Transeuropa, do të reflektojnë mbi ndjeshmërinë artistike dhe sociale në kinematografinë e re italo-ballkanike, për të kuptuar sugjerimet e saj novatore mes interpretimeve të së shkuarës dhe planifikimit të së ardhmes.
Më 2 dhjetor, festivali hapet në orën 15:00 me shfaqjen e filmit Virgjëresha Shqiptare të Bujar Alimanit, që do të prezantohet nga Eduart Makri, drejtor i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë.
Pasditja e 3 dhjetorit i dedikohet regjisorit të madh grek Théo Angelopoulos në dhjetëvjetorin e ndarjes nga jeta. Me shfaqjen e filmit të tij “Vështrimi i Uliksit” dhe me një ndërhyrje të veçantë të Amedeo Paganit, mik dhe ekspert i veprës së regjisorit grek.
Në mbrëmje të të njëjtës ditë (3 dhjetor, ora 21:00), shfaqet filmi “Makina e imazheve të Alfredo C.“, fitues i Shiritit të Argjendtë 2022 si Dokufilmi më i mirë i vitit. E prezantojnë regjisori i filmit Roland Sejko, aktori Pietro de Silva, montazheri Luca Onorati dhe autori i muzikave Riccardo Giagni në bisedë me regjisorin Agostino Ferrente.
Festivali mbyllet më 4 dhjetor me dy filma e një fokus mbi Bosnje-Hercegovinën dhe me ceremoninë e ndarjes së çmimeve.
Programi i plotë i Balkan Film Festival
Facebook: Balkan Film Festival – V Edizione