in

Mbërrin dekreti i ri i flukseve – Kuotat për punë të varur, të pavarur e konvertime

Autorizohen 75.705 hyrje për punë të varur sezonale, josezonale, të pavarur e 7.000 kuota për konvertime

Në fund të janarit është botuar në Gazetën Zyrtare dekreti i flukseve i miratuar nga Këshilli i ministrave më 29 dhjetor 2022 me të cilin qeveria përcakton kuotat maksimale të të huajve që mund të vijnë në Itali për punë e të atyre që jetojnë në Itali e mund të konvertojnë lejet e qëndrimit në një tjetër që u lejon të punojnë.

Dekreti autorizon gjithsej 82.705 hyrje e konvertime e më saktësisht:

– 44.000 për punë sezonale,

– 30.105 për punë të varur josezonale,

– 7.000 për konvertime lejeqëndrimesh,

– 1.000 kuota për punë të varur jo sezonale dedikuar të huajve që kanë ndjekur në vendlindje programe formimi sipas nenit 23 të dekretit legjislativ nr. 286 të 25 korrikut 1998,

– 500 kuota për punonjës të pavarur,

– 100 kuota për punë të varur jo sezonale për punonjës me origjinë italiane rezidentë në Venezuelë.

Kërkesat mund të përpilohen online nga 30 janari 2023 e të nisen nga ora 9:00 e 27 marsit 2023 përmes portale servizi të Ministrisë së Brendshme. Risia e këtij viti është procedura e verifikimit paraprak e mungesës së punonjësve në dispozicion në Itali.

Kuotat në detaje

dekretin e ri të flukseve kuotat e hyrjeve dhe të konvertimeve janë të ndara si në vijim:

Hyrje për punë të varur josezonale e punë autonome

30.105 kuota u rezervohen punësimeve në sektorët e transportit rrugor, të ndërtimit, turizmit e hotelerisë, të mekanikës, të telekomunikacioneve, të ushqimit dhe të ndërtimit të anijeve. Ashtu si vitet e shkuara, këto kuota rezervohen për punësime qytetarë vendesh që kanë nënshkruar apo po nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi me Italinë për migrimin e ligjshëm e më saktësisht:

24.105 rezervohen për punonjës që janë shtetas të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së veriut, Malit të Zi, Bosnje-Hercegovinës, Serbisë, Algjerisë, Bangladeshit, Republikës së Koresë, Bregut të Fildishtë, Egjiptit, El Salvadorit, Etiopisë, Filipineve, Gambias, Ganës, Gjeorgjisë, Japonisë, Indisë, Malit, Marokut, Mauritiusit, Moldovës, Nigerit, Nigerisë, Pakistanit, Perusë, Senegalit, Sri Lankës, Sudanit, Tunizisë dhe Ukrainës.

6.000 hyrjet e tjera vihen në dispozicion për punësime të qytetarëve të vendeve me të cilat do të nënshkruhen marrëveshje bashkëpunimi mbi migrimin gjatë 2023-shit.

Një qarkore e përbashkët e ministrisë së Punës, ministrisë së Brendshme dhe asaj për Bujqësinë, Sovranitetin Ushqimor dhe për Pyjet e 30 janarit 2023 saktëson që për sektorin e transportit rrugor, do të lëshohen autorizime pune të varur vetëm për shoferë me patentë profesionale të barazvlefshme me kategorinë CE e që konvertohen në Itali sipas marrëveshjeve të reciprocitetit (praktikisht për qytetarë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Algjeria, Maroku, Moldova, Tunizia e Ukrahina).

1.000 kuota janë për punonjës të huaj josezonalë që kanë përfunduar programe formimi dhe shkollimi në vendlindje sipas nenit 23 të tekstit unik për imigracionin (dekreti legjislativ nr. 286 i 25 korrikut 1998);

100 kuota hyrjeje rezervohen për punonjës me origjinë italiane (pasardhës deri të shkallës së tretë) rezidentë në Venezuelë;

500 kuota për punonjës të pavarur: sipërmarrës që duan të ngrenë në Itali një sipërmarrje Start-up apo të hapin një aktivitet privat duke investuar jo më pak se 500.000 € e që parashikon hapjen e të paktën 3 vendeve të reja pune, për profesionistë të pavarur, administratorë shoqërish, artistë të famshëm.

Konvertimet

Dekreti i ri i flukseve u rezervon 7.000 kuota të huajve që duan të konvertojnë në lejeqëndrim për punë lejeqëndrimin që kanë për një tjetër motiv.

Autorizohet konvertimi në leje qëndrimi për punë të varur josezonale i:

– 4.400  lejeqëndrimeve për punë sezonale;

– 2.000 lejeqëndrimeve për studime, praktikë pune dhe/ose formim profesional;

– 200 lejeqëndrimeve BE për qëndrues afatgjatë të lëshuar nga vende të tjera europiane;

Parashikohen gjithashtu edhe konvertime në lejeqëndrime për punë të pavarur i:

– 370 lejeqëndrimeve për studime, praktikë pune dhe/ose formim profesional;

– 30 lejeqëndrimeve BE për qëndrues afatgjatë të lëshuar nga vende të tjera europiane.

Qarkorja e përbashkët e ministrisë së Punës, ministrisë së Brendshme dhe asaj për Bujqësinë, Sovranitetin Ushqimor dhe për Pyjet e 30 janarit 2023 kujton që në rast konvertimi në punë të varur, punonjësi duhet të paraqesë në momentin e thirrjes në Sportello Unico, propozimin e kontratës së qëndrimit të nënshkruar nga punëdhënësi duke përdorur modelin, në dispozicion në portalin e Ministrisë së Brendshme. Pas nënshkrimit të kontratës së qëndrimit, punëdhënësit do t’i kërkohet të bëjë komunikimin e detyrueshëm të punësimit (përmes Mod. UNI-Lav) sipas normave në fuqi dhe t’i lëshojë një kopje punonjësit, i cili duhet ta fusë atë mes dokumenteve me kërkesën për konvertim të lejes së qëndrimit në punë të varur që i përcjell me postë Kuesturës kompetente.

Hyrjet për punë sezonale

Dekreti u rezervon 44.000 kuota hyrjeve për punë sezonale sektorin bujqësor dhe atë të turizmit-hotelerisë.

Edhe këto kuota janë për punonjësit që janë shtetas të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së veriut, Malit të Zi, Bosnje-Hercegovinës, Serbisë, Algjerisë, Bangladeshit, Republikës së Koresë, Bregut të Fildishtë, Egjiptit, El Salvadorit, Etiopisë, Filipineve, Gambias, Ganës, Gjeorgjisë, Japonisë, Indisë, Malit, Marokut, Mauritiusit, Moldovës, Nigerit, Nigerisë, Pakistanit, Perusë, Senegalit, Sri Lankës, Sudanit, Tunizisë dhe Ukrainës.

22.000 prej këtyre kuotave, vetëm për sektorin e bujqësisë, të mund të kërkohen në emër të punëdhënësve nga organizatat profesionale të kategorisë: Cia, Coldiretti, Confagricoltura, Copagri, Alleanza delle cooperative (përfshin Lega Cooperative dhe Confcooperative), Associazione Generale Cooperative Italiane-AGCI,  Kërkesat e nisura nga këto organizata do të shqyrtohen me përparësi nga Sporteli Unik.

Së fundi, 1.500 nga 44.000 kuotat u rezervohen hyrjeve për punë sezonale shumëvjeçare. Në fakt, Teksti Unik për Imigracionin parashikon mundësinë e kërkimit të një lejeqëndrimi trevjeçar, gjithnjë për punë sezonale, në rast se punëtori ka hyrë tashmë në Itali për të kryer punë të varur sezonale të paktën një herë në pesë vitet e fundit. Në raste të tilla, kërkesa mund të paraqitet edhe nga një punëdhënës i ndryshëm nga ai i mëparshmi. Amantazhi kryesor të lejes shumëvjeçare është se lejon punonjësin sezonal të hyjë në Itali vitin e pasardhës, pavarësisht nga publikimi i dekretit të flukseve për punë sezonale. Kërkesa për punësim në rastin e lejes sezonale shumëvjeçare për vitet pas të parit mund të bëhet edhe nga një punëdhënës i ndryshëm nga punëdhënësi që ka marrë lejen trevjeçare për punë sezonale.

Shqipëria dhe Kosova në Balkan Film Festival

Kryeministrja e Italisë Shpreh Dhimbjen për Sulmin në Spitalin e Gazës