in

Shqipëria drejt zgjedhjeve{br}Moore: Palët s’janë të gatshme për kompromis në KQZ

Zyrtari i Departamentit amerikan të Shtetit, në Shqipëri dy herë brenda 5 javëve, iu referua rolit që mund të luajë Kolegji Zgjedhor pavarësisht se “kjo nuk është zgjidhja e duhur”

Tiranë, 30 maj 2013 – Në Shqipëri, më 29 maj, Drejtori për Europën Jugore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit Jonathan Moore, është shprehur se palët në Shqipëri nuk janë të gatshme për një kompromis për çështjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Duke e konsideruar problematike funksionimin jo të plotë të KQZ ai shtoi se ka instanca të tjera që mund të plotësojnë boshllëkun në Komision, duke iu referuar Kolegjit zgjedhor, pavarësisht se ai pranoi që kjo nuk do të ishte zgjidhja e duhur. Këto komente ai i bëri në përfundim të një serie takimesh që pati gjatë dy ditëve të qëndrimit në Tiranë e të cilat ishin përqendruar te zgjedhjet.  

Vizita e Zyrtarit të Departamentit amerikan të Shtetit Moore u prit me interes të veçantë, edhe sepse ishte e dyta brenda një harku kohor 5 javor. Në prill debatet për KQZ-në sapo ishin ndezur dhe në atë kohë Moore shprehu shqetësim të thellë për funksionimin e komisionit me katër anëtarë. Që nga ajo kohë deri tani asgjë nuk ndryshoi. Opozita nuk i zëvendësoi tre anëtarët e dorëhequr duke kërkuar rikompozim të KQZ-së, ndërsa kryeministri Sali Berisha e refuzoi kategorikisht një mundësi të tillë. Dhe këtë ai e bëri të qartë edhe gjatë takimit të djeshëm me zotin Moore.

SHBA-të në të vërtetë u përpoqën për të ndërmjetësuar një zgjidhje por, siç u shpreh Moore, “nuk kemi dëgjuar nga opozita që do të ishin të gatshëm që të mund të bënin plotësimin e KQZ me ndryshime gjithë përfshirëse, por edhe nga ana e qeverisë nuk dëgjuam që ata janë të gatshëm për të bërë ndryshime thelbësore”. Moore përsëriti se “Nuk ka asnjë diskutim se KQZ ka një rol shumë qendror për të luajtur dhe gjithashtu nuk mund të vihet në pikëpyetje fakti se KQZ pa shtatë anëtarët e saj, nuk mund mund të luajë dot një rol të plotë”, tha ai duke theksuar se nuk kishte ardhur në Shqipëri për të ndrequr KQZ-në. “Ka pasur shumë diskutime në nivele të ndryshme mes partive për KQZ. Dera nuk është plotësisht e mbyllur. Do të donim të shihnim kompromis si nga qeveria dhe nga opozita në mënyrë që KQZ të kishte 7 anëtarë. Përshtypja ime është se as qeveria dhe as opozita nuk janë të përgatitura për të pasur 7 anëtarë. Por edhe nëse do i ketë apo jo, duket se të gjitha partitë janë gati për të ecur drejt zgjedhjeve”, ritheksoi Moore.
Zyrtari i Dash u shpreh se “ka institucione të tjera që kanë një rol për të luajtur”, duke iu referuar këtu Kolegjit Zgjedhor, ndonëse ai pranoi se “nuk mund të them që kolegji është një zgjidhje. Zgjidhja do të ishte kompromisi dhe diskutimet e mëtejshme mes qeverisë dhe opozitës në mënyrë që të kishte një konstituim të plotë të KQZ. Por asnjëra palë nuk po përpiqet që ta bëjë këtë. Partitë po fokusohen te fushata”, tha ai. Sipas tij, “edhe partitë që kanë tërhequr anëtarët e tyre nga KQZ kanë përgjegjësitë e tyre për funksionimin e këtij institucioni dhe veçanërisht në rolin e tij për certifikimin e rezultateve për të cilat nevojitet një shumicë prej 5 anëtarësh”.

Gjatë bisedës së tij me gazetarët shqiptarë Moore i mëshoi faktit se ambasadori Aleksandër Arvizu ka mbështetjen e plotë të Uashingtonit.  “Ambasadori është përfaqësuesi personal i Presidentit të SHBA. Ajo çfarë ai thotë mbështetet nga të gjithë ne në Uashington. Ambasadori ynë po bën një punë të shkëlqyer”, tha Moore. Ambasadori Arvizu u vu në qendër të toneve të ashpra të kryeministrit Berisha pak ditë më parë. Duke komentuar thirrjen e Arvizut për ngritjen e KQZ-së në seancën e parlamentit ku pritet të votohen ligjet e kërkuara nga Brukseli, kryeministri deklaroi se “askush nuk ka mandat të interpretojë ligjet e një vendi tjetër”. Por zyrtari i Departamentit amerikan të Shtetit shpjegoi se “unë dhe ambasadori jemi të takuar së bashku me kryeministrin por dhe me të tjerë. Kryeministri e kuptoi se ambasadori ka mbështetjen tonë të plotë dhe patëm një diskutim gjithëpërfshirës lidhur me çështjet e brendshme por edhe me politikën e jashtme”.

VoA

Çdo shkarkim i “When love calls your name”, dy pikë më shumë për Elhaidën

Universitetet italiane. Brenda 21 qershorit regjistrimet nga jashtë Italisë