Dyzet vjet komunizëm, nga viti 1946 deri më 1990, që kanë lënë shenjë tek një vend, duke shënuar një linjë para dhe pas rënies së regjimit, duke lënë ndjesinë pashlyeshme të “totalitarizmit që jo vetëm të komandon sjelljen, por dhe emocionet”. Për këtë flet kinematografia e vjetër dhe e re shqiptare, e nderuar për herë të parë në festivalin Shqipëria në kinemanë e saj, nga 2 deri më 5 qershor 2012 pranë Shtëpisë së Kinemasë në Romë.
Nga Alice Rinaldi
Shqipëria, 80 km larg Brindisit, më afër se Sardenja. I pranishëm në hapjen e aktivitetit regjisori Giuliano Montaldo, nga “Gli Intoccabili” (1969) tek Sacco e Vanzetti (1971) shembull i madh i kinemasë italiane të padisë. Ai përmendi “peizazhe të jashtëzakonshme dhe vendet jashtë kohës në një vend që është vetëm 80 km nga Brindisi”. Ambasadori i Republikës Shqiptare në Romë, Llesh Kola, shton se Shqipëria “është më afër Italisë se sa Sardenja. Ne kemi 200 mijë Arbëreshë në jug, një komunitet të sotëm me mëse 500 shqiptarë që ka mbërritur 20 vjet më parë “. “Dhe në kohën e demokracisë, më në fund mund të bashkëpunojmë”, komentoi Artan Minarolli, regjisor dhe drejtor i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë Shqiptare në Tiranë.
Nga drama tek indiferenca. Roland Sejko, gazetar, themelues i Bota Shqiptare, gazeta e shqiptarëve në Itali, anëtar i shoqatës Occhio Blu – Anna Cenerini Bova që organizoi aktivitetin, është regjisori i L’Albania il paese di fronte (2008), film mbi një vend që për Italinë ka filluar të ekzistojë vetëm pas vitit 1991, kur anijet e para të emigrantëve mbërritën në brigjet tona, pavarësisht se historia e Shqipërisë dëshmon se sa e lidhur është ajo me Italinë. “Në mes të viteve tetëdhjetë Paolo Pinto ndërmori kapërcimin e Adriatikut me not, shqiptarët e ndoqën përpjekjen e tij me pasion, shumë njerëz gjatë komunizmit shpresuan që nga Shqipëria mund të ikej vërtet në atë mënyrë. Dy janë tematikat e pranishme në filmat e filmave të përzgjedhur për ditët e kinemasë shqiptare në Romë, përpara dhe pas rënies së komunizmit, një ide e përgjithshme se si ishte dhe se si është vendi, nga ata të llojit më
romantik dhe poetik, si Kolonel Bunkeri e tek impianti grotesk i Slogans. Ajo që del është dëshira për të ndryshuar, e vështirë të arrihej në një periudhë që ishte jashtëzakonisht konfuze. Ka dramë, por edhe gëzimi dhe indiferencë”.
Kur qielli është i kthjellët nga Italia mund të shihen malet shqiptare, po ato që janë protagonistët e filmit Slogans (Parullat) (2001) i Gjergj Xhuvani, vepër që hapi festivalin dhe që është vlerësuar edhe në Cannes me çmimin Young Critics Award dhe në Tokyo me Golden prize, i ndjekur në të njëjtën ditë nga Kolonel Bunkeri i Kujtim Çashkut e më pas nga filma të tjerë interesantë si Amnistia (2011) e Bujar Alimanit, filmi më i ri, ose Tirana viti zero (2001) i Fatmir Koçit. Të dielën, më 3 qershor, një event i madh kushtuar Pirro Milkanit, veteranit të kinematografisë shqiptare dhe veprës së tij Trishtimi i zonjës Shnajder (2008) i bashkë-drejtuar me djalin e tij Eno. Filmi u prezantua bashkë më Gianni Amelio: dy regjisorët janë njohur gjatë xhirimit të filmit Lamerica ku Milkani ka luajtur rolin e Selimit. “Filmat shqiptarë janë filmat më të shikuar në botë,” tha regjisori i cili më pas vazhdoi me ironi “sepse ata janë më të shikuarit në Kinën komuniste”.
Parulla me gurë. Filmi Parullat u prezantua nga skenaristi Ylljet Aliçka, autor i një libri me tregime të shkurtra Parullat me gurë –1999, që ka dalë dhe në Itali me Shokët prej guri. Nga ky libër është marrë ideja e filmit. Lindur në Tiranë në vitin 1951, Aliçka ka dhënë mësim për disa vjet gjatë regjimit komunist në shkollat fillore të zonave malore shqiptare. Historia e tij është autobiografike, “është përvoja ime para rënies së regjimit: ishim të detyruar për të krijonim me gurë parulla politike nëpër male”. Publiku duket i habitur “Çfarë ju detyronin të bënit?” Por përgjigja e tij është sarkastike, ashtu si edhe vetë filmi: “Më vjen keq për ju që i keni lënë malet pa parulla, çdo sistem totalitar komandon jo vetëm sjelljet, por edhe ndjenjat e tua”.
Fund i viteve ’70, një fshat malor, vend që për të mos ndërruar temë, i ngjan Orgosolo-s në Sardegna. Mësuesi i ri i biologjisë, Andrea, zbulon se në shkollën fillore ku e kanë transferuar nga Tirana, mësuesit dhe nxënësit janë të detyruar nga seksioni i Partisë së Punës, që himnizon Enver Hoxhën, të ndërtojnë me gurë shumë të mëdhenj parulla komuniste në shpatet e maleve, duke ndjekur diktatet e një “metode të parullës në gur”. Absurditeti i sjelljeve – nga urimet, madje me tortë, për blerjen e një televizori, deri tek ngushëllimet e përsëritura në pafundësi – e bëjnë filmin “të lehtë”. Por po ta mendosh më thellë, historinë e vërtetë ose të vërtetën historike, është tronditëse të shohësh fëmijë apo nxënës “karpentierë”, të detyruar të ngjiten nëpër male për të krijuar fjali për ta të pakuptueshme si “Imperializmi është tigër letre” – “germat më të vështira, si S-ja u lihen djemve, I-të vajzave dhe theksat të sëmurëve”. Mësues që shkruajnë në dërrasën e zezë fjalinë “Lart frymën revolucionare”, që japin mësime si “Armiku më i keq është ai që harrohet”. Fëmijët që mbrojnë parullat nga moti i keq dhe që detyrohen të dëgjojnë mësime të gjeografisë komuniste: në një skenë shihet biri e një proletari të deklasuar, i varfër dhe analfabet, që i ngritur në mësim thotë, e menjëherë korrigjon veten: “Kina është një vend revizionist”. Fëmija do t’i nënshtrohet një gjyqi të mirëfilltë, “sepse fëmijët janë më të sinqertë se të rriturit”; gjë që do t’i hapë telashe të atit të fëmijës. Ndërkohë Andrea dashurohet me mësuesen e frëngjishtes, por natyrisht për arsye etike partia do të pengojë marrëdhënien e tyre duke u hapur telashe pa fund – të luftuara vetëm në mënyrë të butë dhe vetëm në fillim – sepse përfundimisht asgjë nuk do të ndryshojë.
Filmi Parullat jep në mënyrë të përkryer ndjesinë e nënshtrimit të vetë drejtuesve ndaj një ideje që është korruptuar, përcjell idenë e mbytjes dhe të pamundësisë për të reaguar të të nënshtruarve të skajshëm. Ajo që ngushëllon është fakti që të gjithë duket se ndjekin urdhrat, por pak u besojnë në të vërtetë. Edhe pse është e vështirë të kuptohet domethënia dhe historia e filmit deri në fund.
Jashtë Shtëpisë së Kinemasë dy vajza që po ndjekin Festivalin për kuriozitet, ndalojnë e komentojnë filmin. Ajo italiane thotë: “S’e di, nuk më pëlqeu, mendoj se është e vështirë të kuptohet një kulturë e ndryshme nga e jona; por edhe shoqes sime që është serbe, filmi iu duk mjaft i çuditshëm. Përveç kësaj unë prita që protagonisti të reagonte, që të paktën të ndiqte gruan që dashuronte!. Por nuk ndodh asgjë, e kjo është vërtet e rëndë”.
Lexo origjinalin në Piuculture.it: L’Albania nel suo cinema e gli Slogans sulle sue montagne
Lexo edhe:
Shqipëria në pasqyrën e kinemasë nga Alessandro Leogrande